Kosova, Katalonja, fantazma jugosllave dhe e drejta ndërkombëtare

908
Dr. Erjon Muharremaj
Zv. Dekan
Fakulteti i Drejtësisë Universiteti i Tiranës
Zhvillimet e fundit pas referendumit të Katalonjës kanë rindezur pretendimet serbe mbi Kosovën dhe janë shoqëruar nga një aksion diplomatik i orkestruar për të vendosur shenja barazie midis të dy rasteve. Menjëherë pas referendumit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç thirri ministrat dhe shefat e sigurisë për bisedime, pasi zëdhënësi i Komisionit Evropian theksoi se nuk mund të bëhen krahasime midis Spanjës dhe Serbisë dhe se pavarësia e Kosovës ndodhi në një kontekst shumë specifik. Gjatë takimit të hënën me homologun e tij grek Prokopis Pavlopulos, presidenti Vuçiç u shpreh i “habitur” se si ishte e mundur që referendumi i Katalonjës të konsiderohej i paligjshëm, ndërsa pavarësia e Kosovës, jo. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç akuzoi shtetet që kanë njohur Kosovën për standarde të dyfishtë, duke refuzuar njohjen e Katalonjës, por duke pranuar atë të Kosovës. Nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, të dy rastet janë krejtësisht të ndryshëm dhe vendosja e shenjës së barazisë midis tyre është në rastin më të mirë interpretim i shtrembëruar i së drejtës ndërkombëtare, për të mbuluar arsyet e vërteta të këtij qëndrimi. Referendumi i së dielës në Katalonjë u argumentua nga autoritetet vendore si ushtrim si së drejtës për vetëvendosje. E drejta e vetëvendosjes përfshin dy aspekte, aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Aspekti i brendshëm i vetëvendosjes përfshin të drejtën e popujve për të zgjidhur vetë çështjet e tyre të brendshme, të zgjedhin organizimin e tyre politik dhe të drejtën për të votuar mbi vendimet që kanë të bëjnë me ta, brenda institucioneve të shtetit, me fjalë të tjera, të drejtën për autonomi të brendshme. Ndërsa aspekti i jashtëm i vetëvendosjes nënkupton të drejtën e popujve për të dalë si një entitet i veçantë shtetëror në kuadrin e komunitetit ndërkombëtar, i dallueshëm nga entitetet e tjerë dhe i aftë të hyjë në marrëdhënie me ta, të drejtën për t’u shkëputur nga autoriteti politik dhe kushtetues i një shteti me synim daljen e një shteti të ri në arenën ndërkombëtare, me fjalë të tjera, të drejtën për shkëputje, për pavarësi të jashtme. Në një shtet federal, shkëputja paraqitet në formën e daljes nga federata të një njësie territoriale, si një entitet i pavarur. Ky është një akt juridik, po aq sa edhe politik. Në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore, parimi i vetëvendosjes u njoh fillimisht në Kartën e OKB, si i domosdoshëm për zhvillimin e marrëdhënieve paqësore dhe miqësore midis shteteve. Përgjatë viteve 50’ dhe në fillim të viteve 60’ mbizotëronte pikëpamja e përgjithshme se e drejta e vetëvendosjes u rezervohej ekskluzivisht vetëm popujve që jetonin nën zgjedhën koloniale dhe kjo u përforcua akoma më tepër edhe nga Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB 1514 (XV) dhe 1541 (XV). Në rezolutën e parë përcaktohej shprehimisht se: “Të gjithë popujt gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes; bazuar në këtë të drejtë, ata zgjedhin lirisht statusin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.” Në lidhje me këtë çështje, e drejta ndërkombëtare ndoqi shembullin e politikës, e cila solli në arenën ndërkombëtare mbi njëqind shtete të rinj. Me marrjen hov të procesit të shkolonizimit dhe rritjen e vëmendjes ndaj të drejtave të njeriut, neni 1 i njëjtë i dy Pakteve kryesorë ndërkombëtarë të vitit 1966, Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe Paktit për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, përfaqësonte një hap të madh përpara, drejt njohjes së vetëvendosjes si një e drejtë civile dhe politike, po ashtu edhe si një e drejtë ekonomike, sociale dhe kulturore, e të gjithë popujve. Përcaktimi i vetëvendosjes si një parim juridik në të drejtën ndërkombëtare u forcua më tej nga Deklarata mbi Marrëdhëniet Miqësore, e vitit 1970. Ky dokument është më konkret se pararendësit e tij dhe e zgjeron fushën e veprimit të parimit edhe ndaj popujve “[n]ën një varësi, sundim dhe shfrytëzim të huaj […]” dhe në mënyrë të qartë shprehet se një qeveri sovrane duhet të përfaqësojë: “[t]ë gjithë popullin e një territori të caktuar, pa dallim race, besimi apo ngjyre.” Në të përcaktohet shprehimisht se: “Në sajë të parimit të të drejtave të barabarta dhe të drejtës për vetëvendosje të popujve, të mishëruar në Kartën e OBK-së, të gjithë popujt kanë të drejtën për të përcaktuar lirisht, pa ndërhyrje të jashtme, statusin e tyre politik dhe të ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor, dhe çdo shtet ka detyrimin për të respektuar këtë të drejtë, në përputhje me dispozitat e Kartës.” Në Rezolutën 2649 (XXV) të 30 Nëntorit 1970, Asambleja e Përgjithshme e OKB mori në konsideratë Rezolutën VIII të Konferencës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut (Teheran, 1968), theksoi rëndësinë e realizimit të përgjithshëm të së drejtës për vetëvendosje të popujve dhe dhënien e shpejtë të pavarësisë vendeve dhe popujve nën sundim kolonial duke garantuar në mënyrë efektive respektimin e të drejtave të njeriut. Duke shprehur shqetësimin e saj që shumë popujve u mohohej ende e drejta për vetëvendosje dhe që vazhdonin të ishin nën një sundim kolonial të huaj, Asambleja e Përgjithshme e konsideroi të nevojshme vazhdimin e punës për sigurimin dhe garantimin ndërkombëtar të respektimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Deklarata e Helsinkit e vitit 1975 shkon edhe më tej, duke deklaruar në Parimin VIII të saj që: “Në bazë të parimit të të drejtave të barabarta dhe të drejtës për vetëvendosje të popujve, të gjithë popujt kanë gjithmonë të drejtë, që në liri të plotë, kurdo dhe sido që ata dëshirojnë, të përcaktojne statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm, pa ndërhyrje nga jashtë, dhe të ndjekin siç dëshirojnë, zhvillimin e tyre politik, ekonomik, social dhe kulturor.” Një deklaratë e tillë do të konsiderohej si zbatim i parimit të vetëvendosjes përtej kontekstit kolonial, sikur të mos ishte angazhimi i prerë për ruajtjen e sovranitetit territorial dhe të kufijve ekzistues, të shpallur në të njëjtin dokument, në Parimet III dhe IV. Tendencat për shkëputje që mund të shfaqeshin si rezultat i parimit të vetëvendosjes morën vëmendjen e Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (KSBE, sot OSBE), përmes afirmimit të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve brenda shteteve ekzistuese. Gjatë takimit të KSBE në Kopenhagen, “Mbi dimensionin njerëzor”, disa nga shtetet anëtare propozuan që minoriteteve t’u garantohej e drejta për autonomi. Kjo nuk u pranua dhe kështu dispozitat e pjesës IV të dokumentit të Kopenhagenit mbeten shumë të moderuara. Kjo vërehet edhe në njohjen në mënyrë të shprehur që shtetet pjesëmarrëse, do të veprojnë në çdo kohë, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinkit: “në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe me normat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ato që kanë të bëjnë me integritetin territorial të shteteve. Shtetet pjesëmarrëse konfirmojnë angazhimin e tyre në mënyre rigoroze dhe efektive për të respektuar parimin e integritetit territorial të shteteve. Ato do të heqin dorë nga çdo lloj shkeljeje të këtij parimi dhe nga çdo veprim që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka për qëllim të cenojë integritetin territorial, pavarësinë politike ose unitetin e një shteti, në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, detyrimet që burojnë nga normat e tjera të së drejtës ndërkombëtare dhe dispozitat e Aktit Final [të Helsinkit]. Shtetet pjesëmarrëse nuk do të njohin si të ligjshëm asnjë veprim ose situatë që është në kundërshtim me këtë parim.” Gjithashtu, Karta e KSBE e Parisit, e vitit 1990, të drejtën për vetëvendosje kombëtare ia “nënshtron” në mënyrë efektive të drejtës për ruajtjen e integritetit territorial të shteteve ekzistuese. Në vitin 1993, Konferenca Botërore e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi Deklaratën e Vjenës dhe Programin e Veprimit, të cilat ripohuan përcaktimet e bëra në nenin 1 të dy Pakteve të vitit 1966, të përmendur më sipër. Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme të OKB me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Kombeve të Bashkuara, në 9 Nëntor 1995, gjithashtu vuri theksin mbi të drejtën për vetëvendosje, duke pohuar që shtetet anëtare të OKB-së do të:“Vazhdojnë të afirmojnë të drejtën për vetëvendosje të të gjithë popujve, duke marrë në konsideratë situatën e veçantë të popujve nën sundim kolonial ose nën forma varësie apo pushtimi të huaj dhe njohin të drejtën e popujve për të ndërmarrë veprime të ligjshme për të realizuar të drejtën e tyre të patjetërsueshme për vetëvendosje, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Kjo nuk duhet të konsiderohet si autorizim ose inkurajim i çdo veprimi që do të prekte apo cënonte, tërësisht ose pjesërisht, integritetin territorial ose unitetin politik të shteteve sovrane e të pavarura, që veprojnë duke respektuar parimin e të drejtave të barabarta dhe të drejtën e vetevendosjes së popujve, duke patur kështu një qeveri që përfaqëson të gjithë popullsinë e territorit të këtij shteti, pa asnjë dallim të çfarëdo lloji.” Edhe pse të gjithë këto dokumente u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB dhe nga KSBE, në formën e rezolutave dhe deklaratave dhe si “ligj i butë” nuk kanë fuqi detyruese në të drejtën ndërkombëtare, këto tregojnë qëndrimin mbizotërues në bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me parimin e vetëvendosjes. Sidoqoftë, ky parim ka kufizimet e tij. Ushtrimi i së drejtës për vetëvendosje, në mënyrë të pashmangshme bie ndesh me parimin e ruajtjes së integritetit territorial të shteteve, i afirmuar ky në mënyrë të prerë në të drejtën ndërkombëtare shumë kohë më parë se parimi i vetëvendosjes, dhe ç’është më e rëndësishme, bie ndesh me parimin uti possidetis (parimi i mos-ndryshimit të kufijve), parim që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konfirmuar në çështjen e kufijve midis Burkina Fasos dhe Malit. Madje edhe në tekstin e Deklaratës për Marrëdhënie Miqësore, këto kufizime shprehen qartë: “Asgjë në paragrafët e mësipërm nuk do të interpretohet si autorizim ose inkurajim i çdo veprimi që do të prekte apo cenonte, tërësisht ose pjesërisht, integritetin territorial ose unitetin politik të shteteve sovranë e të pavarur […]”. Praktika shtetërore ka qenë në vazhdimësi dhe në shumicën dërrmuese të rasteve në mbështetje të ruajtjes së sovranitetit territorial të shteteve. Që nga krijimi i OKB, rastet e pakta të shkëputjes të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare përfshijnë shkëputjen e Bangladeshit nga Pakistani, shkëputjen e Sudanit të Jugut dhe shkëputjen e Kosovës. Për shkak të paligjshmërisë së shkëputjes, bashkësia ndërkombëtare vazhdon t’i mohojë njohjen Republikës Turke të Qipros Veriore pas pushtimit të pjesës veriore të ishullit të Qipros në vitin 1974. Në të drejtën ndërkombëtare, e drejta për vetëvendosje nuk do të thotë automatikisht e drejtë për shkëputje. Po të ishte kështu, shtetet federale do të pushonin së ekzistuari. Në Opinionin Nr. 2 të tij, Komisioni i Arbitrazhit të Komunitetit Evropian për Jugosllavinë (Komisioni Badinter), deklaroi se: “Atje ku brenda një shteti, ekzistojnë një ose më shumë grupe në përbërje të një ose më shumë komuniteteve etnike, fetare, gjuhësore, ata kanë të drejtën e njohjes së identitetit [theksimi im] të tyre sipas të drejtës ndërkombëtare.” Komiteti ishte i mendimit se serbët e Bosnje-Hercegovinës dhe të Kroacisë duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat si minoritet dhe si grup etnik, sipas të Drejtës Ndërkombëtare. Opinionet e Komisionit Badinter u reflektuan edhe në “Udhëzimet e Komunitetit Evropian mbi njohjen e shteteve të rinj në Evropën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik” të 16 Dhjetorit 1991. Në çështjen“Referenca për shkëputjen e Kebekut (Quebec)” të vitit 1998, Gjykata e Lartë e Kanadasë i bëri një analizë të hollësishme parimit të së drejtës për vetëvendosje. Pasi studjoi me imtësi situatën reale të së drejtës për vetëvendosje në kudër të së drejtës ndërkombëtare, në vendimin e saj gjykata deklaroi se: “Në të drejtën ndërkombëtare, e drejta për shkëputje lind në zbatim të parimit të vetëvendosjes kur ‘një popull’ është në përbërje të një perandorie koloniale; ‘një popull’ është nën një varësi, sundim dhe shfrytëzim të huaj; si edhe ndoshta, kur ‘një populli’ i mohohet çdo ushtrim i të drejtës së tij për vetëvendosje brenda shtetit pjesë e të cilit është. Në rastet e tjerë, prej popujve pritet që të ushtrojnë të drejtën e vetëvendosjes brenda kuadrit të shtetit ku jetojnë [theksimi im]. Një shtet, qeveria e të cilit është përfaqësuese e të gjithë popullit apo popujve që jetojnë në territorin e tij, mbi bazën e barazisë dhe pa diskriminuar dhe që respekton parimin e vetëvendosjes në marrëdhëniet e tij të brendshme, gëzon të drejtën të ruajë sovranitetin e tij territorial sipas të drejtës ndërkombëtare dhe që ky sovranitet t’i njihet nga shtetet e tjerë.” Prandaj, gjykata i dha përgjigje negative kërkesës së Kebekut për shkëputje. Sigurisht, populli i Katalonjës nuk bën pjesë në asnjë prej këtyre tre kategorive, pasi nuk ndodhet nën një zgjedhë koloniale, as edhe nën ndonjë sundim apo shfrytëzim të huaj. Përkundrazi, në rastin e Katalonjës, popullsia e saj gëzon të gjitha të drejtat e një demokracie evropiane perëndimore, të garantuara nga Kushtetuta e Spanjës e vitit 1978. Në stadin e saj aktual, e drejta ndërkombëtare pranon që e drejta për vetëvendosje të ushtrohet nga popujt brenda kuadrit të shteteve sovrane ekzistuese, duke ruajtur kështu sovranitetin territorial të tyre. Kur kjo nuk është e mundur, në rrethana të jashtëzakonshme, mund të lindë e drejta për shkëputje, siç ishte rasti i Kosovës. Rasti i Kosovës përfshihet pa asnjë dyshim në kategorinë e tretë të përmendur më sipër në vendimin e Gjykatës së Lartë të Kanadasë për shkëputjen e Kebekut, vis-à-vis qeverisë serbe nën regjimin mizor të Millosheviçit. Me fjalë të tjera, e drejta për shkëputje i është njohur popullit të Kosovës në zbatim të parimit të vetëvendosjes, për shkak se atij i ishte mohuar çdo ushtrim i të drejtës së tij për vetëvendosje brenda shtetit pjesë e të cilit ishte. Sipas normave mbizotëruese të së drejtës ndërkombëtare, shqiptarëve të Kosovës u ishte mohuar e drejta për ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje të brendshme. Pretendimet e shqiptarëve të Kosovës u bazuan në parimin e vetëvendosjes, e për këtë hartuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008. Duke analizuar statusin e mëparshëm juridik të Kosovës nën juridiksionin jugosllav, edhe dispozitat e Kushtetutës së vitit 1974, relativisht më të favorshmet për shqiptarët e Kosovës, nuk iu garantonin atyre të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje. Rëndësia e tyre qëndronte në faktin se ato garantonin një kuadër ligjor në të cilin provincat autonome shiheshin si entitete gjysmë të pavarura, marrëdhëniet e të cilave me Federatën Jugosllave ishin të mbështetura në bashkëpunim dhe marrëveshje. Kur vendimet federale konsideroheshin si në kundërshtim me interesat e tyre, provincat autonome kishin të drejtë të barabartë me republikat, të drejtën e vetos. Megjithatë, ndërsa republikat përcaktoheshin si ‘shtete’, ku vetëm ‘kombet’ (narod) konsideroheshin si njësi shtet-formuese, një përcaktimin i tillë nuk iu ofrohej Provincave Autonome, ku ‘kombësitë’ (narodnost) mund të kishin vetëm Edhe pse dallimi midis ‘kombeve’ dhe ‘kombësive’ mund të mos jetë shumë i qartë në terminologjinë e së drejtës kushtetuese, doktrina komuniste theksonte ndryshimet midis këtyre dy termave për t’u mohuar ‘kombësive’ të drejtën për t’u shkëputur, e drejtë që do të mund t’u garantohej nëse ato do të lejoheshin të formonin republikat e tyre. Aq më tepër, kur ekzistonte një shtet tjetër i pavarur ku banonte një popull i të njëjtës kombësi. Rrjedhimisht, shqiptarët e Kosovës nuk do të gëzonin të drejtën për t’u shkëputur, aq më pak për t’iu bashkuar Shqipërisë. Megjithatë, nëse ky parim do të ishte zbatuar në mënyrë të njëjtë në të gjithë vendet e kampit socialist, atëherë popullatës rumanisht-folëse të Moldavisë nuk duhej t’i jepej statusi i republikës brenda Bashkimit Sovjetik, për shkak të ekzistencës së një shteti të pavarur rumun. Prandaj mund të arrihet në konkluzionin se forca e vërtetë shtytëse për mohimin e statusit të republikës për Kosovën në kuadrin e ish-Jugosllavisë nuk kanë qenë argumentet ligjorë, por ata politikë. Politika të tilla nuk kanë qenë gjë tjetër veçse vazhdim i politikave që Fuqitë e Mëdha kishin ndjekur ndaj popullit shqiptar gjatë përpjekjeve të tij shtetformuese. Vetë kryeministri britanik Sir Edward Grey u shpreh në vitin 1913 se mohimi i të drejtës së vetëvendosjes ndaj popullit shqiptar, duke vendosur aneksimin e trojeve të tij shteteve fqinje, i shërbeu një interesi më të lartë, ruajtjes së marrëvëshjes midis Fuqive të Mëdha për Ballkanin, duke sakrifikuar kështu aspiratatat e populli të tërë. Në lidhje me shkëputjen e Kosovës është shprehur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Opinionin Këshillimor të 22 korrikut 2010, mbi Përputhshmërinë me të Drejtën Ndërkombëtare të Deklaratës së Njëanshme të Pavarësisë së Kosovës. Për sa i përket referimit që iu bë më sipër vendimit të Gjykatës së Lartë të Kanadasë, për kategorizimin e popullit shqiptar të Kosovës si posedues i të drejtës për vetëvendosje, GJND theksoi se pyetja drejtuar kësaj të fundit është thelbësisht e ndryshme nga ajo drejtuar gjykatës kanadeze, ku kërkohej mendim nëse e drejta ndërkombëtare autorizonte Asamblenë Kombëtare, legjislatorin, apo qeverinë e Kebekut që të deklaronin shkëputjen nga Kanadaja në mënyrë të njëanshme. Sipas GJND, ndryshimi qëndronte në faktin se, ndërsa gjykata kanadeze u pyet rreth garantimit të së drejtës për shkëputje nga e drejta ndërkombëtare, Asambleja e Përgjithshme kishte pyetu, nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pa iu referuar të drejtës për shkëputje. Kështu që GJND argumentoi se kjo pyetje nuk i kërkonte asaj që të shprehej, nëse e drejta ndërkombëtare lejonte entitetet në brendësi të një shteti që të shkëputeshin prej tij. Mundet që një deklaratë e njëanshme pavarësie të mos jetë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që e drejta ndërkombëtare garanton ushtrimin e një të drejtë të tillë. Në rastin e Kosovës, populli shqiptar i saj gëzonte të drejtën të shkëputej, duke realizuar të drejtën për vetëvendosje të jashtme, përderisa i ishte mohuar edhe e drejta më minimale për vetëvendosje të brendshme dhe ku shtypja dhe terrori ishin të përditshëm, përfshirë helmimet masive të fëmijëve, që kulmuan me vrasjet masive të popullsisë civile në konfliktin e vitit 1999. Kushtetuta serbe e vitit 1990 abrogoi fuqitë ligjore të Asamblesë së Kosovës. 
– Vijon nesër –
Sigal