Kriteret e reja, priten shkarkimet e drejtorëve të Zyrave Arsimore

116

UDHËZIMI/ Sa i plotëson kriteret e vendosura nga MASH përgjegjësi i Zyrës Arsimore Librazhd, z. Kujtim Balla?!

Urdhri i ri i ministrit të Arsimit dhe Shkencës ka shtuar ethet e largimit nga kolltuku për mjaft drejtorë të Zyrave Arsimore në disa rrethe. Në zbatim të ligjit Nr.69, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Kriteret e vendosura bëjnë që Përgjegjësi i zyrës Arsimore të Librazhdit, Kujtim Balla të dali pa punë dhe t’i thotë lamtumirë karriges. Sipas Ministrisë së Arsimit, kandidatët, krahas kërkesave të parashikuara në ligjin për “Statusin e nëpunësit civil”, duhet të plotësojnë edhe kërkesa të veçanta e strikte. Askush nuk mundet t’i shpëtojë kësaj urdhërese. Librazhdi është një nga rrethet më të mëdha pas Elbasanit që ka një numër shumë të madh mësuesish mbi 850 dhe mjaft shkolla të mesme dhe 9-vjeçare.

Urdhëresa

Urdhëresat e MASH i thonë stop emërimeve nën frymën e partisë, të një simpatizanti, ku shumë herë gjejnë strehim në këto zyra të shtetit që shfrytëzohen në mënyrë ‘private’ apo të ryshfeteve. Librazhdi ka një histori të gjatë emërimesh e shkarkimesh në Zyrën Arsimore, ku çdo përgjegjës hyn i varfër dhe del shumë i pasur, mundet të lash edhe ndonjë borxh nëse ke, ku me mësuesit lozet sipas interesave. Madje ka shumë emërime jashtë kritereve. Emërimet bëhen në lokale, jashtë qytetit. Në mjaft shkolla nuk bëhet mësim, ka mësues të rinj, që janë me partinë e që japin mësime në fshatra, ku shumë prindër ankohen çdo ditë për paaftësinë e tyre, por askush nuk ua vë veshin. Në Zyrën Arsimore ka akoma nga ish- përgjegjësit, inspektorët janë pa asnjë ngritje dhe trajnim e diploma, po që kanë kthyer arsimin në një “çorbë” e përsëri vijnë vërdallë për të zënë një vend pune të ngrohtë.

Kriteret

Kriteret për kandidatët janë të qarta. Mësuesit duhet të kenë kryer studimet e larta, niveli 4-vjeçar ose cikli i dytë, me rezultate të mira ose shumë të mira në fushën e mësuesisë. Një kriter tjetër që ka vendosur Ministria e Arsimit ka të bëjë me përvojën në arsim, pasi MASH kërkon që kandidati të ketë përvojë në arsim të paktën pesë vjet në vazhdimësi. Gjithashtu, ai që aspiron të bëhet përgjegjës në një nga zyrat e lartpërmendura, duhet të njohë mirë legjislacionin në fushën e arsimit parauniversitar, si dhe të ketë aftësi komunikuese dhe të punës në grup, por duhet që të kenë njohuri edhe në zbatimin e teknologjisë së informacionit. Kandidatët, krahas kërkesës së zgjeruar me shkrim për konkurrim, duhet të paraqesin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore dhe Koordinimit Rajonal në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, një numër dokumentesh. Bëhet fjalë për fotokopje të noterizuar të diplomës të shkollës së lartë, listës së notave të shkollës së lartë, librezës së punës, certifikatave dhe dëshmive për kualifikimet pasuniversitare, dëshmisë së gjuhës së huaj e mbrojtur, botimeve, dëshmive për pjesëmarrje në grupe pune apo projekte si dhe fotokopje të dëshmisë se penalitetit. E në fakt pas gjithave këtyre që ne përmendëm lind pyetja. Po drejtori i Zyrës Arsimore Librazhd a plotëson ndonjë nga këto kritere? Kjo është një pyetje që pret një përgjigje nga drejtuesit më të lartë të arsimit  shqiptar.