Kopshtet shtetërore, nis kalvari për prindërit

666
Kopshtet shtetërore të Tiranës pritet të kenë fluks të madh fëmijësh që duan t’i frekuentojnë këtë vit. Ashtu si çdo vit, pritet të nisë pas pak ditësh edhe kalvari i regjistrimit të fëmijëve pranë kopshteve, shoqëruar gjithnjë me radhë të gjata e vonesa. Ndonëse është bërë deri më tani një regjistrim paraprak në muajin qershor dhe pritet që regjistrimet finale të bëhen në gusht-shtator, Drejtoria Arsimore konfirmon që ka kërkesë të shtuar për shkak se shumë prindër kërkojnë të heqin dorë nga kopshti privat. “Qytetarët nuk duhet të tremben se fëmija i tyre mbush tre vjec në tetor dhe regjistrimi nis më para. Çdo fëmijë futet në kopsht sapo të mbushë këtë moshë. Ajo që po ndodh këtë vit është se ka një numër të shtuar për shkak se ikin nga privati dhe vijnë drejt kopshtit publik, për shkak të investimeve që janë bërë, ushqimit shumë cilësor e bërë nga dietologë për moshën e tyre”, sqarojnë zyrtarët e Drejtorisë Arsimore. 

Në Tiranë janë 52 kopshte, ndërkohë që pritet të përfundojë së ndërtuari një kopsht i ri. Kapaciteti pritës është mbi 10 mijë fëmijë, por specialistët garantojnë se plotësohen standardet edhe pse grupet kanë numër të madh fëmijësh. “Grupet mund të shkojnë në 30-37 fëmijë, kanë dy edukatore dhe një ndihmëse . Por asnjëherë nuk plotësohet numri aq sa regjistrohen, pasi nuk frekuentojnë rregullisht “, shprehet ata.

Bashkia e Tiranës ka në planet e saj ndërtimin e disa kopshteve të tjera në kryeqytet, falë edhe financimeve nga një projekt i qeverisë.
Sigal