“Korrespodenca, “erozioni” që gërryen arsimin bashkëkohor”

725
Sigal

INTERVISTA/ Flet drejtori i Zyrës Arsimore të Sarandës, Sami Alimema: “Strategji dhe praktika të reja në arsim”

Dhe pak ditë dhe zilja e parë e vitit të ri shkollor 2012-2013 do të tringëllijë me ftesën drejt bankave të shkollës për arsimin parauniversitar. Për kuadrin drejtues dhe mësimdhënës është periudha e përgatitjes si në infrastrukturë ashtu edhe në kriteret e përzgjedhjes së kuadrit sipas udhëzimit të MASH-it. Në këtë valë pune e gjetëm stafin e Zyrës Arsimore të Sarandës dhe drejtorin e saj, z.Sami Alimema, i cili bëri një ekspoze të punës përgatitore si dhe situatën, në të cilën pritet viti i ri shkollor 2012-2013.

-Z. Sami, me çfarë jeni duke u marrë aktualisht si zyrë arsimore?

-Përshëndetje dhe faleminderit ju dhe “Telegraf”-it që në faqet e saj i kushton një vend gati të përditshëm problematikës arsimore! Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe kjo kohë është koha e përgatitjeve për këtë event arsimor të vitit. Por të mos harrojmë edhe përgatitjet për 100 vjetorin e Pavarësisë që do të shoqërohet me shumë aktivitete e veprimtari nga nxënësit e shkollave tona. Shkollat sot përballen me një sërë kushtesh dhe problemesh unike të panjohura dhe të paprovuara edhe nga institucione të tjerë. Në këtë kuadër dhe realitet po kryhet edhe regjistrimi i nxënësve sipas udhëzimit të MASH dhe veçanërisht pritja dhe sistemimi i fëmijëve të emigrantëve të riatdhesuar që rrethi ynë i ka të shumtë. Pikë tjetër e punës është edhe gatishmëria e godinave shkollore se çfarë masash janë marrë nga drejtoritë e shkollave. Nga ky informacion themi se në përgjithësi godinat dhe mjediset shkollore janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor, pavarësisht për nevojën e ndonjë ndërhyrjeje të vogël.

-Po kriteret e kuadrit? E bëjmë këtë pyetje për tu njohur me politikën arsimore, sidomos në zonat rurale, por edhe për një fenomen shqetësues, atë të mësueseve me korrespodencë. A ndikon kjo në cilësinë e mësimdhënies?

-Në bazë të udhëzimit të MASH-it, Nr. 21 dhe 22 për kriteret e pranimit të mësueseve si dhe normimit të punës arsimore janë marrë ose mbahen në punë edhe mësuesit e Sarandës. Ajo që thoni ju në pyetjen tuaj është disi shqetësuese dhe e vërtetë. Edhe kuadri në fshat dhe qytet do të rishikohet për të patur një balancë dhe të frenojmë braktisjen e shkollave të fshatit deri në mbylljen e tyre dhe rendjen drejt qytetit. Do të krijohen kushte mësimdhënieje dhe infrastrukturore njësoj edhe me personel të kualifikuar e me përvojë për ta frenuar këtë fenomen gërryes e kërcënues në radhë të parë për vet mësuesit se me mbylljen e shkollave në fshatra, mbeten shumë pa punë. Në bazë të një studimi 97% e mësueseve janë me arsim të lartë dhe vetëm 3% me arsim të mesëm pedagogjik të mbaruar para viteve ’80 dhe me katër kualifikime duke plotësuar kriteret e mbajtjes së vendit të punës. Këtu jemi në rregull. Raporti i mësuesve me shkollë dite dhe me korrespodencë kap shifra disi shqetësuese, 70% ditën dhe 30% me korrespodence dhe shumica e tyre të punësuar në shkollat e qytetit. Them shqetësuese se përballemi me sfida të papara, ndërkohë që shkollat duhet të akomodojnë të gjithë fëmijët që ndikohen nga ndryshime shoqërore apo ndryshimet e strukturës në familje dhe në përpjekje për tu përshtatur me këto fenomene të reja do të bëhet edhe përzgjedhja e kuadrit. Kjo edhe se jemi përballë presionit prindëror që me udhëzimin e fundit të MASH dhe ligji i ri i parlamentit i jep të drejtën komunitetit të prindërve dhe nxënësve  të përzgjedhin mësuesin dhe shkollën. Kjo i hap edhe rrugë konkurrencës në tregun e punës mësimdhënëse.

-Çfarë bëhet me tekstet shkollore? Po me ato greqisht?

-Tekstet janë përzgjedhur plotësisht dhe nga informacionet që kemi rreth 60% e tyre kanë mbërritur në distributorët tanë shpërndarës, në Sarandë. Javën e ardhshme nis shpërndarja e tyre. Po kështu edhe për tekstet greqisht. Puna ecën paralel. 10 Shtatori do t’i gjejë të gjithë nxënësit të kompletuar me tekste dhe mjete didaktike mësimore.