Korrupsioni dhe paaftësia, “shkrihen” legalizimet

560
Rastet e abuzimit me qytetarët, vonesat dhe kërkesa e ryshfetit, pritet të shkaktojnë furtunë në administratën e ALUIZNI-t 
Sistemi shtetëror dhe administrativ që mbulon problemet e legalizimeve është goditur rëndë nga ankesat e shumta të qytetarëve për korrupsion dhe vonesa, duke shkaktuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit Rama. Nisur nga rasti i një zonje në Berat, për të cilin ka shkarkuar edhe një drejtues vendor, shefi i qeverisë ka paralajmëruar një furtunë të vërtetë. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të ndërtuar një rrjetë “që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm”. Në të njëjtën kohë, pas reagimeve të shumta të qytetarëve, Rama është shprehur se në ALUIZNI në tërësi ka bërë një punë të madhe dhe të lavdërueshme, 144 mijë legalizime në 2 vjet e gjysmë, ndërkohë që ata të tjerët bënë 21 mijë në 8 vjet! “Po natyrisht ka shumë vend për përmirësim”, ka vlerësuar kryeministri. Ai ka folur edhe një herë për atë që e quan një koalicion të madh me qytetarët. “Prandaj do ta bëjmë koalicionin e madh, se janë shumë dhe duhet të bëhemi sa më shumë bashkë që t’i shkulim të paudhët e të disiplinojmë ata që janë çmësuar të sillen si duhet në tërë këto vite brenda Tepsisë së Pushtetit!”, u shpreh Rama. 

Agjencia e Legalizimeve, Hipotekat dhe Agjencia e Pronave pritet të bashkohen në një strukturë të vetme, që mund të ngrihet edhe në rangun e një ministrie në përbërjen e qeverisë së re, që do të nisë punën nga muaji shtator. Ky është një projekt që po diskutohet në zyrat e qeverisë dhe për të cilin nevojiten edhe ndryshime ligjore. 

Shpjegimi i Ramës për rastin e Beratit: Ja pse duhet shkarkuar drejtori
“Dje në dëgjesën e Beratit, një zonjë 80-vjeçare ngriti problemin torturues të mosmarrjes së legalizimit prej 5 vjetësh, pasi kishte paguar edhe detyrimet në vitin 2012. Drejtori i ALUIZNI-t Berat, ishte i pranishëm në dëgjesë po ashtu dhe tha ato që tha. Sot, qysh në mëngjes njoftoi se legalizimi i shtëpisë së zonjës u krye. Tani lind pyetja: Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë ta ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t’i dorëzonte lejen e legalizimit?! Nuk e di, po nuk është çudi që më parë të ikte nga kjo botë se sa të merrte lejen.

Atëherë, ky drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve (në rastin më të mirë) dhe grabitqarëve (në rastin më të keq), si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës! Drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s’mund të jetë. Kjo është fare e qartë. Por pyetja tjetër që pason menjëherë është: Sa të tjerë, që nuk e kanë “fatin” e zonjës të më qajnë mua hallin në sy, jetojnë sot me halle të tilla të turpshme për zyrat e këtij shteti?! Kushedi sa janë, qindra, mijëra, dhjetëra mijëra… A zgjidhen dot këto halle, ja kështu, si u zgjidh halli i kësaj zonje dhe a ndalohen dot parazitët e grabitqarët që paguhen me taksat tona, të bëjnë përditë viktima të pafajshme në çdo komunitet të Shqipërisë?!

PO, jam i bindur që PO! Zgjidhen dhe që ç’ke me atë punë nëse do ta ndërtojmë së bashku koalicionin e madh të qeverisë së re me njerëzit e zakonshëm, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila do të jetë online sapo të miratohet qeveria e re. Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm”.
Pronësia që jepet në tre institucione
Një betejë e re pritet të nisë me reformën në disa institucione të mbuluara deri më tani nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Zhvillimit Urban. Mijëra prona të palegalizuara, qytetarë në dyert e institucionet të ZRPP-ve duke pritur me ditë e muaj me radhë për të marrë një vërtetim, të tjerë që i drejtohen Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por deri më sot, kjo situatë ka shkaktuar vetëm plagë tek shoqëria. Janë tre institucione që nuk kanë gjetur asnjëherë gjuhën e përbashkët mes tyre. Nga njëra anë ALUIZNI është akuzuar se nuk bashkëpunon me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive dhe nga ana tjetër kemi Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila prej më se katër vitesh është në përpjekje për të dixhitalizuar të gjitha hartat e pronësisë. Por tashmë duket se qeveria do të ndërmarrë një lëvizje tjetër. Është duke u punuar për një projekt të radhës, i cili pritet të bashkoi tre institucionet në një të vetme. Ky fakt u pohua për gazetën “Telegraf” pak ditë më parë nga drejtori aktual i ALUIZNI-t, Artan Lame. I pyetur nëse është i vërtetë hartimi i një projekti të tillë, Lame deklaroi, se “po është e vërtetë”. “Prej ditësh qeveria është duke punuar për të mundësuar bashkimin e tre institucioneve, atë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, ALUIZNI-n dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, tha ai. Sipas Lames, ky nuk është një projekt i ri. Ai deklaroi për “Telegraf” se ka qenë një projekt i vitit 2013, por që deri në këto momente nuk ishte gjetur mundësia për ta realizuar. Lame shtoi se tani është e domosdoshme përfundimi i këtij projekti. Por ndërsa pohoi se ishte në sirtarët e qeverisë si projekt, kreu i ALUIZNI-t, shtoi se ende nuk është konkretizuar nga ana teknike. “Ende nuk ka nisur të punohet teknikisht. Nuk ka asgjë konkrete se si do të mund të jetë i strukturuar institucioni i ri. Por ajo që dihet është fakti se qeveria e ka pasur si projekt në sirtar dhe tashmë do të nis puna”, tha Lame. 
Sigal