Kozma Gjini/ Zyra e Hipotekës, ku mos pafsh as hasmin!

706
Sigal

“Hallin nuk ma zgjidhi, por të paktën më priti mirë (!)”. Ka mbetur në fondin folklorik të humorit kjo marrëdhënie e qytetarit me administratën që në kohën e monizmit. Sigurisht e papranueshme dhe anakronike. Po sot, si janë raportet bazë-administratë? Edhe pse rrugët e komunikimit të bazës me qendrën janë të shumta, korrespondenca verbale merr një rëndësi të posaçme. Prandaj kurdoherë i rritet vlera shprehjes “Fjalët i merr era, kurse e shkruara mbetet”. Nëse dje…një korrespondencë, sapo merrej nga organi përkatës shqyrtohej me urgjencë e i kthehej përgjigje me gjithë seriozitetin e duhur qytetarit, (pa plotësuar 45 ditët), sot, një hall a shqetësim qytetar drejtuar një institucioni shtetëror, jo vetëm nuk vlerësohet sa duhet, por as që njoftohet qytetari për fatin e saj. Që t’i përgjigjesh me korrektësi një ankese a kërkese të një qytetari, qoftë ai edhe në fshatin më të largët kufitar, duhet që të funksionojnë mekanizmat verifikues, dokumentet përkatëse, dëshmitë, ballafaqimi fizik, transparenca e paanshmëria e të cilave, të kënaqë në përgjigje vetëm drejtësinë, ligjin. Por, që të verifikohet ndershmëria e drejtësia e një ankese qytetare apo që të zgjidhet ajo, kërkon kohën e duhur dhe nëpunësin e duhur i cili të mbajë përgjegjësi të plotë mbi saktësinë e përgjigjes, pa rënë në konformizëm. Të shumta janë sot ankesat që i drejtohen organeve qendrore, në një kohë që atyre duhet t’ua kishin zgjidhur problemin dikasteret përgjegjëse (baza, qarqet e bashkitë e institucionet e tyre). Burokracia e bazës, paaftësia verifikuese e saj, neglizhenca apo nënvleftësimi i ankesave, ka bërë që të agravohet ankesa dhe qytetarit i humbet besimi te drejtuesi i bazës duke i mbetur si e vetmja alternativë: T’i drejtohet Kryeministrit, Presidentit apo Gjykatës së Lartë. Verifikimet bëhen me telefonata, pa e shkelur vetë bazën, pa e parë me sy ankuesin, pa e ballafaquar ankesën e tij me faktorë e subjekte reale “konfliktuale”. Por është skandaloze që qytetari të sorollatet dhe organet përkatëse të vazhdojnë punën akoma me praktika anakronike, nga zyrtarë të papërgjegjshëm.

Pesë vjet, për të hipotekuar shtëpinë

Prej mbi 5 vjetësh, qytetari Bashkim Sulçe, nga Kolonja e Lushnjës nuk bën dot hipotekimin e shtëpisë së vet. Dhe pse? Për burokraci dhe diletantizëm zyrtarësh të hipotekës së qytetit. Për këtë gjë qytetari ruan dokumentacion e fatura të paguara dhe përgjigjet e ankesave të organeve, por këto janë vetëm letra pa vlerë. E vetmja kërkesë e tij është se ka 5 vjet që kërkon të hipotekojë shtëpinë e tij. Një paradoks i kohës sonë. Të jesh në shtëpinë tënde prej disa dhjetra vjetësh dhe të mos e kesh tënden? Më 13.02.2010 ka aplikuar duke paguar edhe 15 mijë lekë. Nëpunësi i hipotekës e ka përcjellë me fjalët se çertifikatën do t’ia sjellin në shtëpi. Priti një vit, dy, tri, por asgjë. Erdhën zgjedhjet 2013. Priti jo 45 ditë, por 145 ditë. Dhe përgjigja? Zero. Atëhere trokiti sërish në hekurat e hipotekës: “Duhet edhe një dokument nga gjykata që të vërtetojë se je pronar i shtëpisë”, i thanë. Ua çoi këtë dokument, që mban datën 23.02.1994, ku gjykata e Lushnjës vërtetonte se banesa ishte pronë e tij. Prit e s’ka. Përsëri shkon në hipotekë. “Mos u mërzit se do ta dërgojmë me postë në shtëpi”. Priti e priti, por sërish asgjë. Çfarë kishte ndodhur? Gjithçka e bërë prej tij që nga viti 2010, deri më 2015, “nuk figuronte” në hipotekë. Dhe pëfundimisht e përcollën: “Dosje me emrin Bashkim Sulçe nuk ndodhet në hipotekë”. Çfarë mund të bënte qytetari në këto kushte? Atëhere ai, i drejtua Ministrisë së Drejtësisë (më dt. 17.03.2015), ku i ankohej për sorollatjen 5 vjeçare dhe i kërkonte që të verifikoheshin dokumentat e ai të pajisej me çertifikatë pronësie.
“Ministria e Drejtësisë. Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik dhe Inspektimit të Çështjeve të Drejtësisë”…, me nr. prot. 86/1, dt. 25.03.2015 ia delegon ankesën Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme, Lushnjë, ku i kërkonte që mbështetur në ligjin nr 33 dt 21.03.2012 “Për regjistrimin e Pasurisë së Paluajtshme si dhe VKM nr. 751, dt 02.11.2012, “Për Përcaktimin e rregullave të hollësishme për procedurën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë me institucionet e tjera shtetërore…”, që të trajtojë, informojë e sqarojë subjektin, (Bashkim Sulçen) mbi pretendimet e ngritura në ankesën e tij, (nisur kësaj ministrie më dt.17.03.2015), për mospajisjen me çertifikatë pronësie. Sekretari Përgjithshëm, Ll. M”

Po cila është përgjigja që ZVRPP Lushnjë i dërgon ministrisë?

Ja: “Për dijeni: Ministrisë së Drejtësisë. (Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit…Adresa: Zogu I Tiranë). Në zbatim të ligjit 33/2012, dt 21.03.2012, “Për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme….” me objekt trajtimin dhe informimin lidhur me problematikën e paraqitur sipas shkresës të Kristaq N., (!?) ju njoftojmë se: Nga verifikimet e deritanishme, pranë ZVRPP Lushnjë, në zbatim të udhëzimit nr 5341/5, dt 7.9.2012 për miratimin e tarifave të shërbimit të zyrave… “nuk rezulton të ketë aplikim në lidhje me regjistrimin apo kërkesë për informacion për pasurinë përkatëse të shoqëruar me dokumentacionin tekniko-ligjor i cili të vërtetojë këtë procedurë ligjore nga shtetasi Kristaq N… (!) .Duke ju falenderuar për mirëkuptimin! Regjistruesi…. Lushnjë më 09.04.2015”. Kjo është situata dhe korrespondenca që baza i drejtonte qendrës, i nderuar lexues i “Telegraf”. Jo vetëm që mohon katërcipërisht para organit epror dokumentacionin, i cili ka zënë pluhur në hipotekë, por i ndërrojnë edhe gjeneralitetet.Lind pyetja: Çfarë bëri Ministria e Drejtësisë pas kësaj “lajthitheje” të korrespondencës fiktive të bazës? E futi në dosjen përkatëse dhe e mbylli praktikën. Pavarësisht se ankuesi ishte Bashkim Sulçe dhe jo Kristaq N.

Maratona e letrave, te krerët më të lartë të shtetit

Po qytetari, çfarë do të bëjë tani? Me siguri do t’i shkruajë kryeministrisë apo presidencës, duke pritur që një ditë, ndoshta kur të ketë ndërruar jetë, t’i vijë përgjigja se shtëpia e tij u hipotekua. Në kushtet e reja ekonomiko shoqërore dhe mundësitë e krijuara për verifikimin e korrespondencës me popullin, lypset ndërgjegje e lartë, përgjegjshmëri maksimale, durim e këmbëngulje, për ta zgjidhur shqetësimin mbi baza ligjore dhe qytetari të largohet i bindur nga përgjigja e zyrtarit. Burokracia në korrespondencë, fodullëku dhe megalomania zyrtare, e brejnë përbrenda shtetin dhe qytetari bëhet pesimist e i humbet besimi te drejtësia… Nëpunësi i çdo rangu qoftë, edhe ai më i thjeshti, është përfaqësuesi i shtetit dhe jo vetëm nuk duhet kurrsesi të nxitohet apo të abuzojë me detyrën që i është besuar, por t’i ngrihet në këmbë me respekt ankuesit, sapo ai shkel në zyrën e shtetit dhe ta sqarojë me durim deri sa ai të jetë i bindur nëse ka të drejtë apo jo.