Korrupsioni në administratë/Inspektori tatimor kërkon 20 mijë lekë për të falur gjobën 200 mijë lekë

538
Sigal


Gazeta
Telegraf/

 

“Fiks Fare” i është rikthyer mbrëmjen e së hënës korrupsionit në
administratën shtetërore, ku denoncoi me zë dhe figurë një inspektor tatimor, i
cili ushtron presion ndaj tregtarëve, me qëllim për të përfituar ryshfet.

Emisioni investigativ në Top Channel solli historinë e një pronari
thertoreje në zonën e Institutit në Tiranë, i cili rrëfeu se inspektorët e
kontrollit tatimor në kryeqytet e kishin kërcënuar me gjoba të larta, me qëllim
që ai të jepte para nën dorë.

Rushit Azemi tregoi për “Fiks Fare” se ai është koshient që ka shkelur
ligjin, duke punuar në të zezë, por detyrohet për të fituar bukën e gojës.
Thertorja qe ai ka në pronësi, në lagjen Institut të Kamzës, ishte bllokuar ,
por ai kishte filluar të punonte në të zezë.

“Erdhën katër inspektorë të tatimeve. Ai që ishte si punë përgjegjësi e
bëri. Unë e kuptoja që ai po më bënte presion, duke më thënë, jo gjoba minimale
është 2 milionë lekë, jo ke shkelur ligjin dhe unë thashë është e vërtetë që
unë kam shkelur ligjin dhe pranoj të vënë edhe gjobën. Por ama nuk mund të
lejoj këtë tjetrën, pasi duke abuzuar me shkeljen e ligjit, ai më kërkonte
lekë. Unë më mirë pranoj të shkel ligjin dhe të nxjerr dhjetëmijë lekë për të
ngrënë bukë, se nuk ka rrugë tjetër, ose do të vjedhim”, u ankua Azemi për
“Fiks Fare”, sipas të cilit inspektorët i kishin kërkuar 20 mijë lekë të reja
për ta falur, pra 10 për qind të shumës së gjobës.

Pronari i thertores tregon se në momentin kur inspektorët i vajtën në
biznesin e tij, ai kishte vetëm pesë mijë lekë të reja në xhep, ua kishte
ofruar, por ata nuk kishin pranuar .Kërkonin më shumë, 20 mijë lekë për të mos
firmosur gjobën.

Pronari i thertores ishte i bindur se grupi i punonjësve që i kishin
shkuar në dyqan ishin inspektorë të tatimeve.

Ai tregon se brenda 3 vitesh, aktiviteti i tij është mbyllur tri herë.
“Në këto kushte, unë mendova t’i drejtohemi “Fiksit”, sepse nuk kemi kujt t’i
drejtohemi tjetër”, thotë pronari i thertores.

Pas ankesës, gazetarët e emisionit investigativ u interesuan për
inspektorin, që u paraqit sërish pranë aktivitetit të Rushit Azemit.

Gjatë bisedës me pronarin, inspektori merr fillimisht 5 mijë lekë të
reja dhe më pas 15 mijë lekë të tjera, pra në total 20 mijë lekë të reja për të
lënë të qetë tregtarin. Madje, ai garanton se nuk do e shqetësojnë edhe të
tjerët.

“Unë ta thashë që qëpari. Unë jam vënë vetë asaj pune, dhe kam mbaruar
punë. Ata të tjerët kontrollojnë zonën”, shprehet ai gjatë bisedës me “Fiks
Fare”. Ai merr paratë dhe më pas largohet nga aktiviteti i Rushit Azemit, duke
premtuar që nuk do ta shqetësojë asnjë inspektor tjetër gjatë ushtrimit të
aktivitetit të tij.