Kruja dhe kështjellat që e rrethonin

3408
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kështjella e Krujës ishte kryeqendra e vendit
Kështjellat e ndërtuara në periudhën e Mesjetës dhe në kohën e Skënderbeut kanë qenë më të shumta, se ato që përmendin burimet arkivore. Të ngritura në krahina të ndryshme të vendit, ato nuk përballuan një peshë të barabartë në luftërat e popullit tonë kundër pushtuesit osman në shek. XV. Duke u nisur nga pozicioni gjeografik dhe në përputhje me zhvillimin e ngjarjeve në atë kohë, kështjella e Krujës ishte kryeqendra e vendit. Kështjella të tjera që e qarkonin atë si Dibra dhe Mati bënin ruajtjen e kufijve lindorë e juglindorë të vendit. Berati e Shkodrës dhe kështjellat e tjera luajtën rol pozitiv në mbrojtjen e vendit. Të gjithë udhëheqësit ushtarakë, si në Mesjetë dhe në kohën e Skënderbeut i ndërthurën me mjeshtëri shpirtin sulmues, moralin e lartë të ushtrisë e të popullit me kushtet ekonomike, me fortifikimin e vendit dhe në përputhje me kushtet e terrenit malor të vendit. Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës vëmendjen e përqendroi në forcimin dhe ruajtjen e kështjellave. Sipas Barletit Krujën në fillim e bëri kryeqendër të vendit për pozicionin e saj strategjik “… e vendosur në majë të një shpati të lartë e thikë të një mali, e pashkelur dhe pothuaj e pa afrueshme nga çdo anë dhe aq mirë e forcuar nga veprimi i shënuar i natyrës, asgjë, përveç urisë, të mund të mposhtte me lehtësi çdo tërbim të armikut”. Në veprën e tij, Barleti e përshkruan shumë mirë Krujën duke nxjerrë në pah pozicionin strategjik, mbrojtjen natyrale, fortifikimin e mirë dhe konstruksionin e fortë. Me muret e saj të forta, vendosja në të e një garnizoni jo shumë të madh luftëtarësh, por trima e guximtarë përballuan të gjitha sulmet e një ushtrie të madhe, siç ishte ushtria osmane e pajisur me armët dhe teknikën më të mirë të kohës. Në përballimin e fushatave të mëdha osmane për rrethimin e Krujës, Skënderbeu u tregua novator i madh në fushën ushtarake. Ai theu kornizat e artit ushtarak në kohën e mesjetës duke ndërthurur drejt dhe me aftësi veprimet luftarake mësymëse të grupimit kryesor që e mbajti jashtë kështjellës me forcat e grupimit mbrojtës që vepronin brenda në kështjellë. Për luftën e forcave shqiptare kundër osmanëve, kështjella e Krujës luante rol kryesor. Skënderbeu i kushtoi kurdoherë vëmendje të veçantë mbrojtjes, fortifikimit dhe caktimit të ushtarëve që do të luftonin në kështjellë. Pozita strategjike e Krujës u kishte rënë në sy edhe më parë të gjithë udhëheqësve ushtarak të shteteve të huaja që e kishin vizituar. Megjithëse të dhëna burimore të sakta nuk ka, studimet arkeologjike vërtetojnë se ajo u ngrit në prag të Mesjetës nga Karl Topia. Me sa duket Kruja e shumë kështjella të tjera u rindërtuan pas invazioneve të hunëve, të gotëve dhe pas rrënimit që pësoi vendi. Pozita strategjike e kësaj kështjelle lidhte mirë me fushën që shtrihet para saj dhe malet që i rrinë fushës si kurorë. Fuqia e rëndësia e kështjellës bëhej edhe më e madhe nga një varg kalash që ruanin luginat e rrugët e mundshme të cilat i çonin për në Krujë.
Kështjella e Petrelës, Rodonit dhe Prezës
Në jug të Krujës, në bregun e majtë të lumit Erzen, mbi një majë shkëmbi 400 m të lartë gjendej e ndërtuar kështjella e vogël e Petrelës. Barleti do të shkruante për të: “Petrela qytet jo fort i madh po t’i vish rrotull, por i papushtueshëm, me gjithë këtë, për shkak të natyrës së vendit dhe të lartësisë së malit në majë të të cilit ndodhet…”. Kështjella është në gjendje të mirë dhe sot. Ajo është e pajisur me dy kulla anësor dhe një pirgu, e cila mban nën vrojtim dhe mbyllte drejtimin Elbasan-Tiranë-Krujë. Petrela si kështjellë mund të jetë ndërtuar në fillim të mesjetës. Për një kohë të gjatë u përdor nga sunduesit bizantin. Ajo mbante lidhje direkt me Krujën edhe para pushtimit osman. Këto kështjella në gjysmën e dytë të shek. XIV përfshiheshin në zotërimet e feudalëve Topias, e shërbenin si mbrojtje për portin e Durrësit. Në bregdet, në Kepin e Rodonit, Skënderbeu rindërtoi kështjellën e me këtë emër. Me anën e kësaj kështjelle, e përbërë nga një mur që mbaronte në fund të kepit dhe një pirg, Skënderbeu kërkonte të ishte i lirë në veprimet e tij në detin Adriatik. Portet kryesore të vendit në këtë kohë ishin nën sundimin e Republikës së Venedikut e cila ndiqte politikë armiqësore ndaj Lidhjes Shqiptare. Kështjella i siguronte Skënderbeut dy përparësi për taktikën e tij. Duke u lidhur drejtpërdrejt me detin, nuk mund të rrethohej plotësisht pa pjesëmarrjen e flotës dhe se ajo kishte pamje direkt me Krujën duke u lidhur me sinjale me zjarr e me tym. Përballë Krujës ndodhej kështjella e Prezës, të cilën Barleti e identifikonte me qytetin e ilirëve Pathinë. Kjo u shkatërrua në fillim të mesjetës dhe nuk u rindërtua më. Asaj ju bënë disa riparime nga banorët vendas. Me gjithë se ajo nuk është e fortifikuar mirë dhe nuk është në ndonjë lartësi sunduese, mbante nën goditje nga shpina forcat osmane, kur ato i drejtoheshin Krujës. Gjithashtu ka shërbyer si bazë nisje për sulme kundër forcave osmane që rrethonin Krujën.
Disa kështjella të vogla
Fuqia dhe qëndrueshmëria e kështjellës së Krujës rritej akoma më shumë sepse mbrohej e lidhej nga juglindja dhe veriu me disa kështjella të vogla. Këto kështjella të brendshme kanë mbetur të panjohura nga kronistët bashkëkohës. Ato nuk luajtën ndonjë rol në luftën e popullit tonë kundër pushtimit osman dhe u përfshinë në grupin e kështjellave pa emër, të ngritura në vende malore, në gryka e lugina të fshehta. Këto futen në vargun e atyre kështjellave të sigurta ku vendosej popullsia e zonës fushore në rast fushatash të mëdha të forcave osmane. Këto vërtetojnë aftësinë e Skënderbeut si strateg i madh dhe të strategjisë së tij duke gjykuar pozicionet e tyre në rrugët e mundshme të afrimit për në Krujë, si dhe të njohjes së rolit që kishin malet për strehimin e popullsisë dhe të luftëtarëve. Në gojëdhënat popullore shpesh përmenden kala e vende me emrin e tij. Në malësitë e Tiranës në malin e Shëngjinit gojëdhënat e lidhin kalanë e fshatit me emrin e Skënderbeut dhe se atje u rrethua nga osmanët. Rrethimin e çau duke përdorur me mjeshtëri mashtrimin. Ai u njoftua nga malësorët vendas për ardhjen e osmanëve dhe i porositi barinjtë e fshatit të grumbullonin dhitë e në çdo kokë të tyre të vendosnin nga një pishtar të ndezur dhe ti lëshonin në drejtim të kampit osman. Në mbrëmje u vepruar kështu: dhitë u lëshuan në drejtim të kampit dhe osmanët menduan se sulmoi Skënderbeu dhe të frikësuar ata u tërhoqën në panik. Por nga burime nuk dihet që Skënderbeu të jetë rrethuar në malësitë e Tiranës, por po ti referohemi një fakti se në jug të malit të Dajtit ruhen dhe sot rrënojat e një kështjelle mesjetare. Kështjella është ngritur në mbrojtje të qafave që gjenden në të dy anët e malit. Duke pasur parasysh pozicionin e kështjellës dalim në përfundimin se Skënderbeu duke e ditur mirë rëndësinë e terrenit dhe njohur të gjitha shtigjet e malit i shfrytëzoi kështjellat e ngritura më parë dhe sipas gjendjes së tyre i riparoi ato dhe i vuri në gjendje gatishmërie. Duhet futur në vargun e kështjellave përreth Krujës dhe kështjella e Shish-Tufinës e cila është e vendosur përballë Shkallës së Tujanit midis Krujës dhe Petrelës. Gërmimet arkeologjike të bëra në këtë vend të çojnë në mesjetë dhe se kjo mbronte rrugën për në Mat. Barleti thekson se Skënderbeu pas Petrelës, u drejtua për në Gurë të Bardhë e Petralb që ndodhen në Mat. Në vargmalin Dajt-Krujë në kodër pranë fshatit Laç ruhen rrënojat e një kështjelle të vogël e quajtur nga populli kalaja e Sebastes. Ajo ka një planimetri katërkëndëshe dhe është e pajisur me kulla. Ekzistenca e një përroi të thellë dhe thyerja e terrenit e bëjnë këtë kështjellë të fortë prej natyre. Në malësinë e Kurbinit në luginën e përroit të Hurdhëzës që derdhet në lumin Mat në të majtë të një kodre gjenden muret e një kështjelle që quhet Kalaja e Daules e quajtur dhe kala e Skënderbeut ose e Tanushit. Kjo kështjellë mbante nën vrojtim rrugën Mat-Milot dhe së bashku me Sebasten, Rodonin e Prezën e qarkonin Krujën nga perëndimi dhe veriu.
Sigal