Krimi në partneritet me policinë/ Pas bankave të huaja edhe kompanitë e siguracioneve të makinave dhe objekteve, në prag të largimit nga Shqipëria

548
Sigal

Avokati Ledio Braho, në një dalje të tij në media ka deklaruar, se krimi i organizuar ka mbështetje nga policia, pasi sot kemi një ish-ministër të Brendshëm dhe disa drejtues policie nën akuzë. Ai përmendi edhe analizën e prokurores së përkohshme, Arta Marku që sheh si problem kryesor sekretin hetimor dhe jo krimin e organizuar. “Policia e shtetit është një organizatë që ndahet në struktura, ka strukturë specifike që merret me pjesën e protestave apo me ndeshjen e futbollit dhe ka strukturë specifike që merret me krimin e organizuar.

Dhe të gjitha ngjarjet që ne po citojmë janë të krimit të organizuar dhe këtu është roli kyç i krimit të organizuar në parandalimin dhe në gjetjen e autorëve. Vetëm në Shkodër ka 11 vrasje pa autor. Te gjitha ngjarjet vijnë si proces i krimit të organizuar. Prokurorja e përkohshme në analizën e përgjithshme qe bëri para pak ditësh nuk trajtoi krimin e organizuar, por u mor vetëm me çështjen e sekretit hetimor, a thua se ai është problemi më i madh i prokurorisë sot.

Sot nuk ka asnjë grup kriminal të dënuar që është marrë me aktivitete të një organizate kriminale Po ashtu sot në lidhje me policinë e shtetit dhe me pushtetin duhet të citojmë se sot kemi një ish-ministër të Brendshëm dhe disa ish-drejtues të policisë së shtetit që janë marrë si persona të pandehur dhe ka nisur gjykimi ndaj tyre pikërisht për vepra që mund të lidhen me krimin e organizuar. Krimi duket se ka gjetur partnerin e duhur.” Të gjitha bandat kriminale kanë një bashkëpunim me shtetin. Rasti më konkret është ai i “Babales”, ku një drejtor policie qarku merret me një trafikant të dënuar.

Kështu u shpreh avokati Ledio Braho, duke theksuar se ka një partneritet mes grupeve kriminale dhe policisë. “Shikoni rastin Tahiri kur zyrtarë të Policisë së Shtetit janë të përfshirë në partneritet me bandat e drogës.Po kështu kemi pastrimin e parave, ku në raportin e DASH-it thuhet se nuk është ndërmarrë asnjë masë parandaluese”. Por akoma më skandaloz është fakti që punonjës të policisë, shefa sektori dhe drejtues të komisariateve janë të lidhur me elementët kriminalë duke u futur në pazare të pista me ta.

Vendi i kriminelëve dhe drejtuesve apo zëvendësve të komisariateve të policisë, sidomos në Tiranë dhe disa rrethe të mëdha duhet të jetë i të njëjtit fat si ai i hajdutëve, vjedhësve të automjeteve, kambistëve apo bankave. Kohët e fundit janë vënë re dy fenomene në disa komisariate të Tiranës. Persona me precedent kriminal blejnë makina super të shtrenjta, me pak kilometra apo me kilometra zero, i sigurojnë “kasko” dhe pas pak muajsh këto makina raportohen në komisariate të vjedhura. Për këtë nuk ka asnjë njoftim se sa janë vjedhur dhe akoma më keq asnjë rast të zbuluar.

Kjo tregon ose paaftësinë e punonjësve të policisë ose lidhjen e tyre me personat denoncues. Policia në radhë të parë duhet të hetojë personat në fjalë njëlloj si në vendet fqinjë ku e para gjë që bëhet është verifikimi se me çfarë të ardhurash është blerë automjeti. Me para droge, krimi apo nga pazaret e pista si vrasje me pagesë?! Është kjo, pra e para dhe më profesionalja që duhet të bëjë policia, sektori i krimit, kontrabandës dhe pastrimit të parave.

Po si ka mundësi që në një nga komisariatet e Tiranës vidhen makina të siguruara “kasko” më shumë se në të gjithë Tiranën? A kanë statistika drejtuesit e policisë së shtetit? Kohët e fundit pas deklaratave për largim nga Shqipëria të disa bankave prestigjioze, edhe kompanitë e sigurimeve me kapital mbi 50% të huaj janë gati të largohen nga vendi ynë, duke future në kolaps sistemin e sigurimeve, gjë që do të frenojë edhe bizneset e huaja, pasi këtu gjithçka është e lidhur zinxhir.

Drejtuesi i ri i Policisë së Tiranës duhet të kërkojë urgjentisht statistikat e vjedhjeve të automjeteve dhe do të kuptojë që këto makina ose rishiten si pjesë, ose përdoren nga elementët kriminalë në vrasje dhe më vonë djegien e këtyre automjeteve. Është koha që shërbimi i kontrollit të brendshëm dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të ndërhyjnë urgjentisht për të ndarë krimin nga elementë të veçantë që njollosin dhe baltosin figurën e përfaqësuesit të shtetit.