Kreu i KQZ-së raporton problemet në Kuvend: Financimi i partive, prioritet

772
Klement Zguri, Kryetari i KQZ-së, në seancën plenare të Kuvendit, lidhur me raportimin mbi veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2017 u shpreh, se viti 2017 ka qenë një vit i rëndësishëm pune për KQZ-në, sepse ka qenë vit zgjedhor. Gjatë raportimit në Kuvend për punën e institucionit që drejton pas marrëveshjes së 18 majit mes Ramës e Bashës, Klement Zguri e vuri theksin tek Reforma Zgjedhore, për të cilën Kuvendi e ka nisur punën me ngritjen e komisionit të posaçëm.

“Financimi i partive është një nga çështjet prioritare që meriton vëmendje gjatë reformës. Është rekomandimi i 16-të i Raportit të OSBE-së. Zbatimi ligjit është thelbësor edhe për partitë, jo vetëm për KQZ-në. Sa më i madh kontrolli, aq më i vogël abuzimi. Kjo reformë do të krijojë për vendin epokën e transparencës financiare. Harmonizimi i legjislacionit, transparenca financiare e partive etj., formojnë prioritete ligjore. Praktika ka treguar se ndikimi i partive tek komisionerët ka shkaktuar probleme. Propozimi i tyre nga partitë në kapërcim të afateve ligjore, ka bërë që komisionerët të mos jenë trajnuar. Gjithashtu, problem paraqet edhe ndërrimi i tyre në moment të fundit. Askush nuk duhet të na pengojë të krijojmë një administratë zgjedhore të aftë. Të rishikohet legjislacioni që rregullon administratën e zgjedhjeve. Kjo kërkon reformë të thellë”, deklaroi Zguri.

Pothuajse 1 vit larg zgjedhjeve vendore të vitit 2019, palët janë dakordësuar vetëm për agjendën e punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore. Problemi i parë që pritet të trajtohet është teknologjia, kryefjalë e kërkesave të opozitës në zgjedhjet e vitit të shkuar, të cilët kërkuan votim dhe numërim elektronik.
Sigal