“Krim i organizuar”, prangoset babë e bir në Fier

559
Sigal

Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjeta”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krim i organizuar”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm”.

Gjatë operacionit, u kap me armë zjarri me vete dhe u arrestua në flagrancë edhe djali i këtij shtetasi.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Rrjeta”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

A.I., 56 vjeç, banues në Fier.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka dërguar urdhër-arresti për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm”.

Gjithashtu, gjatë operacionit, në ambientet e një lokali në Fier, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

A.I., 33 vjeç, banues në Fier.

Nga kontrolli personal i ushtruar, 33-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër me 15 fishekë dhe një mjet prerës (biçak), të cilat ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të 33- vjeçarit A. I., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.