Kreu i KLSH, Dr. Bujar Leskaj: Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë. Raportet shpirtërore Shqipëri-Ukrainë, bashkëpunimi mes SAI-ve të të dy vendeve, BE, dhe marrëveshja e KLSH me SAI-n Ukrainës

853
Sigal

Bashkëpunimi mes SAI-ve të Ukrainës dhe Shqipërisë

Bazuar në moton e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)” dhe në Nenin 15 “Shkëmbimi  “ndërkombëtar i eksperiencave” të Deklaratës së Limës, ISSAI 1, pas kontakteve dhe komunikimeve mes të dyja institucioneve supreme të auditimit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Dhomës së Llogarive të Ukrainës gjatë muajve; prill-maj 2018,  Kontrolli i Lartë i Shtetit do të nënshkruajë më 15 qershor 2018 në Kiev marrëveshjen e bashkëpunimit me institucionin më të lartë të auditivit (SAI-n) të këtij vendi evropian.

Raportet shpirtërore Shqipëri-Ukrainë

Kjo marrëveshje ka dhe një dimension krejt të veçantë historik, pasi me mijëra shqiptarë të shkëputur nga Atdheu, të shpërngulur nga Korça dhe Pogradeci 500 vjet më parë, si pasojë e sundimit otoman, nisën një rrugëtim të gjatë 2-shekullor, duke kaluar nëpër Maqedoni, Bullgari e Rumani, derisa  në shek XVIII u vendosën në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt, Devneskoje, Gjeorgjevka, dhe Gamovra, ku jetojnë edhe sot. Sot rreth 5000 banorë të këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë. Gjuha që flitet sot në to është një përzierje e shqipes me gjuhën e vendit, ndërsa zakonet, folklori dhe veshjet janë ato të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre.

Drejtuesi i SAI-t ukrainas

Presidenti i Dhomës së Llogarive të Ukrainës, Z. Valeriy Patskan përfaqëson një nga ideatorët dhe themeluesit e partisë UDAR, në qendër të frymës opozitare dhe demokratike në Ukrainë, si dhe bashkëpunëtor i ngushtë i liderit të opozitës demokratike të vendit, Vitali Klitschko, sot Kryetar i Bashkisë së Kievit dhe drejtues i lëvizjes politike më me influencë në Ukrainë, “Blloku Petro Poroshenko”. Z. Patskan luajti një rol aktiv në manifestimet dhe revoltën popullore të vitit 2014, që sollën një qeveri demokratike me orientim pro-perëndimor në Ukrainë. Partia UDAR fitoi terren politik dhe përkrahje të gjerë popullore, duke kërkuar vendosjen në qendër të qeverisjes së vendit të interesave të ukrainasve të zakonshëm, si dhe një fushatë të pamëshirshme kundër korrupsionit, indiferencës së autoriteteve, mungesës së qeverisjes lokale, pabarazisë dhe varfërisë. Programi i saj parashikonte luftën ndaj korrupsionit në Ukrainë, duke bërë më shumë transparencë në qeverisjen publike dhe duke krijuar një agjenci të pavarur kundër korrupsionit. Partia u shpreh në favor të Marrëveshjes së Asociimit midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian. Në nivel të politikave sociale, UDAR planifikoi  kapërcimin e pabarazisë sociale me braktisjen e idesë dhe qasjes së “punës së lirë”. Në arsim, synoi ta sjellë arsimin në Ukrainë në standardet evropiane nëpërmjet zhvillimit të testimit të jashtëm dhe monitorimit të cilësisë së arsimit”. Programi i saj synoi kthimin në një arsim të mesëm të detyrueshëm 12-vjeçar, me trajnime të specializuara në dy vitet e fundit dhe tre cikle të të nxënit në arsimin e lartë – diplomë Bachelor, diplomë masteri dhe studime pas-universitare. Partia u shpreh për garantimin e autonomisë se institucioneve arsimore përmes legjislacionit. Ajo gjithashtu synoi të zvogëlojë numrin e agjencive shtetërore, me qëllim “minimizimin e ndërveprimit të qytetarit me më shumë se një zyrtar për shërbimet ndaj tij”. UDAR programoi zvogëlimin e numrit të taksave nga 23 në 7 dhe në përgjithësi thjeshtimin e sistemit të taksave. Partia fitoi zemrat e qytetarëve të thjeshtë, duke kërkuar shfuqizimin e privilegjeve të Kryetarit të Rada Verkhovna (Parlamentit të Ukrainës) dhe të ish-Presidentëve të vendit, si dhe uljen e përfitimeve të parlamentarëve aktualë.

Partia ka premtuar të “ristartojë” sistemin gjyqësor dhe të përforcojë kontrollin e publikut mbi zgjedhjet, duke u shprehur në favor të nismave ligjore të qytetarëve, pas mbledhjes së 150,000 nënshkrimeve. Ajo gjithashtu dëshiron të prezantojë në Ukrainë një ligj për rastet kur duhet mbajtur përgjegjës Presidenti i Ukrainës (Impeachment Law). Më 15 mars 2018, Parlamenti i Ukrainës zgjodhi z. Valeriy Patskan si President të Dhomës se Llogarive, institucionit suprem të auditimit(SAI-t) në vend. Z. Patskan është një reformator, Ai synon ta shndërrojë Dhomën e Llogarive në një SAI evropian modern, duke rritur nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies publike në vend, në respekt dhe plotësim të pritshmërive të qytetarëve ukrainas. Kërkon marrjen e eksperiencave më të mira në auditim nga SAI-t simotra të kontinentit. Dhoma e Llogarive e Ukrainës u krijua më 11 korrik 1996 me Ligjin “Për Dhomën e Kontabilitetit të Parlamentit të Ukrainës”. Në vitin 1998, Dhoma u anëtarësua në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve të Auditimit Suprem (INTOSAI) dhe në vitin 1999 u pranua në Organizatën Evropiane të SAI-ve, EUROSAI. Ajo bashkëpunon në mënyrë aktive me shumë SAI-evropiane, si me Zyren Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK), me SAI-t e Republikës së Bullgarisë, Republikës së Moldavisë, Republikës së Lituanisë, Republikës Sllovake, të Hungarisë, etj. Dhoma e Llogarive e Ukrainës është aktive edhe në disa Komitete dhe Grupe Pune të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, sidomos në Grupin e Punës së EUROSAI-t  “Për Auditimin e fondeve të alokuara për katastrofat natyrore”, të cilin e kryeson. Dhoma e Llogarive të Ukraines synon të profilizohet si një institucion i besueshëm tek qytetari ukrainas, duke i ofruar opinionit publik, shoqërisë dhe autoriteteve shtetërore informacion të vërtetë mbi menaxhimin e fondeve të Buxhetit të Shtetit.

Kur në fund të marsit 2018, u njohëm me Presidentin Patskan në Takimin e IV-t vjetor të Grupit të Punës së EUROSAI-t  “Për Auditimin e fondeve të alokuara për katastrofat natyrore” në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinjau, ai, i informuar nga kolegët polakë,veçanërisht nga Zv.Presidenti i NIK-ut polak,Vojciech Kutyla shprehu dëshirën të dinte më shumë për projektet tona të përbashkëta me SAI-t simotra dhe me Delegacionin e Bashkimit Evropian. Në bazë të motos së EUROSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë”, ne ishim gati të ndanim me SAI-n ukrainas qasjen tonë në projektet për modernizimin e KLSH-së. Nga ana tjetër, eksperienca  e Dhomës së Llogarive të këtij vendi në auditimet e zhvilluara për parandalimin e përmbytjeve dhe katastrofave natyrore, sidomos në rekomandimet që SAI-t duhet të japin pranë qeverive respektive për përgatitjen e strategjive dhe planeve të punës efektive dhe eficiente për shmangien e përmbytjeve, është me shumë vlerë. Si SAI ramë dakord të institucionalizojmë shkëmbimin e eksperiencave(çka ka qenë një nga objektivat e mija permanente në drejtimin e KLSH në vitet 2012-2018),  në formën e një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të nënshkruhet këto ditë në Kiev.

Drejt Ukrainës

Udhëtojmë drejt Ukrainës, në respekt të zhvillimeve të saj demokratike, të qasjes dukshëm pro integrimit në Bashkimin Evropian që ky vend i madh europian ka marrë, si dhe  të personalitetit, ideve dhe punës reformatore të Presidentit të SAI-t ukrainas, z. Valeriy Patskan.

xx

Marrëveshja me SAI-n e Ukrainës është e 17-a marrëveshje me SAI-t evropiane simotra që KLSH nënshkruan gjatë viteve 2012-2018. Kemi zgjedhur qasjen e partneritetit të hapur dhe bashkëpunimit konkret e reciprok me institucionet e zhvilluara të auditimit suprem evropian, ndër të cilat veçoj realizimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me NIK-un polak, me SAI-n e Kroacisë dhe me Gjykatën e Auditimit të Austrisë, etj.,  duke i shërbyer institucionit të rrisë kapacitetet dhe dijet e audituesve, si dhe të masë rezultatet e punës së tij, nëpërmjet procesit të “peer review (rishikim mes kolegëve)”.