Korçë, katër fabrika moderne pa punë, qeveritarët pengojnë projektet

733
Vepror Hasani 

Specialistët Sina dhe Arëza: Ja si shpëton nga varfëria fusha e Korçës
Korça ka tri fabrika në gjendje pune dhe një tjetër shumë pranë saj, në Hotolisht, të cilat mund të nxjerrin nga varfëria jo vetëm fushën e Korçës, por gjithë Korçën, madje të furnizojnë me lëndë të parë edhe 85 fabrika të tjera që shtrihen në gjithë vendin e që lëndën e parë e importojnë, por deri më sot qeveritarët tanë nuk kanë lejuar zbatimin e projekteve për vënin në punë të tyre. Nëse fabrikat do të viheshin në punë, së paku, fusha e Korçës do të dilte njëherë e përgjithmonë nga varfëria. Shitja e prodhimeve do të ishte e garantuar, mirëqenia do të rritej në përmasa të tilla që gjithkush do ta kishte zili, punësimi do të merrte përmasa të tjera, për gjithkënd mund të kishte punë të përhershme e të paguar mirë. 
Sekreti në dorën e dy specialistëve
Çelësin e këtij projekti madhor e ka në dorë inxhinieri Engjell Sina dhe agronomi Demir Arrëza, të cilëve u është dashur mjaft punë në terren dhe përllogaritje të shumta për të dalë në këtë përfundim. Me vënien në zbatim të projektit, fermerët e Korçës do të bëhen kultivues të patates industriale, të panxhar-sheqerit, të elbit polistik ose të grurit, të elbit dyfletësh, të frutave, si: rrush, mollë, kumbulla, dardha, ftonj e deri në mbledhjen e boçeve të pishës, apo të sigurimit të drurit të lisit, nga të cilat asgjë nuk do të mbetej e pa shitur. 
Në pritje të lajmit
Kohët e fundit projekti është bërë i njohur deri në institucionet më të larta të shtetit shqiptar. Pritet përgjigjja përfundimtare. Nëse lajmi i mirë vjen para mbledhjes së prodhimeve, atëherë ekziston mundësia që fermerëve t’u blihen të gjitha sasitë e prodhimeve të përmendura më sipër, pasi prej tyre, (siç parashikon projekti) do të sigurohet prodhimi maltos për prodhimin e birrës, i maltos aktive, i mushtit nga patatja, i alkoolit, i niseshtesë, i produkteve për blegtorinë etj. Dhe të gjitha këto janë të mundura. Importi i produkteve të tilla nuk do të jetë më i nevojshëm. Përveç fermerëve edhe specialistët do të gjejnë punësim në profesionet e tyre.
Qeveritarët tanë
Por qeveritarët tanë nuk kanë lejuar deri më sot që këto fabrika të jenë eficiente. Pse ka ndodhur kështu, habia është e madhe. Askush nuk i jep dot shpjegim. A thua se qeveritarët tanë jetojnë në një planet tjetër. Përgjigjja nga qeveria sërish pritet me shumë ankth, nëse projekti do të merret në konsideratë apo do të heshtet siç u hesht për 27 vjet me radhë. Projekti i inxhinier Sinës dhe i agronomit Arëza është plotësisht i garantuar. Ja pse: në bashkinë e Maliqit (prefektura Korçë), ekzistojnë tri fabrika dhe një tjetër në Hotolisht të Librazhdit, të gjitha në gjendje pune, por pa punë…
Gjendja aktuale e fabrikave, sipas Sinës dhe Arzës
1. Fabrika e alkoolit në Maliq, pjesë e ish-kombinatit të sheqerit, aktualisht në gjendje pune, qëndron në ruajtje. Prej saj mund të prodhohen në vit 1.000.000 – 1.200.000 litra alkool 95.5% i rektifikuar, si dhe 30-40 ton gaz karbonik (CO2). Fabrika është në eficiencë të plotë dhe ka certifikatë pronësie.
2. Fabrika e niseshtesë Maliq përbëhet nga dy subjekte: brenda saj është ndërtuar edhe impianti për prodhimin e alkoolit të rektifikuar me kapacitet 1.5 -2 tonë alkool në 24 orë.
Impianti është në gjendje pune, veçse kërkohet një plan-preventiv për rivendosjen në punë për prodhimin e alkoolit
3. Pajisjet e ish-fabrikës së niseshtesë Maliq (pjesa shtetërore)
Me projektin që disponojmë, shprehet Sina, pajisjet e saj do të përshtaten për prodhimin e mushtit të pa fermentuar, i cili do t’i shkojë fabrikës së alkoolit Maliq, dhe një pjesë, linjës së alkoolit brenda fabrikës së niseshtesë. Pra, lënda e parë (mushti i pa fermentuar ose i fermentuar) sigurohet për të dyja fabrikat e alkoolit. Garantohen gjithashtu bërsitë e panxharit të sheqerit dhe të patates industriale.
4. Pajisjet e linjës Hotolisht përbëhen prej pajisjesh inoksi ushqimor të garantuara, të cilat do të shërbejnë për përpunimin e alkoolit të rektifikuar që do do t’i vijë nga këto dy fabrika, e cila me metodën e ekstraktimit të aromatizuesve të ndryshëm, si fruta, boçe pishe, dru lisi etj, do të realizojë pije alkoolike cilësore të mirëfillta shqiptare të njëjta me ato që vijnë nga importet, me strandarde të pranuara edhe për eksport.
Furnizimi i 85 fabrikave të tjera
Në fabrikën moderne të malterisë Sovjan do të punohet elbi distik për prodhimin e maltos, (lëndës së parë) për fabrikimin e birrës e cila do të jetë e aftë të furnizojë gati të 85 fabrikat që punojnë me lëndë të parë nga importet. Ajo trajton rreth 45 ton elb distik për një ngarkesë. Fabrika është moderne. Ajo bëhet funksionale edhe për fabrikat që përmendëm më sipër duke formuar kështu një “zonë industriale” me pajisjet teknologjike dhe tokë pjellore për kulturat bujqësore grurë, elb, panxhar sheqeri dhe patate industrial. Sovjani është zona ku këto prodhime japin rendimente të larta. 
Shembuj për 1 ha prodhim
(Proceset teknologjike rrisin vlerën e produkteve)
Për 1 ha tokë grurë rendimenti në fushën e Korçës shkon në 50 kv, pra 5000 kg grurë. Gruri i prodhuar shkon në malterinë e Sovjanit, ku pas disa proceseve, (njomjes e mbirjes) marrim 7.500 kg molto jeshile. Ndërsa në përfundim të procesit kemi këtë rezultat: nga 1 ha tokë që mbolli fermeri morëm 5000 kg grurë, e cila përfundimisht na dha 12.5m3 ekstrakt, 8500 kg molto e ekstraktuar dhe shpëlarë dhe 12.5 m3 ujëra larëse të maltos që janë rikthyese. Gjithë sasia e maltos shkon në kompleksin e fabrikave të alkoolit në Maliq, e cila shërben për vazhdimin e procesit teknologjik për prodhimin e mushtit dhe të grurit të ekstratuar.
Për 1 hektar panxhar sheqeri në fushën e Korçës rendimenti shkon në 700 kv/ha, pra 70.000 kg. Kjo sasi shkon për përpunimin në linjën e adoptimit në fabrikën e niseshtesë për prodhimin e mushtit dhe bërsisë. Pas larjes dhe grirjes, krejt sasia prej 70.000 kg kalon në Perkolatorët dhe pas përpunimit në funksion të kohës dhe temperaturës nga kjo sasi panxhari në proces përfitohet: 

1. Musht memë nga invertimi i Saharozës, gjithsej 73.750 litra – 73,75 m3
2. Ujëra larëse të bërsive në 91.5 m3
3. Bërsi të shpëlarë nga panxhari 70.000 kg (me lagështirë)
Për të mbyllur ciklin e prodhimit, lipset të përpunohen 73.75 m3 musht me përmbajtje rreth 11.79% alkool në përbërje, nga e cila veçohen 8.700 litra alkool rektifikuar 95.5%
Epilogu 
Nuk po zgjatemi më tej me proceset teknologjike, pasi për lexuesin do të ishte e lodhshme, por nga sa më sipër kuptohet që vlera e produkteve rritet ndjeshëm, gjë që fabrikat do të jenë të interesuara të blejnë sasi të mëdha prodhimesh, gjë që garanton shitjen dhe i jep begati fushës së Korçës. Por a do të ndodhë vallë? Asgjë nuk është e sigurt. Dy specialistët Engjëll Sina dhe Demir Arëza presin në ankth. Një përgjigje negative për ta, do të ishte vdekje profesionale, për të mos thënë edhe e shpresës…