Korrupsioni në shëndetësi një krim kundër jetës

726
Nga Miltiadh M. MUÇI 

Korrupsioni në Shqipëri ka marrë hapa të pa mata, prandaj luftën ndaj tij ndërkombëtarët e kanë cilësuar si prioritet të pesë kushteve për hapjen e negociatave. Edhe pse flitet gjithnjë më shumë për kanabizimin e saj, ai është pjesë e pandarë e korrupsionit, ku sikurse po vërtetohet punonjës të strukturave të shtetit kanë qenë dhe mbeten bashkëpunëtorët më të ngushtë të grupeve kriminale që merren me prodhimin, kultivimin, trafikimin dhe shpërndarjen e kanabisit dhe jo vetëm. Korrupsioni i ka hedhur kthetrat e tij në drejtësi dhe administratë, në polici e ushtri, në arsim dhe shëndetësi për të cilat është folur dhe shkruar shpesh, por pak është luftuar, më saktë sikur është luftuar. Kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë për sa është shtrirë dhe do të vazhdojë në nivelet më të larta, nga përfaqësues të institucioneve legjislativë dhe ekzekutivë. Por objekt i shkrimit do të jetë korrupsioni në sistemin e shëndetësisë, të përjetuar me shëndetin e jetën time në muajt qershor dhe shtator të vitit që po përcjellim dhe të qindra shqiptarëve të tjerë. Nuk ka dyshim, edhe pse për shumë vite patëm në krye të shtetit një nga mjekët më të dëgjuar në fushën e kardiologjisë, jo vetëm nuk u morën reforma efikase për përmirësimin e saj, por gjendja u përkeqësua dhe më shumë se ç’mbeti nga sistemi i kaluar. Hapësirat e QSU “Nënë Tereza” u kthyen në bartëse të kioskave e lokaleve të pijanecëve, në vatra takimi sekserësh me familjarë të pacientëve të ardhur nga rrethet e vendit, ku shërbimi mjekësor ishte krejtësisht i paralizuar, ndërsa infrastruktura e klinikave përkeqësohej gjithnjë më shumë, nga pajisjet e amortizuara të periudhës së para ’90-s. Por duhet pranuar se në pesë vitet e fundit ndryshimet janë të mëdha, nga sipërfaqet e gjelbëruara deri në zëvendësimin me shtretër të kompletuar e dhoma të mobiluara, sidomos cilësia e gatimit të ushqimit të përditshëm të pranueshëm nga pacientët pa dallim. Sigurisht që këto përmirësime nuk mundet të mos vlerësohen nga kushdo që i shikon dhe më shumë nga pacientët e familjarët e tyre. Ndërsa ekzistojnë të tjera probleme më të rëndësishme, që lidhen me shëndetin dhe jetën e kujtdo që të shtrohet në QSU “Nënë Tereza”. Akoma ndihet mungesa e medikamenteve për disa sëmundje, vlera e të cilave është e madhe edhe për vetë shtetin, ndërsa ecejaket e të sëmurëve të rretheve dhe jo vetëm nuk po kufizohen, por e kundërta, më shumë po shtohen. Kushdo që e ka provuar për të mbaruar punë në Qendrën e Konsultave, jo vetëm do të përballet me grumbullin e madh të nevojtarëve, por datat e konsultave u përkasin ditëve të largëta. Pacientët e shtruar në QSU sapo dalin duhet t’i konfirmojnë recetat tek mjeku i kësaj qendre, që do të thotë për disa ditë apo javë medikamentet e rimbursueshme, disa tepër të kushtueshme duhet t’i marrin me shpenzimet e tyre. Në rrethet kryesorë vazhdojnë të funksionojnë spitalet, por me shumë probleme, në rrethet e tjerë me shtretër të kufizuar, ndërsa qendrat shëndetësore funksionojnë me mjekun e familjes që çdo muaj shpërndanë recetat e të sëmurëve kronikë. Nuk po ju qëndroj boshllëqeve të tjera të sistemit të sotëm, për t’u ndalur në metastazën e korrupsionit që ekziston si në gjithë hallkat e shtetit, sidomos në atë të ryshfetit. Mund të them se, pas sistemit të drejtësisë ryshfeti mbetet i theksuar në atë të shëndetësisë, në veçanti, kirurgjisë ku për operacionin e apandesitit duhet të “paguash” nën dorë mbi 30.000 lekë dhe për baj-pasin disa herë më shumë. Me këto shifra u njoha në 17 ditë të qëndrimit tim në QSU “Nënë Tereza” ku familjarët e pacientit, para çdo operacioni diskutonin tarifën që u kërkohej. Përgjegjësia e drejtuesit të QSU-së është e madhe, sepse “lufta” kundër tij nuk mund të bëhet me një poster të Ministrisë së Shëndetësisë në hyrjen e gjashtëkatëshit, ku lexohet “Korrupsioni, një krim kundër jetës. Mos merr, jep, kërko ryshfet!”. Kjo tregon se, çdo drejtues i ri është i interesuar për tenderët e meremetimeve të objekteve të rrënuara, se sa për rritjen e shërbimit dhe luftën e sëmundjes së korrupsionit. Ndërsa për drejtuesit e shtetit përgjegjësia është edhe më e madhe, sepse pagat e tyre dhe të parlamentarëve nuk mundet të jenë më të mëdha, se të atyre që shpëtojnë jetë njerëzish, sidomos të mjekëve të kardiokirurgjisë, të cilët të ardhurat nuk duhet t’i presin nga pacientët, por të ngrihen dhe t’ia kërkojnë pushtetarëve. Shumë prej tyre kanë studiuar e janë specializuar jashtë vendit, ku kanë mësuar nga kolegët e huaj, veçse kanë harruar se këta nuk e pranojnë kurrë ryshfetin.
Sigal