“Kooperativat” shpëtojnë nga TVSH-ja!

643
“Qeveria do të përjashtojë nga tatimi mbi vlerën e shtuar makineritë dhe pajisjet në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme përmes diellit dhe shoqëritë e bashkuara bujqësore. Deri më sot investimet në këtë sektor ishin pjesë e zinxhirit të TVSH-së, ndërsa pas miratimit të propozimeve kostot për të ndërtuar panele diellorë do të jenë më të lira. Po ashtu edhe shoqëritë bujqësore tashmë do të kenë të njëjtin status si fermerët e thjeshtë sa i përket trajtimit të TVSH-së. Lajmin e dha ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë një bashkëbisedimi me biznese në Shkodër. “Vetëm javës që vjen bëhen dhe dy vlerësime të rëndësishme fiskale, një për industrinë elektro-energjetike për fotovoltaiket, ku TVSH për makineritë dhe pajisjet bëhet 0, dhe një tjetër për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, ku nëpërmjet instrumentit fiskal dhe procedurial do të trajtohet një ndërmarrje bujqësore si një fermer, pa ngarkesë TVSH-je”. Ahmetaj sqaroi edhe skemën e futjes në TVSH për biznesin me xhiro mbi 2 milionë lekë dhe siguroi që nuk do të ketë, as rritje të çmimeve dhe as të kostove për sipërmarrësit e vegjël. “Nuk ka kosto administrative, nuk ka rritje çmimesh, dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë taksat e ulura dhe 0 për biznesin e vogël. Ditën e parë, ky inventar, pra skanimi i këtij inventari e ndihmon të deklarojë dhe madje të dalë me TVSH të kreditueshme dhe më vonë, edhe të pagueshme, sepse do të ketë mundësi që të deklarojë dhe shpenzime të bëra për drita, për ujë, për qira, apo edhe për punëtorët”.
Sigal