Krishtlindjet, Janullatos e Massafra urojnë besimtarët: Qofshin të bekuara!

514
Besimtarët ortodoksë dhe ata katolikë festojnë sonte festën e madhe të Krishtlindjeve. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, krerët e besimeve fetare kanë uruar edhe këtë vit të gjithë shqiptarët.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos e ka ndarë urimin e tij me shqiptarët në gjuhën shqipe. “Vëllezër dhe motra, le të lutemi që Perëndia të na japë fuqi që të mos përkulemi dhe që të mos jepemi nga hidhërimet, vuajtjet në rrugën tonë dhe le të na dhurojë hirin e tij që sprovat tona të transformohen në pjekuri shpirtërore. Krishtlindje të bekuara dhe një vit të ri krijues për shumë vjet,” ishte urimi i Janullatosit.
Kryepeshkopi tha se Krishtlindja vjen si dritë paqeje e shprese ndërkohë që shqetësimi, dhimbja e frika janë përhapur në jetën tonë. “Shqetësimi, dhimbja dhe frika janë përhapur sot në jetën tonë. Brenda këtij trazimi Krishtlindja vjen si një dritë ngushëllimi, paqeje dhe shprese. E reja tronditëse që na thekson e kremtja e Krishtlindjeve është që Perëndia jo vetëm që është i pranishëm në botë por se biri dhe fjala e tij u mishërua, mori natyrë njerëzore, merr pjesë në historinë e njerëzimit. Ky zbulim e dallon besimin e krishterë nga çdo fe tjetër. Perëndia i pafund dhe i plotëfuqishëm ai që është dashuri ka hyrë në kohën dhe në ambientin tonë dhe ai që këndon me dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në atë nuk ka frikë në dashuri,” tha ai.
Edhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare njëherësh edhe Arqipeshkv i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra uroi besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes.
Në urimin e tij, Massafra tha se kjo është koha kur duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje dinjitetit njerëzor. “Urimi që ju drejtoj të gjithëve është ta jetojmë këtë festë si rast të volitshëm për të rizbuluar dinjitetin tonë si krijesa të dashura prej krijuesit dhe për t’i kthyer të njëjtin dinjitet të afërmit tonë. T’i kushtojmë më shumë vëmendje dinjitetit njerëzor sepse nëse Hyji na ka kthyer dinjitetin tonë edhe ne duhet ta vlerësojmë dinjitetin e të afërmve tanë. Kjo do të thotë të punojmë për të zhdukur padrejtësitë e çfarëdolloji, të bëjmë çdo përpjekje për të pakësuar varfërinë materiale e sidomos atë kulturore. Të dimë të kërkojmë falje dhe të falim fyerjet e pësuara. Vetëm kështu do ta vlerësojmë dinjitetin tonë dhe atë të të tjerëve,” tha Imzot Angelo Massafra.
Besimtarët katolikë me qirinj në duar do të kryejnë ritet fetare mesantën e sotme në kishë mes lutjeve dhe urimeve për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni. Besimtarët katolikë në Tiranë do të mbajnë meshën e Krishlindjeve në katedralen e Shën Palit në mesnatë, ndërsa për besimtarët ortodoksë mesha do të mbahet në orët e para të mëngjesit në Katedralen Ortodokse në kryeqytet.
Sigal