Kritika policisë private – Tahiri: Bankat, qendrat tregtare dhe kompanitë nuk ruhen me krunde

163
Bankat nuk do të mund të shpallin më tendera për policitë private nëse nuk merret parasysh paga minimale e policëve privatë.
Ministri i Brendshëm Tahiri tha se do të zhvillojë një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatat e Bankave për këtë çështje, pasi sipas tij nuk mund të flitet për siguri në banka nëse ruhet nga një polic që paguhen vetëm 180 mijë lekë apo 200 mijë lekë të vjetra.
Tahiri: Çështja e tenderimit për policitë private nga shteti ka të bëjë me afatet buxhetore. Sa i takon bankave, jam vënë në dijeni para kohësh që ka banka që shpallin tendera për polici private dhe nuk merret parasysh paga minimale e policëve privatë. Bie dakord me ju që sigurisht do ketë më pak siguri për bankat nëse një bankë paguan 180 mijë lekë apo 200 mijë lekë të vjetra një polic privat që i rri atje dhe as nuk kanë çfarë pretendojnë pastaj për siguri.Të jeni të bindur që do ta bisedoj me Guvernatorin, Shoqatën e Bankave dhe do detyroj me akte normative çdo kontraktor privat që kur të shpallë tenderin për ju dhe kur të kontraktojë policinë private, pika numër një të jetë respektimi i detyrimit ligjor për pagesën e pagës minimale të policëve privatë që është 330 mijë lekë të vjetra. Ne nuk duam një Shqipëri ku polici privat të jetë një gjynafqar që rri atje kot sa për të marrë 180 mijë lekëshin.
Sakaq Tahiri tha se kërkohet edhe një rregullim i tregut të kompanive private të sigurisë, pasi nuk mund të ofrojnë siguri me krunde.
Tahiri: Nuk duam një treg kaq kaotik dhe në kuadër të kompanive që ju drejtoni, ashtu siç nuk duam kompani të mëdha që me krunde duan të bëjnë sikur kanë siguri duke lënë nga një njeri që është aty për lëmoshë. Bankat, kompanitë e mëdha të biznesit, qendrat tregtare, kurrë nuk mund të ndodhë që sot e tutje të mos respektojnë këtë pikë të ligjit.