Kopshtet e çerdhet, regjistrimet nisin më 1 shtator

622
Regjistrimet në kopshtet dhe në çerdhe do të nisin më 1 shtator dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se këtë herë do të merren parasysh nevojat ekonomike të familjeve. “Dua të ftoj të gjithë banorët e njësisë 7, në datën 1 shtator do të hapim regjistrimet. Kemi shumë kërkesa, ndaj sigurisht që do kemi parasysh edhe nevojat ekonomike që kanë familjet dhe nevojat që ka lagjja për shërbim. Do të shtojmë edhe stafet në çerdhe e kopshte, për t’u siguruar që kemi sa më shumë edukatorë me sa më pak fëmijë, që secili prej tyre të marrë vëmendje maksimale. Ndihem i lumtur, që në Tiranë ndoshta shumë gjëra nuk i kemi ende perfekt, por një nga gjërat që besoj për të cilat jemi të gjithë krenarë, është që niveli i çerdheve e i kopshteve të Tiranës, ku padyshim kanë standarde evropiane”, tha kreu i Bashkisë, ndërsa bëri të ditur se faza tjetër do të fokusohet tek përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për shkollat. Kopshti nr. 17 në kryeqytet ka përfunduar rikonstruksionin dhe kryebashkiaku Veliaj tha se ato kanë standarde evropiane. E veçanta e rikonstruksionit të këtij kopshti është se u zbatua projekti pilot me të rinjtë që vuajnë dënimin dhe që kanë kontribuar me realizimin e mobileve. “Më vjen mirë që sot jemi bërë kaq shumë për të lënë një gjurmë në rritjen e 120 fëmijëve në Njësinë 7, me një kopsht totalisht të ri, për të cilin nuk do të mjaftonte as një libër për të treguar të gjitha peripecitë, derisa kemi mbërritur këtu. Shumë njerëz shohin gjëra të bukura dhe s’e kuptojnë që vetëm me shpronësime, kontrata, gjyqe, apelime, sa mund duhet për të mbërritur në këtë produkt”, theksoi Veliaj.
Sigal