Korsia e bicikletave në rrugën e plazhit dhe shtyllat 5 mijë euro si të Dubrovnikut

600
Sigal

Ndërtuesit “Zakonisht një shtyllë ndriçimi shkon tek 2500 euro”, kur zakonisht çmimi i tyre nuk shkon më tepër se 2500 euro

Bashkia e Durrësit, ka kërkuar realizimin e një projekti bazuar mbi investimet nga buxheti i shtetit dhe nga ai i taksapaguesëve durrsakë, për të përcaktuar korsinë më vete për biçikletat dhe motoçikletat, pasi realisht ato ndjehen të kërcënuar nga aksidentet. Vetëm në 2 vitet e fundit në rrugën e plazhit kanë ndodhur 526 aksidente, ku viktima të plagosjeve dhe 47 vdekjeve kanë qenë posedues biçikletash dhe motoçikletash. Pavarësisht fajtorit, duket se Bashkia e Durrësit është e vendosur të shikojë mundësinë e zvoglimit të gjerësisë së aksit rrugor, që natyrisht u ndërtua brënda parametrave teknikë dhe që ka kushtuar miliona lekë nga taksapaguesit shqiptarë. Por, e veçanta e projektit të paraqitur nga dy arkitektët e përzgjedhur nga Bashkia, ishte fakti se shtyllat elektrike që do të zëvëndësojnë ato ekzistueset, janë marrë sipas modelit të parë në Dubrovnik. Fakt i habitshëm, por edhe një ëndërr e realizueshme pse jo. Duke marrë informacionin e sigurtë, se çdo shtyllë e tillë “dubrovniku” e paska koston e 5500 euro, befasohesh. Kjo pasi sipas atyre që kanë ndërtuar rrugët, bashkë me pajisjen e saj me shtylla ndriçimi, zakonisht çmimi i tyre nuk shkon më tepër se 2500 euro, por ja që shtyllat e ndriçimit, që deri sot janë ndërruar nja 3-4 herë në rrugën e plazhit, u dashkan të vendosen sipas modelit të parë në Dubrovnik dhe me çmim 2 herë më të shtrenjtë. Burimet bashkiake thanë, se idenë për zëvëndësimin e modelit të shtyllave në projekt e paska dhënë një qeveritar i lartë, i cili kur ka ardhur gjatë një fundjave në Durrës u paska sugjeruar drejtuesve lokalë, shtyllat që ai kishte parë në Dubrivnik. Kaq ishte dashur që projekti të ndryshonte bashkë me çmimin e çdo shtylle sipas modelit të ri. Lojra të tilla duken më tepër si makinacionet e aktorëve tek “Pallati Endërrave”, por që në realitetin e sotëm shqiptar është tallje me paratë e taksapaguesve. Realisht shtyllat e ndriçimit në aksin rrugor të plazhit, me një gjatësi 4.6 km, prej 8 vitesh janë ndërruar e zëvëndësuar nja 3-4 herë, kjo pasi aksidentet i dëmtojnë ato. Duket se kjo nuk ka vonuar të nxitojë bashkiakët e Durrësit, të kryejnë zëvendësimin e tyre, gjë e cila natyrisht kërkon goxha para. Kësaj here, Bashkia ka vendosur ta bëjë korsinë e biçikletave dhe zëvëndësimin e shtyllave me tender, duke shpresuar që qeveritari i lartë, të mos kërkojë tjetër herë ndonjë model të ri shtylle apo pllakë për shtrimin e bulevardit dhe trotuareve të Durrësit. Ndoshta, qindra shtylla të cilat do të kushtojnë miliona lekë mund të shërbenin fare mirë për të ndërtuar një shkollë të re në mënyrë që fëmijët të mos shkojnë në shkollë më dy turne duke na rikthyer kohën e prindërve të tyre që punonin me turne. Mund të ishte ndërtuar një qëndër shëndetësore, një klinikë stomatologjikë, të rregulloheshin kushtet e invalidëve, të shtëpisë të moshuar apo të rritej numri i atyre që marin përkrahje sociale. Nuk është e thënë që bashkia të investojë tek qytetarët dhe shtresat në nevojë, pasi tek këta grupime nuk fitohet gjë. Ndaj për të përfituar, rruga më e mirë është tenderi dhe këtë ka vendosur të bëjë bashkia e Durrësit, e cila veç të tjerave kujdeset që tenderat t’ i marin ata që u kanë vënë shkelmin në fyt socialistëve të Durrsit apoTiranës.

   

Por çfarë parashikohet në projekt?

Realizmi i korsive të biçikletave në rrugën ekzistuese të Plazhit, është një projekt i cili bëhet për të përmirësuar cilesinë e transportit të qëndrueshëm, rritjen e mundesisë për përzgjedhjen e transportit publik si dhe rritjen e cilësisë së jetesës nëpërmjet shtimit të hapësirave publike. Rikonceptimi i rrugës së plazhit duke zvogeluar brënda standarteve në fuqi dimenisonin e karrexhatës (në këtë mënyrë ulet dhe shpejtësia e lëvizjes së makinave, duke qenë se plazhi ka një intensitet të lartë të lëvizjes së këmbësorëve) e kjo siperfaqe e hequr nga rruga i ka kaluar në funksion vendosjes së korsisë së biçikletave në të dy anët e rrugës. Në këtë projekt janë trajtuar ujrat e bardha, gjelbërimi, ndriçimi rrugor, sinjalistikat horizontale e vertikale dhe shtresat rrugore janë projektuar sipas standarteve europiane. Objektiva e qëllimet e këtij projekti janë, promovimi i transportit urban të integruar, rikualifikimi i hapësirës urbane në nënkalime, rikompozimin e shesheve dhe ripërdorimin e tyre. Aksesi dhe organizimi i kalimit të këmbësorëve, administrimi me efektiv i territorit, krijimi i spoteve të integruara në hyrje te qytetit gjatë gjithë rrugës së plazhit e në fund të tij në nën kalimin e plepave por edhe nxitja e qytetarëve drejt nje transporti të qëndrueshëm, duke e kombinuar trasportin publik me atë biçikletave, mbrojtja e këmbësorëve dhe prioriteti i lëvizjes së tyre. Disa nga pritshmëritë pas zbatimit të projektit janë, shtimi i linjave te transportit publik dhe rritja e shërbimit ndaj qytetarëve, promovimi i lëvizjes së qëndrueshme nëpërmjet vendosjes së korsisë së biçikletave në projekt integrimi i përdorimit të transporteve te ndryshem, zëvëndësimi i infrastrukturës ekzistuese elektrike teknologji me konsum të ulët energjie, rreth 60% te konsumit të energjisë nga llampat e përdorura gjërësisht sot në zona të tjera te qytetit, si dhe ndërtimin e infrastrukturës gjelbër.