Sigal

Ali Bregu

Shqipërisë

Shqipëri. moj halleshumë
Kurrë s’t’u sosën kusuret,
Krijove parti për lumë
Që s’dinë të lidhin ushkuret .

Gjuhës shqipe

Dy në tre, fjalë të huaja
Përdor Biku mendjeftujë .
Shqipe moj, t’u bëftë xhaja ,
Të mbytën si peshk në ujë.

Studentëve

Mbasi të kalojnë festat
Nëse braktisni protestat,
Do t’ju thonë, e ka të ngjarë,
Katranjozë e shpellarë.

Kompozitorit

Kur do na japësh bre burrë
Veç një këngë gjeniale,
Pa nota – plagjiature,
Të tërën origjinale?!

Këngëtarit

Teksti i këngës-kryevepër
Ndërmjet tingujsh valë – valë,
Dhe i përqendruar tepër,
S’të mora vesh asnjë fjalë.

Valltarit

Edhe vallja ka teknika,
T’i shtrish këmbët për ngahera
Andej nga t’i do muzika,
Jo andej nga t’i flak era.

Medias televizive

Ekranet ju tej e mbanë,
Plotpërplot e përngaherë,
Mbushi me politikanë,
Me hajdutë ordinerë!