Krimi në ofensivë, policia në baste-live

132
Në Elbasan duket se qytetarët i ruan Zoti, sepse policia dhe ata qindra agjentë të strukturave të tjera në terren, duket se e marrin rrogën si me pahir. Kjo për faktin sepse nuk ka ditë të mos shikosh policë me uniformë ose pa uniformë, të mos futen në baste-live dhe të mos rrinë atje mbi 30 minuta apo më shumë, duke mbushur tabelat e rezultateve të ndeshjeve, dhe duke e lënë detyrën dhe rendin në “duart e sigurta”. Elbasani muajt e fundit është tronditur shpesh nga ngjarje të rënda kriminale dhe me pasoja, por që gishti i qytetarëve gjithmonë dhe me të drejtë është drejtuar nga policia. Edhe në 24 orët e fundit, Elbasani ishte nën pushtetin e krimit, ku një sasi e konsiderueshme eksploziv është gjetur në oborrin në afërsi të një hoteli në rrugën nacionale të unazës. Sipas burimeve policore dhe nga qytetarët që banojnë pranë objektit ku u gjend tritoli mësohet se “një sasi e konsiderueshme lënde eksplozivi është gjetur në afërsi të lokalit, dhe fatmirësisht kanë qenë punonjësit e hotelit që kanë pikasur një sasi lënde eksplozive të ngjashme me tritolin”. Ata kanë njoftuar menjëherë policinë e cila ka shkuar në vendngjarje pasi ka pyetur nja 10 herë se “ku gjendet hoteli”, “në cilin segment rrugor, kush e ka hotelin, emrin e pronarit”, dhe dhjetra pyetje të tjera të bëra telefonuesve të shqetësuar. Policia pasi ka ardhur ka rrethuar zonën përreth dhe ka njoftuar ekspertët antieksploziv, por akoma nuk dihet se kur është vendosur lënda eksplozive dhe cili është qëllimi i saj. Sipas policisë, “lënda plasëse është gjetur e pashpërthyer, dhe eksplozivi nuk ishte me telekomandë apo i lidhur me elementë të tjerë për të kryer shpërthim në distancë, por me fitila, çka bërë dyshohet se më shumë bëhej fjalë për një mesazh se sa tentativë për të realizuar shpërthimin e lëndës”.
Policia me pistat e vjetra të hetimit
Policia pasi e ka gjetur tritolin në oborrin e hotelit, një nga pistat kryesore të (ri) ngritura nga grupi hetimor është edhe ai i hakmarrjeve të ndryshme që mund të kenë njerëzit që posedojnë hotelin. Për këtë qëllim ekspertët e hetimit e lidhin çështjen me vendin ku u gjet lënda eksplozive dhe autorët e mundshëm që mund të kenë pasur objekt në atë zonë. Nuk është deklaruar zyrtarisht që eksplozivi të ketë lidhje me hotelin aty pranë, ndonëse ai mbetet pistë kryesore hetimi. Një nga supozimet është edhe fakti se autorët kanë dashur të kryejnë shpërthim për të shkaktuar dëme materiale ose për të frikësuar personat që kanë qenë si objekt. Megjithatë deri më tani nuk ka një version zyrtar se cili është qëllimi i hedhjes së lëndës plasëse. Në afërsi të hotelit u gjend 40 gram tritol dhe fitila të djegur, në unazën jugore të qytetit Elbasan. Mes të tjerash komunikata e thatë e policisë thotë se “në lagjen `Çlirimi`, në unazën jugore të qytetit, në afërsi të një hoteli në pronësi të shtetasit, V. N, 65 vjeç, banues në Elbasan është gjetur një sasi e vogël lënde plasëse e dyshuar si tritol, rreth 30 – 40 gr si dhe disa copa fitili të djegur. Efektivat e policisë, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë sekuestrimin e lëndës plasëse në cilësinë e provës materiale. Specialistët për krimet e rënda në drejtorinë e policisë, Elbasan, po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.” Dhe së fundi mjafton të përmendim vetëm pak statistika për tu bindur se policia ka pak vëmëndje tek rendi dhe siguria, dhe shumë interes tek bastet-live. Vetëm në 5 muajt e parë të 2016, në Elbasan kanë ndodhur 2 herë më shumë vepra të rënda kriminale se në të njëjtët periudhë të 2015, janë regjistruar 2 herë më shumë të vrarë dhe të plagosur si dhe akte kriminale se në të njëjtën periudhë të 2015. Kurse qytetarët ndjehen 10 herë më të pasigurtë për jetën, familjen dhe pronën e tyre se në të njëjtën periudhë të vitit 2015.