Korrupsion me kolaudimet e automjeteve. Shoferët: Na vonojnë qëllimisht për para

591
Sigal

Dhjetëra denoncime në institucion e ministri, bien në ‘veshë të shurdhër’

Drejtuesit e automjeteve, që janë regjistruar për të kryer testin e kontrollit teknik të automjeteve po përballen me një formë të ndyrë korrupsioni dhe zhvatjeje nga ana e kompanisë private që kryen këtë shërbim. Kontrolli teknik i automjeteve kryhet një herë në vit dhe për automjetet e tipit 4+1 kjo tarifë kushton 1960 lekë. Deri këtu është gjithçka në rregull, pavarësisht se tarifa u rrit menjëherë disa muaj pasi kompania “SGS Automotive Albania” fitoi monopolin duke ofruar këtë shërbim në gjithë vendin. Por ajo që po denoncohet çdo ditë e më shumë nga drejtues të automjeteve ka të bëjë me faktin se pothuajse të gjitha motomjetet që futen për të kryer testin në dy pikat ku kryhet kjo gjë, kthehen edhe një herë për ri kontroll. Punonjësit e qendrës së kontrollit teknik sajojnë lloj-lloj argumentesh duke iu “gjetur” një defekt mjeteve, në mënyrë që ato të rikthehen për ri kontroll. Kthimi për herë të dytë në fakt shoqërohet edhe një herë me një tjetër pagesë për kontrollin e dytë, e cila është 790 lekë për automjetet 4+1. Shoferët ankohen pothuajse çdo ditë për veprime të qëllimshme, të cilat synojnë darovitjen e kontrolluesve. Pothuajse asnjë mjet qoftë ky edhe i vitit 2012, nuk kalon “OK” nga QKT në rast se nuk kthehet për herën e dytë, duke paguar sërish tarifën 1960 lekëshe, dhe duke mos darovitur kontrolluesin për të marrë letrat. Ky avaz ka nisur qysh kur ky proces ishte i varur nga shteti, dhe ka vazhduar pa asnjë kokëçarje tani që e ka marrë privati. Por paradoksi mbetet në faktin se, shpesh qëllon kur dikush me makinë të prodhimit 1994 kalon pa asnjë problem, duke mos i gjetur asnjë kleçkë nga kontrollorët, dhe rikthehet mbrapsht një mjet i ri, për ferrota, për marmitën, për frenat, për stopat etj.. Ky paradoks i denoncuar nga dhjetëra shoferë, të cilët vuajnë vonesa të qëllimta në radha të gjata, vazhdon me “defektet” e zbuluara nga pajisjet dhe përdoruesit e tyre, të cilët fatkeqësisht sot nuk janë nën varësinë e shtetit, duke i mbyllur gojën ankesave.

 Artur AJAZI