Kopetë e qenve “përmbytin” rrugët e Elbasanit

163

Kope me qen rrugaçë prej disa muajsh kanë populluar rrugët, rrugicat dhe madje edhe sheshet në Elbasan. Ata mbeten një rrezik serioz për jetën e banorëve të këtij qyteti. Prej janarit deri sot, në Urgjencën e Elbasanit janë regjistruar 12 raste të ardhura me kafshime serioze të qenve rrugaçë, nga fëmijët që luajnë në parqe e rrugica lagjesh dhe deri tek të rritur që janë sulmuar prej tyre pa asnjë paralajmërim. Pothuajse të gjitha lagjet kanë kopetë e tyre të qenve rrugaçë, që veç prishjes së qetësisë, ata janë burim i ndotjes dhe rrezikut për jetën e çdo njeriu. Qentë “rrugaçë” në Elbasan mund të të zënë pritë në çdo kohë. Ata janë të pranishëm çdo ditë, jo vetëm në rrugët periferike por deri në qendër të Elbasanit. Rreziku më i madh që vjen prej tyre është fakti se janë mbartës të lloj-lloj sëmundjeve infektive. Për fat të keq kopetë e qenve të rrugës nuk kursejnë as zonat pranë spitaleve të qytetit, tregjet etj. Mbeturinat në ambjentet e Qendrës Spitalore Elbasan, tërheqin aty kope me qen të infektuar, që kërkojnë ushqim duke përbërë shqetësim për njerëz të sëmurë ose familjarët e tyre. Kudo që të jemi nëse ndodh që të kafshohemi nga një qen rrugësh, duhet të drejtohemi tek një mjek specialist pasi mund të na përçohen sëmundje dhe infeksione të ndryshme. Sipas mjekut veterinar Ismail Velia “njerëzit duhet të tregohen të vëmendshëm dhe të mos neglizhojmë në asnjë rast sulmet e qenve ‘rrugaçë’ dhe sëmundjet e tyre ngjitëse, por jo të gjithë qentë e rrugës janë të sëmurë dhe aggresivë, por në përgjithësi ata qen të paushqyer mirë, mbartin disa sëmundje si zgjebja, tërbimi, dermatofitoza apo leshmanjoza, të cilat mund të merren nga kontakti me kafshë të infektuara por veçanërisht nga kafshimi i tyre”. 
Tetanozi, medikament i munguar prej disa muajsh
Në dhjetra raste kemi dëgjuar për qytetarë që janë sulmuar, ditën dhe veçanërisht natën, nga qen që enden lirshëm nëpër rrugë. Në të tilla raste mjeku veterinar rekomandon që të bëhet tetanozi, por që në farmacitë dhe spitalin e Elbasanit zor se e gjen. Sipas veterinerit Velia “personi që kafshohet nga një qen, veçanërisht nga ata që janë të pavaksinuar, duhet bërë patjetër vaksina e tetanozit, pasi qentë kanë në aparatin e gojës atë që quhet klosidum tetani, ndaj mund të përcojnë infeksione gjatë kafshimit, por edhe nëse nuk janë të rrezikshëm, për njerëzit përballja me qentë në rrugë është një eksperiencë e hidhur dhe e frikshme”. Bashkia duhet të ofrojë një fond urgjent që këta qen të mund të trajtohen ashtu si në vendet e tjera europiane, dhe të ndalet prania e tyre në rrugët dhe sheshet e Elbasanit. Pluhurat ndotja dhe temperaturat e larta e shtojnë edhe më shumë frikën e infektimit nga sëmundjet ngjitëse të qenve të pavaksinuar. Disa qytetarë u shprehën se “prania e temperaturave të larta të vapës është stimuluese për rritjen e rrezikut të kopeve të qenve rrugaçë, është frikë kur shikojmë qen agresivë, veç faktit se ata duhet të vaksinohen sepse janë problem jo vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit, Bashkia duhet ti grumbullojë në stalla të veçanta në periferi”. Teksa qytetarët shkojnë për të shëtitur në parkun Rinia të qytetit, duket të tregohen të kujdesshëm, e të mos i provokojnë qentë që duket sikur janë rehatuar në territorin e tyre. Jo vetëm lëvizin të qetë por madje edhe flenë ngjitur me njerëzit që kalojnë natën si endacakë. Kjo nuk është vetëm ajo ç’ka shikon tek Parku Rinia, pasi ka edhe zona të tjera si stacioni trenit pranë tregut të fruta-perimeve, tregut të rrovabe të përdorura, ku kryesisht në ambjente të ndotura, qentë gjejnë hapsirat e tyre të preferuara. Edhe lagjet e qytetit janë vendet grumbullimi për qentë e rrugës, të cilët shpesh janë treguar agresivë me banorët. Ky vazhdon të mbetet një realitet që po shoqëron çdo ditë. Njerëzit shprehen se “ecim nëpër rrugë të shoqëruar nga qentë “rrugacë” duke patur frikën e kafshimit, sulmeve nga ata dhe jetës, ndaj duhen marrë masa urgjente”.