Kreshnik Çollaku: Po ndryshon qasja e SHBA ndaj Ballkanit, ritmin amerikan duhet ta ndjekë BE dhe Brukseli

Çollaku: Po ndryshon qasja e SHBA ndaj Ballkanit

Kreshnik Çollaku, drejtues i Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, u shpreh se deklarimi i zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee është një qëndrim i rëndësishëm që reflekton një ndryshim në qasjen e SHBA në Ballkan. “Është e vështirë të bëj një përcaktim të saktë nëse është efekt i emërimeve të reja të administratës Trump në Departamentin e Shtetit apo është një rezultat i nervozitetit nga situata në Ballkan. Por një gjë e konstatoj qartë, ka një ashpërsim sjelljeje në trajtimin e moçalit të korruptuar e kriminal të politikës ballkanike për SHBA dhe ky është lajm i mirë për qytetarët e këtyre vendeve dhe forcat demokratike”, u shpreh Çollaku për “Telegraf”. Sipas tij, deklarata e zotit Yee është veçse në vazhdën e një linje të qartë të ashpër të administratës Trump lidhur me këto fenomene. “Zoti Yee apeloi hapur dhe pa asnjë ekuivok një embargo evropiane për politikanë të korruptuar dhe me lidhje kriminale të Ballkanit. Qeveria shqiptare sot fatkeqësisht përbën shembull tipik të këtij fenomeni. SHBA kanë vendosur të flasin hapur dhe të sillen ashpër. Ky është një lajm i mirë për Ballkanin. SHBA, si dhe herë të tjera, duket se janë njohës të mirë të fenomeneve ballkanike dhe për këtë dhe kanë ofruar zgjidhjet më praktike dhe afatgjata. Sigurisht kjo sjellje është një sfidë edhe për burokracinë e Brukselit, një nxitje për një qasje të unifikuar perëndimore për rrezikun që i kanoset Ballkanit përmes politikës së korruptuar dhe inkriminuar”, tha zyrtari i opozitës. Për Çollakun, ishte i pritshëm deklarimi i z.Yee, kur shefi i tij, vetëm disa javë më parë, ndihmëssekretari i Shtetit, Uess Mitchell, ka bërë një pohim edhe më të rëndë. “Ai ka deklaruar se në Ballkan, krimi dhe korrupsioni kanë krijuar shtete hibride dhe kjo cenon sigurinë kombëtare të SHBA-së. Lidhja është logjike. Në Shqipëri, krimi dhe korrupsioni shtetëror ka filluar ndërlidhjet me aktivitete terroriste. Lajmi se mafia shqiptare me mbulesë shtetërore ka garantuar trafikimin e opiumit, heroinës afgane, për në Evropë, dhe siç dihet opiumi afgan është një ndër ekonomitë më të rëndësishme të financimit të organizatave terroriste (Al Qaeda, Isis) është një nga provat se alarmi amerikan për Ballkanin është real dhe situata e rëndë”, nënvizoi Çollaku. Sipas tij, amerikanët më shumë se kushdo tjetër e njohin këtë ndërlidhje dhe rreziqet globale që ai sjell. “Unë besoj se për rajonin tonë vëmendja dhe ndërhyrja e SHBA-së në këtë sfidë jo të lehtë është jetike dhe përcaktuese. Shtetet e korruptuara, shoqëritë e brishta ballkanike e kanë të pamundur luftën dhe fitoren ndaj një rreziku madhor siç është mafia dhe terrorizmi në simbiozë mes tyre. Unë jam shpresëplotë se SHBA do t’i gjendet në krah shqiptarëve në këtë përpjekje. Shpresoj shumë qe ritmin dhe qartësinë e SHBA-së ta ndjekë dhe Brukseli dhe BE. Shtetet e korruptuara, shoqëritë e brishta ballkanike e kanë të pamundur luftën dhe fitoren ndaj një rreziku madhor, siç është mafia dhe terrorizmi në simbiozë mes tyre. Unë jam shpresëplotë se SHBA do t’i gjendet në krah shqiptarëve në këtë përpjekje. Shpresoj shumë që ritmin dhe qartësinë e SHBA ta ndjekë dhe Brukseli dhe BE”, u shpreh Kreshnik Çollaku.