Krahina e Shpiragut, historia që u skalit në pllaka mermeri

680

BERAT/ Kjo zonë numëron 73 dëshmorë, 700 shtëpi të djegura dhe 400 partizanë që luftuan për çlirimin e vendit

Krahina e Shpiragut ndryshe quhet edhe “Ballkoni i Beratit” që ndër vite ruan historinë e luftës Nacional Çlirimtare. Kjo krahinë nuk njihet vetëm për kulturën e mikpritjen, por njihet edhe për historinë e luftës, e cila është skalitur në pllakat e mermerit. Historia e LANÇ-it, e krahinës së Shpiragut është e skalitur në pllakat e mermerit të vendosura në një kolonë që përshkon rrugën nacionale të krahinës, duke iu përgjigjur hapësirave të relievit gjeografik të çdo fshati. Le të jetë një mbrojtje dhe transmetim bazë për brezat e rinj, për ngjarjet historike të kësaj krahine me 12 fshatra. Banorët e kësaj zone kanë se ç’të flasin për ngjarjet, gjatë luftës Antifashiste. Veteranët shprehen se, në krahinën e Shpiragut mbizotëronte një situatë e shëndoshë patriotike atdhetare, një situatë solidariteti. “Këtë lavdi e heroizëm banorët e kësaj krahine e shprehën gjatë operacioneve që ndërmori armiku për të kaluar në zonën e Shpiragut, Mallakastrës, Tepelenës e gjetkë”, është shprehur veterani Orhan Frashëri. Sipas dëshmive të veteranëve, mësohet se, regjimenti këmbësor italian dhe një batalion kalorësish, të mbështetur nga aviacioni italian dhe artileria e kalas Beratit e pësuan keq sepse fashistët italian lanë të vrarë 155 veta, përveç një numri të plagosurish si dhe materiale luftarake. Këtu italianët dështuan me turp të madh. Qëndresa dhe heroizmi i banorëve të Shpiragut bëri që të fitohej beteja e parë. Kjo ishte dhe prova e parë me një armik shumë herë më të madh dhe me armatime të fuqishme. Beteja e parë ishte ajo e Palikështit. Madje, ajo ishte dhe si provë e forcës së vullnetit, guximit dhe trimërisë për partizanët e dy çetave të kësaj zone që luftuan për lirin e çlirimin e atdheut.

Flet Xhezmi Malaj

Sipas shefit të propagandës së Organizatës së Veteranëve të Beratit, Xhezmi Malaj, mësohet se 70 për qind e ngjarjeve historike të rrethit të Beratit i takojnë kësaj treve. “Konkretisht në këtë trevë kanë vepruar çeta partizane e Shpiragut, çeta partizane e Malit të Bardhë, ku më pas u formua batalioni “Shpiragu” dhe batalioni “Mali i Bardhë”. Është për t’u theksuar se kjo krahinë i ka dhënë luftës Antifashiste Nacionale Çlirimtare 73 dëshmor në luftë për çlirimin e vendit. U radhitën 400 partizanë. Vetëm në Brigadën e Vll-të morën pjesë 300 partizanë. Ranë në lulen e rinisë 73 djem e vajza dhe gjatë luftimeve u dogjën në shenjë hakmarrje 700 shtëpi të kësaj krahine”, tha Malaj.

Luftimet

Ndërsa sipas veteranëve të kësaj zonë bëhet e ditur për gazetën se luftimet më të ashpra janë zhvilluar në fshatin Palikësht, Gjoroven, Velabisht, Starovë e më pas në qafën e Sinjës tek Gjurma e Mushkës. Jehona e këtyre betejave përshkroi jo vetëm krahinën e Shpiragut, por më tej duke kaluar kufijtë e atdheut, si një luftë e përgjakshme dhe me karakter popullor dhe të drejtë.