Kreu i AKU, Bakaj: “Nga 20-31 dhjetor, çdo sekondë në çdo treg me kontroll të imët”

516
Në çdo fund-viti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) “zbret” totalisht si strukturë në treg që nga drejtori i Përgjithshëm e deri tek inspektori i thjeshtë, për të ushtruar kontrolle. Në fund të vitit, pra në prag të festave, AKU përforcon kontrollin ushqimor në dogana e pika kufitare, në prefektura, rrethe, qytete e zona ka një specifik dhe profil tjetër, ndryshe nga veprimtaria që ky shërbim shtetëror (AKU) kryen ditët e tjera të vitit. Theksojmë faktin, që gjatë gjithë vitit strukturat e AKU, ushtrojnë detyrën në përputhje me ligjin, strategjinë dhe platformën ditore, javore, mujore e stinore sipas problematikave që janë dhe ndeshin gjatë inspektimeve e kontakteve me konsumatorin, tregtarët, prodhuesin dhe institucionet ligj-zbatuese që kanë lidhje me kontrollin ushqimor. Por fund-viti, për vetë fluksin e produkteve që vërshojnë në treg, krijon e dikton për AKU një ngarkesë të madhe si përgjegjësi, si volum e llojshmëri produktesh, si “vigjilencë” ndaj tendencave për abuzime me sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve. Ky fluks tregu produktesh ushqimore, kërkon volum kontrollesh jo të zakonte, por të imëta, të detajuara, të përqendruare në çdo treg, individ tregtimi e njësi prodhimi ushqimore, pikë kufitare, pikë importi e magazinë doganore që funksionon në qarqe dhe zona të ndryshme të vendit. Nisur prej përgjegjësisë që AKU ka në këtë fund viti të “ngarkuar” me festa të shumta, veçanërisht Viti i Ri, Drejtori i Përgjithshëm i AKU të Shqipërisë zoti Afrim Bakaj zhvilloi një takim të posaçëm me drejtuesit e AKU të qarqeve, me drejtuesit dhe specialistët e AKU në qendër, me këshilltarë të AKU dhe specialistë e ekspertë të tjerë të ushqimit, ku prezantoi platformën “Kontrolli në 20 ditët e fund vitit”, bërë në mbështetje, vlerësim dhe zbatim të porosive të veçanta e specifike lidhur me kontrollin e plotë e të imët për sigurinë ushqimore në tregje, dhënë prej Kryeministrit Edi Rama dhe prej Ministrit të Bujqësisë e Ushqimit Prof. Edmond Panariti. Në takim, kreu i AKU të Shqipërisë Afrim Bakaj, la detyra konkrete, specifike për çdo AKU Qarku, sidomos për zonat ku tregjet kanë shtrirje të madhe zonale dhe pika kalimi kufitar e tregje publike masive si Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Kukësi, Dibra, Vlora, Fieri, Berati e Lezha, por edhe qytete e qendra banimi të cilat kanë tregje tradicionale zonale të cilët aktivizohen më dendur në këtë fund-viti. Gazeta “Telegraf”, prezente në këtë takim, lidhur me strategjinë dhe masat e marra për kontrollet ushqimore në këtë fund-viti, mori prononcime nga zoti Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i AKU të Shqipërisë, nga zonja Alma Shehu, Përgjegjëse e Sektorit të Kontrollit Ushqimor me Origjinë Joshtazore në AKU-n e Shqipërisë dhe nga disa drejtorë të AKU të qarqeve Frederik Çuko (Fier), Zenun Bullari (Elbasan), Besim Brahimi (Gjirokastër), Lavdosh Zejneli (Kukës). Me vlerësim të veçantë për kontributin e dhënë si drejtues dhe shkencëtar në lidhje me sigurinë ushqimore, ndërgjegjësimin dhe standardizimin e tregjeve, po publikojmë së pari, prononcimin e Ministrit të Bujqësisë e Ushqimit, Prof. Edmond Panariti 
—————————-
Flet Prof. Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit: 
Ngarkesën e tregjeve në festat e fund-vitit, AKU po ë përballon me kontroll të imët dhe efikas
Që nga sot, janë 10 ditët e fund-vitit, ditë me tregje aktive, potencialisht të ngarkuar me sasi e llojshmëri, me fluks tregjesh e tregtarësh, me konsumatorë masiv që lëvizin nga tregjet e mëdha drejt tregjeve të vogla e anasjelltas, brenda e me importe nga jashtë Shqipërisë. Jemi përballë një volumi të madh pune e natyrisht përballë një përgjegjësie të madhe. Si ministri, po e mbështesim AKU me masa konkrete. Prej nesh si ministri, po bëhen inspektime në tregje e në prodhim, sidomos prej AKU nga qendra në zona e cila ka detyrë kontrollin e tregjeve ushqimore të çfarëdo natyre, specifike, strukture e lloji produkti. Dua të theksoj faktin, që situata e kontrollit dhe e sigurisë ushqimore është në përmirësim të qëndrueshëm. Por, ajo që duhet mbajtur parasysh dhe që realisht drejtuesit e AKU e kanë tregues qëndrimi e pune, është platforma e garantimit të sigurisë ushqimore në këtë fund-viti festash. Pra, ngarkesa e tregjeve deri më 31 dhjetor 2015, kërkon nga AKU kontroll të imët, efikas, të pa tolerueshëm, me qëllim që në asnjë treg të mos tregtohet as 1 copë, as 1 litër dhe as 1 kg produkt me rrezik për jetën dhe shëndetin e popullatës. Nga informacionet që kam dhe nga vrojtimet që kam bërë këto ditë në treg, konstatoj se AKU po e përmbush këtë detyrim administrativ dhe përgjegjësi ligjore. Duhet përmendur edhe ky fakt: Shqipëria në vitin 2015, për herë të parë ka ngushtuar ndjeshëm raportin negativ midis importeve dhe eksporteve bujqësore nga 1:7, në 1: 4,8 dhe ky tregues është arritje e jashtëzakonshme. AKU dhe ne si ministri së bashku në veprim, kontrollojmë rigorozisht të gjitha prodhimet bujqësore të cilat importohen nga vende që janë jashtë BE, ku dhe rreziku është më i madh, për shkak të mungesës së sistemit të gjurmimit të origjinës. Rrjeti prej 9 laboratorësh të kontrollit ushqimor rajonal (dhuratë e BE) është garanti i kontrollit të treguesve të cilësisë dhe të sigurisë të ushqimit.
———————————————— 
Flet Afrim Bakaj, drejtor i Përgjithshëm i AKU të Shqipërisë: 
Ngarkesë, kontroll e bilanc punësh në këtë fund-viti në tregjet e gjithë Shqipërisë
Jemi përfshirë tashmë në punët e fundit të vitit, i cili është tepër i ngarkuar me veprimtari tregtare e për rrjedhojë kërkon kontroll me kapacitet të plotë në burime njerëzore, në profesionalizëm, në përgjegjshmëri, në ndershmëri në bashkëpunimin me institucionet e pushtetit e të qeverisjes lokale, me bazë tatimet, dogant, policinë dhe ndryshe nga vitet e tjera, këtë fund-vitit kemi kërkuar e kemi gjetur edhe bashkëpunimin me krimin ekonomik në çdo qark të vendit. Nisur prej faktit që në këtë fund-viti ngarkesa jonë është më e madhe, dje dhashë urdhër të tërhiqen inspektorët që po shërbejnë pranë tatimeve, mbasi i nevojiten AKU për të përballuar kontrollet eU, kam bërë edhe planin e veprimit për fund-vitin, për kontrolle në terren. Ditën e hënë, fillon aksioni në të gjithë Shqipërinë dhe ditën e martë, nis aksioni për kontrollin e mjaltit. Duam të ndërgjegjësojmë konsumatorin, të mos blej produkte të cilat rrezikojnë jetën e tyre. Nuk flas për fruta-perime, sepse ato ato janë më pak të rrezikuara, por flasim për ushqime të tjera si mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij, të cilat shiten edhe në rrugë. Absolutisht, duhet t’i abandonojnë këto produkte rruge. Në këtë aspekt, do të jetë vizioni ynë për festat e fund-vitit Më 15 nëntor 2015, filluam aksionin për kontrollin e miellrave, të cilat sjellin probleme kancerogjene tek njeriu. Dhe nga 15 nëntori e deri më 15 dhjetor, bëmë aksionin dhe të gjitha analizat që çuam në institut, të cilat dolën normale në përdorimin e tyre. Janë aditivët, të cilët përdoren në këto fabrika sallami, por në momentin që përdoren më shumë seç duhet, ato sjellin pasoja në shëndetin e njeriut. Nga kontrolli që i bëmë të gjitha këtyre sallamerive, nga 72 që ishin, kontrolluam rreth 20 me korrektesë në të gjitha përqindjet e këtyre përbërësve. Ka një problem shumë të madh këtu, që duhet theksuar: Në planin vjetor që mbaruam dje, u dorëzua programi i punës për vitin 2016. flasim për produktet e mishit. A duhen kontrolluar? Natyrisht që po, por kontrollin mbi bagëtitë e ka detyrim shërbimi i kontrollit veterinar e jo AKU. Ne si AKU bëjmë vetëm bashkëpunim përsa i përket produktit paraprak që del prej tyre, pra ne merremi me kontrollin mbi produktet e therura. Problemi i shitjeve në rrugë, ka lidhje me faktin që tregjet akoma nuk janë formalizuar, sepse mungon legjislacioni përkatës. Tregjet duhet të miratohen nga AKU-ja, siç miratohet një biznes ashtu të miratohen edhe tregjet.

Sigal

——————— 

Flet Alma Shehu, Përgjegjëse e Sektorit të Kontrollit të Ushqimeve Joshtazore në AKU
Kontrollet e AKU janë në “pikun” e tyre, asnjë tolerancë përballë tregut abuziv
Konsumatorët shqiptarë duhet të jenë të qartë e të bindur për një fakt: me mbështetjen e plotë të drejtorit të Përgjithshëm Afrim Bakaj, AKU në gjithë strukturën e saj në qendër e në qarqe, gjendet këto ditë të fund-vitit me kontroll aktiv në tregjet ushqimore, në prodhim, në kufi e dogana, në tregjet e hapura, në dyqane e magazina, duke vrojtuar çdo produkt që hidhet në treg e që blihet nga konsumatori. Janë ditë me ngarkesë pune për AKU dhe kjo ngarkesë po përballohet me sukses nga sektori ynë i produkteve ushqimore me origjinë jo shtazore. Mbështetur në udhëzimet dhe platformën e AKU, sektori ynë ka detajuar sektorët e tregjeve e të prodhimeve ku duhet pasur kujdes. Dhe këto po e realizojmë përditë në terren me inspektorët në qendër, por edhe në prej shërbimeve të AKU në qarqe, drejtuesit e të cilëve na kanë ofruar një bashkëveprim efiçent, ashtu siç edhe prej nesh, kanë pasur mbështetje të plotë dhe duke përfituar nga rasti përshëndes mbështetjen e plotë që na ka dhënë në punën tonë Ministria e Bujqësisë dhe personalisht ministri, Prof. Edmond Panariti. 
—————————————————————–
AKU ka nën kontroll të plotë, të 23 mijë subjektet që tregtojnë produkte ushqimore
Në Shqipëri sot operojnë 21 mijë e 320 subjekte që merren drejtpërdrejt me ushqimin e që kontrollohen nga 286 inspektorë. Mendoj se numri i tyre nuk është i mjaftueshëm, por ata bëjnë një punë shumë të madhe, pasi arrijnë t’i kontrollojnë. Subjektet “bare dhe restorante” ne i kontrollojmë 1 herë në vit sepse janë me risk të ulët. Ndërsa stabilimentet apo marketet e mëdha, që janë me risk të lartë i kontrollojmë më shpesh. Stabilimentet e peshkut i kontrollojmë një herë në muaj, ndërsa super-marketet i bëjmë 2 ose 4 herë në vit. Ne kemi arritur të bëjmë edhe një plan vjetor se kur do t’u shkojmë operatorëve ushqimorë për kontroll. Çdo sektor planifikon sesa herë do t’i shkojë një stabilimenti, një dyqani apo një subjekti tjetër ushqimor.
—————————————————————————
Qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe kanë nisur të bashkëpunojnë me AKU

Ka një tregues tjetër problemi i sigurisë në tregje, ose më saktë rilindja e tregut ushqimor. Pothuajse çdo ditë kemi afro 150 denoncime që bëhen nga qytetarët në numrin e telefonit, me letra dhe në adresën elektronike, por edhe në telefonat e inspektorëve të cilët këto ditë është menduar të publikohen nëpër tregje e mjedise publike, si mundësi komunikimi e shpejt me qytetarët për të bashkëpunuar në luftën kundër abuzimeve në tregjet ushqimore. Është në zbatim, një program i veçantë ku drejtoritë rajonale në qarqe dhe sektorët përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme, bëjnë inspektime për verifikime konkrete për denoncimet që na vijnë dhe duhet thënë se 40% të suksesit tonë si AKU në luftën kundër tregjeve e rasteve abuzive në tregje e kemi siguruara nga denoncimet që na kanë dërguar qytetarët. 
—————————- 
Flet Zenun Bullari, kreu i AKU-Elbasan: Kontrollin mbi tregun e kemi vendosur në bashkëpunim me institucionet lokale
Në këtë fund-viti sidomos, kur tregjet janë të tej-mbushur me produkte ushqimore e konsumatorë, vëmendja jonë është përqendruar në kontrollin efikas nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e pushtetit lokal vlen të theksohet, bashkëpunimi me pushtetin lokal në qytetin e Elbasanit dhe në bashkitë e tjera, të cilët kanë mbështetur me investime, ndërgjegjësim e veprim kontrollues platformën e AKU të Shqipërisë dhe të Drejtorisë Rajonale të AKU në Elbasan, për ndërtim dhe funksionim tregjesh me standarde të plota sigurie, sidomos për tregjet ushqimore periodike “tradicionale” (pazaret) në zonat rurale. Ky fund viti, prej AKU Elbasan po shoqërohet me kontroll të plotë e të përforcuar. Këtë kontroll po bashkëveprojmë me institucionet e pushtetit dhe qeverisjes lokale në nivel qarku, prefekture e bashkie, ku kryesor është bashkëpunimi efiçent me policinë, krimin ekonomik, tatimet, doganat, shëndetin publik etj. 
————————————— 
Flet Frederik Çuko, Drejtor i AKU-Fier: Edhe në këtë fund-viti, kontrollet po i bëjmë sipas ligjit dhe strategjisë së re
Po u deklaroj, se ashtu si gjatë gjithë vitit edhe në këtë fund-viti, ne si AKU e qarkut Fier, po i bëjmë kontrollet në tregjet dhe qendrat e prodhimit ushqimor po i bëjmë sipas ligjit dhe strategjisë së përcaktuar prej AKU të Shqipërisë. Fund-viti në qarkun Fier ka një treg të super-ngarkuar, ka fluks blerësish, ka shtim tregtarësh të cilët mbahen nën kontroll të plotë. Edhe këto ditë dhjetori 2015, konsumatorët e Qarkut Fier po gjejnë rregull në tregje, siguri ushqimesh. Kur inspektorët e AKU konstatojnë abuzime, ndëshkojnë ashpër, me objeksion zbatimin e ligjit ushqimor për sigurinë, skadencën, manipulimin e origjinës dhe përbërjes, cilësinë dhe higjienën e produkteve. Brenda 1887 kilometrave katrorë të zonave Fier, Lushnjë, Roskovec, Patos, Ballsh e qindra qendra të tjera banimi skajore deri në kufi me Tepelenën, Vlorën, Kavajën e Beratin, në këtë fund viti 2015 po tregtohen mijëra ton produkte ushqimore që konsumohen nga afro 400 mijë banorë të Qarkut Fier dhe nga mijëra tregtarë e konsumatorë të tjerë, të cilët përditë janë pjesë aktive e tregut të këtij qarku. Kujtojmë, që në territorin e Qarkut Fier operojnë rreth 2500 subjekte prodhuese, importuese dhe tregtuese të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe jo shtazore dhe tregtimit të farërave, plehrave dhe imputeve bujqësore. 
—————————————————————-
Flet Besim Brahimi, Drejtori i AKU-Gjirokastër: Ky fund-viti, kontroll të imët për gjithçka 
Ky fund-viti në qarkun e Gjirokastrës po shoqërohet prej AKU me këtë vendim: Kontroll i imët për gjithçka që lidhet me sigurinë ushqimore. Veprimtari e AKU të qarkut Gjirokastër në këto 10 ditë të mbetura të dhjetorit 2015 e që janë të shoqëruara me festa masive, është prezent vetëm në tregjet Gjirokastër, Tepelenë e Përmet, por edhe në qytete e zona, në akset rrugore e madje edhe tregjet zonale publike e të hapur (ish-pazaret tradicionalë). Tregu në rajonin Gjirokastër, ka marrë pamje tregu me tregues kulturën, higjienën e lartë, sigurinë e produkteve, zbatimin e ligjit prej subjekteve, futjen e tregut në njësi moderne tregtimi e shërbimi ushqimor. AKU në Gjirokastër, në bashkëveprim me pushtetin lokal dhe institucionet e tjera të sigurisë së shëndetit. Rëndësi për ne, ka një objektiv: të garantojmë sigurinë ushqimore në tregjet e këtyre ditëve të ngarkuara me volum produktesh e konsumatorësh.
—————————– 
Flet Lavdosh Zejneli, Drejtor i AKU-Kukës: Tregun e ngarkuar e kemi në kontroll të plotë
Edhe këtë fund-viti 2015, Kukësi është kthyer në “portë” kryesore kufitare të futjes dhe kalimit nëpër Shqipëri të produkteve ushqimore të konsumit masiv. Këtë ngarkesë produktesh që futen në tregun e qarkut dhe qarkullojnë nëpërmjet tij, ne si AKU po e menaxhojmë me shumë kujdes, duke e mbajtur tregun në kontroll të plotë. Në këtë fund viti, në zbatim të strategjisë së re të AKU të Shqipërisë, AKU e Qarkut Kukës është hedhur në veprim me aktivitet efiçent, pa asnjë tolerancë, duke kontrolluar fizikisht e laboratorikisht çdo gramë, çdo mililitër e çdo copë produkti që futet në treg, që kalon brenda tregut dhe territorit shqiptar, apo që del nga tregu dhe territori shqiptar. Gjithë produkteve ushqimore që këto ditë dhjetori po hyjnë në pikën e kalimit kufitar e doganor, u bëhet kontroll i imët duke nxjerr nga tregu produktet e pa sigurta dhe “ilegale”. Një kujtesë kam për ata që do të tentojnë të abuzojnë në treg: Do të ndëshkohen sipas ligjit, me gjoba e me referime për procedime penale si subjektet që abuzojnë edhe bashkëpunëtorët e tyre që janë pjesë e abuzimit me tentativa për të prodhuar, importuar, eksportuar e tregtuar produkte ushqimore të pa sigurta dhe pa dokumentacion sipas ligjit në fuqi. 


Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015