KQZ mbush “kutitë” e dekriminalizmit me persona që i prek ligji, i lejon të kandidojnë e drejtojnë

639
Arjan ZADRIMA

Klientelizëm që duhet ndalur për të mos rimbushur parlamentin dhe bashkitë me individë të lidhur me krimin
– Lista e dekriminalizimit, do të zgjerohet edhe me të emëruarit në poste të larta nëpër bashki e njësi administrative
Ndërkohë që KQZ është e detyruar me Kushtetutë, të shërbejë si “filtri”, që me ligj duhet të mbledhë vetë-deklarimet, të verifikojë, të zbulojë dhe të seleksionojë të zgjedhurit në parlament e në pushtetin lokal, të cilët janë të “damkosur” me ndëshkime që i kanë vetë-deklaruar ose jo, ky institucion kushtetues po e shkel hapur këtë detyrim kushtetues. Me një vendim, KQZ ka lejuar të kalojnë në “postbllokun” e “Veting”-ut, individë që duhet të mos kalojnë më. Këtë skandal të rëndë, KQZ e ka mbajtur publikisht e zyrtarisht, duke vepruar me dy standarde. Një listë emërore e publikuar prej KQZ, njofton publikisht, se nuk preken nga ligji i dekriminalizimit, disa të zgjedhur në kuvend e në pushtetin lokal, të cilët kanë vetë-deklaruar, se janë me “cen” ligjor penal e administrative, pra të dënuar ose që nuk i kanë vetë-deklaruar këto “njolla”, por që faktikisht janë objekt i ligjit të dekriminalizmit edhe për mos deklarim të dënimeve që kanë marrë brenda e jashtë Shqipërisë! Çfarë po ndodh? A po monitorohet veprimtaria verifikuese e vendimmarrëse e KQZ nga institucionet e tjera shtetërore shqiptare? Po nga ndërkombëtarët, që kanë “desantuar” në Shqipëri dhe që prej më se 1 viti po na mbajnë leksione dekriminalizimi? Kush e lejon KQZ, të veprojë si “Vetë Ali e vetë Kadi”? Cilëve u intereson, që të zgjedhurit që nuk duhet të jenë më në parlament dhe në pushtetin lokal aktual e të ardhshëm, të mbeten brenda këtyre institucioneve e në krye të tyre?! Çdo të thotë KQZ, me arsyetimin, se disa “tipa” subjekt i dënimeve për vepra e shkelje të ndryshme, nuk kanë bërë deklarime veprash penale në vetë-deklarimet e tyre?! Po KQZ, përse nuk verifikon këto vetë-deklarime, gjersa e ka këtë detyrë Kushtetuese?! Si është e mundur që KQZ, për disa deputetë, kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë, hapi letrat dhe u hoqi mandatet me urgjencë, duke i nxjerrë nga parlamenti dhe bashkitë, ndërsa për të tjerë nuk hap letrat, por i mbyll ato në “kutitë” e klientelizmit dhe përse? Nuk e dimë, nëse kreu i KQZ, Denar Biba është shkëputur apo jo nga praktikat e tij “akrobatike” kur ishte kryetar i gjykimit të ankesave të tenderëve në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP) në Agjencinë e Prokurimeve Publike, prej nga u përzu për ca “denoncime biznesesh”, por dimë faktin, që të njëjtën praktikë po e manifeston edhe në (mos)zbatimin e ligjit për “CV”-të e të zgjedhurve në çdo nivel pushteti vendor e legjislativ, duke bërë selektime, që patjetër duhet të detyrojnë institucionet kontrolluese e ligj-zbatuese, që të kalojnë në filtër edhe këtë vendim të firmosur e të shpallur zyrtarisht prej tij. 
Lista e dekriminalizimit, do të zgjerohet edhe me të emëruarit në poste të larta nëpër bashki
Lista e dekriminalizimit me sa duket do të zgjerohet edhe me disa drejtues të tjerë të emëruar nga Kryebashkiakët apo deputetë e inkriminuar që figurojnë në listat e qarqeve të mëdha dhe kryesisht në Elbasan, Lezhë dhe Fier. Burime konfidenciale bëjnë me dije, se një Nënkryetar i Bashkisë në Qarkun e Elbasanit ( Peqin-Belsh) dhe që i përket një nga njësive administrative të saj është pjesë e Vetting-ut dhe rezulton i lidhur me krimin dhe aktet kriminale dhe që i përket koalicionit të partive të vogla, pjesëtare të Rilindjes. Kësaj Liste nuk i shmangen as drejtorët e bashkive, ku një drejtues i Qarkut të Durrësit figuron i listuar me problem në Spanjë, Itali dhe Greqi. Gjithsesi burimet bëjnë më dije, se dosjet janë gati dhe shumë shpejt do i bëhen të njohura publikut shqiptar . 
Dekriminalizimi, këta janë 19 deputetët dhe 11 kryebashkiakët që janë me probleme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se 19 nga 140 deputetë dhe 11 kryebashkiakë kanë të dhëna dhe shënime në verifikimet e gjendjes gjyqësore. Sipas KQZ, 121 deputetë të tjerë janë të pastër, duke përfshirë këtu edhe ministrat. Nëpërmjet një deklarate për mediat KQZ i është përgjigjur edhe prokurorisë duke thënë, se institucioni po zbaton vetëm ligjin. Deputeti Armando Prenga rezulton i njohur për policinë italiane dhe me 7 emra të ndryshëm, Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Gjoni Don, Arjan Ndoci, Arjan Ndoc, Arjan Noci, Mondi Prenga.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të komunikimeve publike për të ofruar transparencë mbi zbatimin e ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit, informon opinionin publik se; Nga 140 deputetë: 121 prej tyre nuk kanë asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetë-deklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore; 19 prej tyre kanë të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetë-deklarimit apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore. 50 prej tyre nuk kanë asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetë-deklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore; 11 prej tyre kanë plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetë-deklarimit apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore. Nga 19 anëtarë të Këshillit të Ministrave që nuk janë deputetë, nuk ka asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetë-deklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;

Këshillat bashkiakë
KQZ ka verifikuar 1595 anëtarë të këshillave bashkiakë që kanë dorëzuar formularët e vetë-deklarimit në KQZ. (Të dhënat për këshilltarët janë bërë tashmë publike në mbledhjet e KQZ-së)

I. Nga shqyrtimi i dokumentacionit (formularë vetë-deklarimi, vërtetime të gjendjes gjyqësore, dokumentacion dorëzuar nga vetë subjektet) funksionarët publikë, Alban Zeneli, Andrea Marto, Arben Ristani, Armando Prenga, Adem Lala, Agron Kapllanaj, Artur Bardhi, Edi Paloka, Edmond Themelko, Fatmir Mehdiu, Parid Cara, Spartak Braho, Tom Doshi, Tërmet Peçi, Vladimir Kosta dhe Ylli Shehu kanë shënime në formularët e vetë-deklarimit, por nuk janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.

II. Gjithashtu, nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se deputetët Armando Prenga, Asllan Dogjani, Andrea Marto, Florion Mima dhe kryebashkiakët Artur Bardhi, Adem Lala, Ndrec Dedaj, Zef Hila, nuk kanë shënuar asgjë në rubrikat e formularit të vetë-deklarimit por, sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore rezulton se kanë dënime me vendim të formës së prerë, fillim të procedimit penal apo shqyrtime nga gjykatat shqiptare, për vepra penale, të cilat nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të funksionit.

Ja ç’përcakton Kushtetuta për procesin e dekriminalizimit
III. Referuar nenit 45/3 i Kushtetutës dhe nenit 2 të ligjit 138/2015, përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar: me burgim; me vendim të formës së prerë; për një krim; kur janë vërtetuar të 3 këto elemente, në mënyrë kumulative. Ligji nr.138/2015 (i dekriminalizimit) është kujdesur në vijim të detajojë dispozitat përkatëse kushtetuese, duke sanksionuar një listë të mbyllur krimesh e duke përjashtuar veprat e tjera penale (rrjedhimisht edhe kundërvajtjet penale). Mbështetur mbi këtë bazë të qartë kushtetuese e ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se, funksionarët publikë kanë detyrimin të deklarojnë të dhëna për dënime me burgim me vendim të formës së prerë për veprime apo mosveprime brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë, të cilat konsiderohen “krime” dhe jo dënimet me gjobë, në kuptim të Kodit Penal të RSh. Bazuar në nenin 11 të ligjit të “dekriminalizimit”, KQZ duhet të bëjë kallëzim penal për ata funksionarë që nuk kanë deklaruar dënime vetëm për ato krime, të cilat përbëjnë shkak për përfundimin e ushtrimit të funksionit. Në zbatim të nenit 11 dhe 2 të ligjit 138/2015, për funksionarët e sipërcituar, të dhënat e pa deklaruara nuk përbëjnë shkak për ndalim të ushtrimit të funksionit apo për kallzim penal.

IV. Përsa iu përket funksionarëve publikë, deputetët: Artan Gaçi, Asllan Dogjani, Blendi Klosi, Florian Mima, Luan Rama, Mhill Fufi, Pjerin Ndreu dhe kryebashkiakët: Ndrec Dedaj, Xhelal Mziu, Zef Hila që rezultojnë se, me vendim të formës së prerë, janë shpallur të pafajshëm ose çështja është pushuar nga organet kompetente shqiptare, KQZ konstaton, se nuk janë subjekt i ndalimit sipas ligjit.

V. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon gjithashtu se, 12 funksionarë publikë, 7 deputetë: Arben Ristani, Artan Gaçi, Spartak Braho, Sali Berisha, Vladimir Kosta, Xhemal Qefalia, Ylli Shehu dhe 5 kryetarë bashkie: Artur Bardhi, Adriatik Zotkaj, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Tërmet Peçi, kanë depozituar në KQZ kërkesë për plotësim të të dhënave në formularët e vetë-deklarimit, ndonëse pas përfundimit të afatit të parashikuar nga neni 15, pika 2, e ligjit. Kërkesat e tyre për plotësimin e të dhënave kanë qenë ose për ndryshim gjenealitetesh ose për të dhëna mbi dënime me gjobë për shpifje, armëmbajtje pa leje, fyerje etj. Vetëm 1 kërkesë për plotësim, është bërë për dënim me burg (45 ditë), për kalim të paligjshëm kufiri në vitin 1990.
Sigal