Kreu i ILDKPKI-së, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Bujar Nishanit

554
Sigal

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar presidentin Bujar Nishanin. 4 gjyqtarë të Kushtetueses (Besnik Imeraj, Fatos Lulo, Fatmir Hoxha dhe  Sokol Berberi) votuan për mosshqyrtimin e kërkesës së kreut të shtetit në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit mbi shkarkimin e Zana Xhuka nga posti i Inspektores së Përgjithshme të ILDKP dhe votimin në këtë detyrë të Shkëlqim Ganajn. Gjytraqri i 5 e ka konsideruar mungesë të juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese trajtimin e një çështjeje të tillë.  Në këtë kuadër, duke qenë se 5 nga 9 anëtarët e trupit gjykues janë shprehur kundër trajtimit të ankimimit të depozituar nga Kreu i Shtetit, kërkesa e tij është refuzuar. Presidenti pretendoi zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ndërkohë që Kuvendi në qëndrimin e tij ka parashtruar se votimi i shkurtit për shkarkimin e Xhukës synoi zgjidhjen e një situate të krijuar. Sipas vendimit të  Gjykatës Kushteuese, në kushtet kur gjatë votimit të çështjes votat u ndanë në mënyrë që asnjë përfundim i çështjes nuk arriti të votohej nga shumica e kërkuar, gjykata vlerëson se kërkesa duhet refuzuar. “Në referim të nenit 74 të ligjit organik, refuzimi i kërkesës për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të votave, nuk përbën pengesë që kërkuesi të riparaqesë kërkesën, në rast se krijohen kushte për formimin e shumicës së kërkuar”, shkruhet në vendimin e Kushtetueses. Gjithashtu  theksohet se kompetenca, të cilën Presidenti i Republikës pretendon se është cenuar dhe për të cilën ka iniciuar këtë gjykim, nuk është kompetencë kushtetuese, sepse në asnjë normë të Kushtetutës nuk parashikohet, as shprehimisht, por as në mënyrë të nënkuptuar, kompetenca e Presidentit për propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së.