Kozma Gjini: Shkrimtarët kundër thirrjes së Ministrisë

629
Sigal

Konkurset e ministrisë së Kulturës janë fiktive, të paragjykuara, të pa orientuara ku fituesit shpallen para garës

Ja pse shkrimtarët nuk ju përgjigjën thirrjes së Ministrisë

Kozma GJINI

Ministria e Kulturës, në muajin maj të këtij viti, shpalli në faqen e saj: “Hapet Thirrja për “Mbështetjen e Krijimtarisë letrare për fëmijë”, për vitin 2019”

Kuptohet se qëllimi ishte progresiv, në mbështetje të krijimtarisë artistike, për të mbushur vakumin e letërsisë për fëmijë. Në Thirrje bëhej e qartë se pjesëmarrësit duhej t’i dorëzonin librat dhe kërkesat e dosjes brenda datës 8 korrik. Për fituesit do të kishte 6 çmime me nga 150 000 lekë secili. Pra, na thirrët dhe aq sa e morën vesh, u përgjigjën. Kërkesa juaj ishte që dosja jonë të vinte në Ministri përmes shtëpive botuese. Na morët dhe nr. e telefonit dhe një ditë shpallët fituesit me anën e një videoje postuar në faqen e ministrisë së Kulturës. Bukur. Këtu doja të qëndroja pak:

Në konkurs morën pjesë 26 autorë të vendit, një nga të cilët edhe autori i këtij shkrimi, me librin me tregime “Skënderbeu dhe djali i Muzakajve”, redaktuar nga Pandeli Koçi dhe recensues Bardhyl Xhama. Jam pjesëmarrës në vëllime me tregime dhe i vlerësuar. Si unë, morën pjesë 26 autorë në shkallë vendi, kur dihet që Shqipëria ka me qindra shkrimtarë. A e besoni ju se shumica e shkrimtarëve, nuk e dinë se qenka zhvilluar një konkurs letrar nga Ministria? Nëse po, atëherë, pse s’iu përgjigjën Thirrjes së Ministrisë? Në faqen tuaj publikuat vetëm videon e fituesve të takimin final dhe i thirrët fituesit në ministri. Ok. Prandaj them, se njoftimi duhej bërë në shtypin e ditës. Duhet ta dini, se vetëm dy gazeta janë ato që i mbajnë gjallë artistikisht dhe shpirtërisht shkrimtarët sot: “Pena shqiptare” e gazetës “Telegraf” dhe “Nacional”. Po të bëhej këtu njoftimi juaj, do të shikonit se sa shumë shkrimtarë do të ishin pjesëmarrës në konkurs, në interes të qëllimit dashamirës që ju keni për letërsinë.

Tjetër: Ju ia keni dhënë tërë kompetencat shtëpive botuese. Pra, ato të përfaqësonin autorët. Cili është qëllimi? Nuk u besoni shkrimtarëve? Po përmbajtjen e librave që është thelbësore dhe vlerën, si ua besoni? Kjo Thirrje kishte edhe një juri. Duke qenë se librat ishin të hapura, që në faqen e parë anëtari i jurisë e merr vesh se me cilin autor ka të bëjë. Ja subjektivizmi! Ky është defekti kryesor që e kompromenton Thirrjen. Mendoj që juria të operonte përmes kodeve dhe jo me emrat e autorëve. Pra, juria nuk duhet të kishte asnjë informacion, verbal ose jo, lidhur me autorin e librit që po lexon. Por kjo do të niste që me kërkesën tuaj, ku të theksohej që, autorët të mos e shkruanin emrin në libër. Të operohej vetëm me shifra. Dhe juria le të mbahej sekrete, doemos. Kjo do të ishte e reja e këtij konkursi, nëse duam të themi, se jemi të paanshëm dhe transparent në vlerësim. Tamam siç bënë gjimnazisti kur konkurron e aplikon për në universitet. Kush e mori vesh se ju shpërblyet 6 fitues shkrimtarë? Mos vallë mbeti e kënaqur Ministria me paraqitjen e 26 autorëve? Apo kështu e kishit më të lehtë punën?

Zonja ministre, Institucioni juaj vitet e fundit ka sponsorizuar disa vëllime përmbledhëse me tregime për fëmijë dhe të rritur. Shumë mirë, por një vëllim në 5 vjet është pak. Nisur nga fakti që nxënësit vuajnë nga përzgjedhja e letërsisë, mendoj që:

  1. Me pjesë të zgjedhura nga librat e pjesëmarrësve në “Thirrje…”, të mund të bëhej një vëllim përmbledhës dhe të sponsorizohej nga Ministria e më pas, t’u shpërndahej bibliotekave të shkollave e qyteteve, pse jo edhe për tregun. Kjo do t’i lehtësonte mësuesit për orët letrare.
  2. Meqenëse ju i keni librat e 26 autorëve në ministrinë e Kulturës dhe nisur nga fakti që ato kanë kaluar në filtrin e jurisë së Ministrisë për vlerat artistike, mësimore dhe edukative, sugjeroj që ato të botohen nga autorët dhe t’i propozohet Ministrisë së Arsimit që të futen në qarkullim për bibliotekat e shkollave. E marrtë e mira, si do t’ua edukojmë dashurinë për librin nxënësve, kur libri nuk u shkon atje tek jetojnë ata?! Kulturë është, nuk është drogë.
  3. Mendoj se edhe finalizimit të Thirrjes, e cila në tërësi duhet përshëndetur, duhet t’i kishit kushtuar më tepër rëndësi. Pra, është fjala që si pjesëmarrës në auditor, të ishin të 26 personat që iu përgjigjën thirrjes. Ky do të ishte jo vetëm një kthim respekti, por në një farë mënyre, edhe “Bordi i qytetarëve” të interesuar për drejtësi, pra, kontrolli i komunitetit të shkrimtarëve mbi administratën.

Thirrja drejtuar shkrimtarëve