Korrierja e heroinës punësohet pedagoge në universitet

540
“I pasur bëhesh me dituri jo me pasuri, i mençur bëhesh me mend dhe jo me para”. Është kjo një proverbë e vjetër popullore, të cilës nuk i dihet origjina nëse është e popullit shqiptar, italian apo e ndonjë populli tjetër. Sido që të jetë ajo mbetet popullore dhe si e tillë ka vlerë të pakundërshtueshme sepse populli është një në të gjithë rruzullin tokësor. E nisëm këtë shkrim me një shprehje të tillë jo rastësisht, por si një qëllim madhor që në kuadrin e dekriminalizimit të preken të gjitha institucionet, ku arsimi universitar padyshim është më i kompromentuari. Mësues dhe pedagogë me diploma fallse, trafikantë, shpërndarës droge, brenda dhe jashtë vendit, diploma të blera, nota të shitura, tema të vjedhura – janë këto pasqyra e koorporatës së biznesmenëve të arsimit universitar shqiptar. Universitetet private dhe shtetërore, sidomos ato të rretheve janë shembulli më i keq, pasi janë kthyer në qendra të grabitjes dhe babëzisë së vërtetë. A ka përjashtim? Sigurisht që ka edhe pedagogë dhe profesoër me integritet dhe këta nuk janë pak, por janë shumica. Reforma në drejtësi dhe ligji për dekriminalizimin, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe fjala e lirë, janë pjesë e 5 prioriteteve që Bashkimi Europian i ka vënë Shqipërisë. Pa realizimin e tyre nuk ka integrim, nuk ka shtet ligjor, nuk ka dhe nuk do të ketë hapje të portës së madhe të investimeve të shumëpritura për Shqipërinë, vendin më të varfër të Europës. Vetëm para disa ditësh në redaksinë e “Telegraf” mbërrin një letër anonime ku spjegon faktin që një pedagoge e implikuar në trafikun e heroinës është punësuar në një universitet shtetëror të rretheve. E tmerrshme, por e vërtetë, pasi këtë fakt e konstaton edhe në faqet zyrtare të shtetit fqinjë. Universiteteve u mungon intelektuali, profesionisti, prindi, akademiku, shkenctari, sepse në vend të tyre janë ofruar trafikantë që blejnë profesionin me paratë e krimit, pse jo në disa raste edhe me shitjen e vetvetes. Morali i dobët i një pedagogu do jetë nesër pasqyra e universitetit, por kjo gjë në vend që të skuqi dhe të nxijë rektorët dhe dekanët ua ka trashur qafën, duke i kthyer një pjesë të tyre në padrino të vërtetë. Sa turp! Të shesësh profesionin e nderuar të mësuesit me atë të trafikantit të heroinës dhe të nderit personal është një krim për kombin dhe brezat që do të vijnë. Po pse gjithe kjo zallamahi në Shqipëri? Sepse këtu rektorët dhe dekanët kërkojnë pavarësi dhe privatësi në insitucionin publik që mbahet dhe paguhet nga shteti dhe taksapaguesit shqiptarë. Rektorët (sidomos ata të rretheve) konkurrojnë denjësisht me intitucionin e policisë dhe funksionojnë me spiunë, frikë, presione, pushime nga puna, punësime kundrejt shumave të mëdha që variojnë nga 15-20 mijë euro, provime që variojnë nga 200-300 euro dhe një mori e pafund problemesh. Me të drejtë mund t’i quajmë universitet hije, ku për çdo gjë vendos rektori. Vetë ruhet me bodiguard dhe nëpër kafene e quan universitetin pronë të tij. Dhe faktikisht thotë një të vërtetë, pasi ai bën jo vetem punën e rektorit, por edhe të zëvendësrektorit, financierëve, dekanëve, shefave të departamenteve etj., të cilët janë të privuar nga të drejtat ligjore të tyre përballë pangopësisë së këtyre mostrave. Në lokalet e tyre shitet drogë, në mjediset e tyre ose rreth tyre bëhen pazaret e lekëve dhe vendosen çmimet për provimet. Mjaftonë të kujtojmë me dhjetra aksione të policisë ku janë gjurmuar, përgjuar, shoqëruar dhe arrestuar me dhjetra pedagogë, por që janë liruar brenda javës. Kjo është më shumë se kriminale. Pranimi i stafit akademik bëhet pa konkurs duke nëpërkëmbur kompetencat ligjore të dekanëve dhe shefave të departamenteve. Rasti më flagrantë është ai i një universiteti bregdetar ku Rektori vendos veton për të marrë në punë një koriere heroine, e cila kishte ndryshuar identitetin. Sipas burimeve konfidenciale trafikantja kishte fshehur në gomën rezervë të makinës së saj 15 kilogramë heroinë të pastër, por që kjo sasi u zbulua nga policia e Barit, e cila bëri ndalimin dhe arrestimin e saj. Po çfarë ndodhi më vonë? Korrierja e heroinës me indentitet të ndryshuar C.E. pasi bëri dënimin, vjen në Shqipëri dhe rekrutohet përkundrejt meritës financiare si pedagoge. Më shumë se sa e turpshme, kjo është kriminale dhe krimi detyrimisht ndëshkohet. Por korrierja jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por vazhdon trafikimet e notës. Kjo është arsyea që Europa kërkon vendosjen e shtetit ligjor dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Ky është shkaku që BE deklaron se zbatimi i 5 kushteve të vëna prej saj janë të panegociueshme. Shteti i ka në dorë të zbulojë dhe ndëshkojë ata rektorë që kanë diskretituar institucionin e arsimit dhe kriminalizuar botën e saj akademike. Rastet janë, mjafton të ekzistojë dëshira për të hetuar emërimet në universitete. E nisëm me një shprehje popullore dhe po e mbyllim me një filozofike për këta rektorë dhe shtetarë mjeranë “ Paratë e krimit mund të blejnë librin, por kurrë nuk mund të blejnë dijen…” . 
Sigal