Kreu i KLSH, Dr. Bujar Leskaj, merr pjesë në punimet e konferencës shkencore të organizuar nga zyra shtetërore e Kuvajtit

514
Zhvilloi punimet Konferenca e Përbashkët Shkencore organizuar nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Kuvajtit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit
Në datat 09-11.04.2018, në qytetin e Kuvajtit, zhvilloi punimet Konferenca Shkencore e përbashkët mes KLSH dhe Byrosë së Auditimit Shtetëror të Kuvajtit, ku morën pjesë Zyra e Auditimit Shtetëror të Polonisë Najwyższa Izba Kontroli (NIK) , Zyra Kombëtare e Auditimit/National Audit Office të Kosovës, Banka Qendrore Kuvajtiane, Koorporata Kuvajtiane e Naftës dhe Autoriteti Publik i Sigurimeve Shoqërore Kuvajtiane. Fokusi i kësaj konference ishte: “Auditimi me Bazë Riskun”.
Në ditën e saj të hapjes, konferencën e përshëndetën Kryetarët e SAI-eve organizatore, z. Adel Abdulaziz Al-Sarawi për palën kuvajtiane dhe z. Bujar Leskaj për atë shqiptare. Të dy titullarët e vunë theksin tek bashkëpunimi i ndërsjellë nën frymën e INTOSAI-t: “Nga eksperienca e përbashkët përfitojmë të gjithë”, si edhe tek domosdoshmëria për të aplikuar qasje e metodologji të reja audituese, siç është auditimi me bazë riskun, jo vetëm sepse kështu institucionet e auditimit suprem i përshtaten më mirë kërkesave të kohës dhe standarteve ndërkombëtare audituese, por edhe sepse duke e orientuar punën audituese në çështje që shqetësojnë realisht taksapaguesit, vlera e shtuar e auditimit publik rritet edhe më shumë në dobi të të gjitha palëve, duke realizuar kështu misionin tonë si shërbestarë të mirë të qytetarëve. Më pas, punimet e ditës së parë u fokusuan në prezantimin e artikujve shkencorë, që adresonin specifikisht “Auditimin me bazë riskun”. SAI kuvajtian prezantoi punën e bërë në hartimin e një drafti metodologjik institucional për kalimin nga auditimi me bazë sistemin në atë me bazë risku. Sfidat që paraqiti ky punim rezononin me sfidat që ndeshin aktualisht edhe SAI-et e Shqipërisë, Kosovës e Polonisë. Prezantimi pasues i SAI-t shqiptar u fokusua në riskun ligjor, ku drejtori i Departamentit Juridik në KLSH, z. Ermal Yzeiraj, shtjelloi në detaje risqet juridike institucionale dhe rrugët e mundshme për t’i menaxhuar ato. SAI i Kosovës solli eksperiencën e tij në auditimin me bazë riskun, duke prezantuar letrat e punës që identifikojnë, vlerësojnë dhe agregojnë risqet audituese përmes një matrice përmbledhëse. SAI polak u fokusua në prezantimin e procedurave që ndiqen në fazën e planifikimit strategjik dhe operacional për të përfshirë faktorët e riskut, si përcaktues të gjithë punës audituese që vjen më pas. Punimet e ditës së parë u mbyllën nga një prezantim tejet interesant i Koorporatës Kuvajtiane të Naftës, që solli në vëmendje të të pranishmëve se si menaxhohet risku organizacional nga një industri gjigande, siç është ajo e naftës në Kuvajt. Punimet e ditës së dytë të konferencës u hapën nga z, Rinald Muça, drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH, i cili në prezantimin e tij adresoi aplikimin e hartave konjitive si instrumenta kyç në kuptimin e mjedisit auditues dhe identifikimin e risqeve gjatë fazës studimore të një auditimi performance. Më pas, z. Ilir Salihu i SAI-t të Kosovës prezantoi risqet me të cilat ndeshet aktualisht Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe se si aplikimi i Kornizës së Matjes së Performancës (PMF) mund të ndihmojë në menaxhimin eficient e efektiv të tyre. Dy prezantime që u ndoqën me shumë kërshëri nga të pranishmit ishin ato të Bankës Qendrore Kuvajtiane dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Të dyja këto institucione dëshmuan se si një menaxhim i mirë dhe proaktiv i risqeve rezulton me suficite të njëpasnjëshme të rezultateve financiare vjetore për ato vetë dhe institucionet që mbikqyrin. Pjesa e fundit e konferencës u fokusua në menaxhimin e “Big Data”, ku znj. Aulona Jonuzi, kryeaudituese në KLSH, solli eksperiencën institucionale dhe sfidat që paraqet kjo fushë e re dhe me potencial të madh eksplorativ e menaxherial. Në ditën e fundit, konferenca u mbyll me prezantimin e SAI-t kuvajtian për projektin që po zhvillohet nga ata mbi përpunimin e Indikatorëve Kyç të Performancës, si edhe përmbledhjen e konkluzioneve e rekomandimeve të Konferencës që mund t’i shërbejnë pjesëmarrësve në punën e tyre të ardhshme audituese. Punimeve të kësaj konference i bëri jehonë edhe televizioni shtetëror kuvajtian, ku dy përfaqësues nga SAI-et organizatore, z. Rinald Muça për palën shqiptare dhe znj. Eman Al Huwaidi për atë kuvajtiane, dhanë një intervistë live në emisionin “Hala Kuwait”. Gjatë emisionit, përveç çështjeve audituese, z. Muça u ndal në fjalën e tij edhe në potencialin e madh që mbart Shqipëria si vend me burime natyrore e njerëzore të pasura e të rralla, të cilat mund të shfrytëzohen mjaft mirë për investime apo vizita turistike nga miqtë kuvajtianë. Gjatë zhvillimit të kësaj konference u realizuan edhe takime të tjera të nivelit të lartë midis palës shqiptare dhe institucioneve kryesore kuvajtiane. Kështu, z. Bujar Leskaj, sëbashku me kolegët e tjerë pjesëmarrës u prit nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit z. Marzouq Ali Al-Ghanim dhe Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financën. Gjatë takimit me z. Al-Ghanim u shpreh mirënjohja e ndërsjellë për ndihmën dhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe popujve tanë, rëndësia e auditimit të jashtëm publik si ruajtës dhe garantues i transparencës dhe llogaridhënies, si edhe zhvillimi e forcimi i marrëdhënieve bilaterale mes Shqipërisë e Kuvajtit.
Në takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Ekonomisë, biseda u ndal në rolin që KLSH-të kanë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe vendimeve të ekzekutivit e legjislativit. U diskutua se si zgjidhen mosmarrëveshjet në rastet e konkluzioneve të cilat nuk pranohen nga subjektet e audituara, apo si mund të përdoren auditimet e performancës për t’i bërë më informative e të dobishme aktivitetet e punës audituese.
Vizitat zyrtare të pjesëmarrësve dhe punimet e konferencës u ndoqën dhe asistuan edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt, SHTZ Saimir Bala, i cili shprehu gatishmërinë dhe interesin maksimal për të rritur impaktin e vizitës së grupit përfaqësues të KLSH-së në këtë vend mik e dashamirës.
PS: shpenzimet e akomodimit të grupit shqiptar në këtë Konferencë të përbashkët, u paguan nga pala kuvajtiane.
Sigal