Konventa e LSI-së, Meta: ‘Të punojmë më shumë për një Shqipëri evropiane, ku prioritet të ketë zhvillimi ekonomik i vendit”

522
Sigal

Në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, kreu i kësaj Partie, Ilir Meta theksoi se duhet të punohet më shumë për një Shqipëri evropiane dhe se Konventa kontribuoi për këtë.

Ai tha se prioritet duhet të mbetet zhvillimi ekonomik i vendit, duke investuar siç theksoi jo vetëm nga pikëpamja mediatike në sektorë të caktuar por financiarisht.

Meta: Ju ftoj të punojmë për një Shqipëri akoma më evropiane, e cila mund të bëhet e tillë duke patur një LSI edhe më evropiane dhe unë mendoj që kjo konventë kontribuoi dhe ndihmoi për një LSI shumë më cilësore për të ardhmen, për një LSI që do të ndihmojë për forcimin e institucioneve demokratike në vend, për një LSI që do të ndihmojë për një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm dhe më transparente dhe më të prekshëm për çdo qytetar.

Për një orientim më të qartë të politikave ekonomike, duke iu dhënë prioritetin e duhur jo vetëm mediatik, por edhe buxhetor sektorëve më të rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit, bujqësisë, turizmit, duke rritur cilësinë e sistemit arsimor dhe duke u thelluar shumë më tepër për arsimin 


 Lëvizja Socialiste për Integrim vijon të dielën ditën e dytë të punimeve të Konventës Zgjedhore, ku pritet të zgjidhen forumet drejtuese të partisë. Deputetë, ministra dhe përfaqësues të LSI-së morën fjalën në këtë Konventë, duke renditur disa prej arritjeve, por edhe sfidave që dalin para në sektorë të ndryshëm për zhvillimin e vendit.

Kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se demokracia ka kostot e veta, ndërsa pritet që të votojë edhe delegati i fundit. Ai pohoi se rezultatet e votimeve do të shpallen në prani të mediave. Nga ana tjetër ai vlerësoi Konventën për kulturën dhe debatin që ka përcjell. Ndër të tjera Meta lëshoi mesazhe të qarta duke shtuar se LSI do të jetë partia më e hapur dhe më transparente dhe gjithëpërfshirëse.

“Presim për rezultatin, demokracia ka kostot e veta. Do të presim derisa të votojë edhe delegati i fundit e më pas do të shpallim rezultatin në prani të mediave. Vlerësim për kulturën dhe debatet. Ju ftoj të punojmë për një Shqipëri më evropiane. Kjo Konventë kontribuoi për një LSI më cilësore. Të rrisim më tej cilësinë e sistemit arsimor. Konventa, solli rritje të kolegjialitetit të LSI-së. LSI të jetë parti më e hapur, më transparente, e përfshirëse. Të jemi parti që nuk kujdeset vetëm për anëtarët e saj. LSI të jetë parti që kujdeset për çdo qytetar. Ne nuk ankohemi asnjëherë ndaj mediave. Të rinjtë të bashkohen për një Shqipëri që ecën drejt BE”, theksoi Meta.

Vasili: LSI sheh përtej politikës së ditës. Votimi elektronik, risi që motivon anëtarët
Duke folur për mediat, në kuadër të kësaj Konvente, kreu i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se “kjo parti ka treguar qasje moderne në politikën shqiptare dhe sheh përtej interesit vetjak, duke iu drejtuar interesit të qytetarëve”.

Ai tha se, “këtë vit, LSI ka futur procesin e votimit elektronik”. Sipas Vasilit, entuziazmi është tejet i lartë. “LSI ka dëshmuar se është një forcë politike që sheh përtej politikës së ditës, por i drejtohet interesit të qytetarëve. Politika jonë, shtoi Vasili është një politikë e mendjes së hapur”.


Ai në këtë kuadër kërkoi uljen e barrës fiskale ndaj këtij sektori.

Haxhinasto: Shqipëria me potenciale të mëdha zhvillimi
Ish-Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto çeli ditën e dytë të Konventës së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ai në fjalën e tij rreshtoi pikat kryesore mbi të cilat mbështetet platforma e LSI-së. Sipat tij, zhvillimi i vendit përmes strukturës dhe reformave cilësore është prioritare për këtë forcë politike, teksa shtoi se reforma zgjedhore sipas kërkesave të OSBE/ODHIR-it mbetet gjithashtu një objektiv i rëndësishëm dhe kërkesë e LSI-së.

Sipas Haxhinastos, puna e LSI-së bazohet tek dialogu, transparenca në vendimarrje. “LSI vazhon të jetë një forcë që ka në thelb të saj stabilitetin, ka mirëkuptimin dhe kërkesën e qartë për cilësinë e reformave. LSI kërkon një proces zgjedhor të bazuar në kërkesat e OSBE/ODHIR-it, LSI ka një vëmendje të jashtëzakonshme për reformën në drejtësi, si mundësi jetike, si rruga e vetme për të rritur zhvillimin e vendit për të garantuar të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve dhe investitorëve në një sistem demokratik”, tha ai.

Sipas Haxhinastos, LSI vlerëson se vendi ka një potencial të madh për zhvillim, në këtë drejtim duhet inovacioni, kërkimi shkencor të rritet në nivelin europian. “Ne besojmë se për të arritur objektivat tona, punësimi do të qëndrojë si prirje drejt zhvillimi të vendit”, tha Haxhinasto, i cili shtoi se në fokus janë dhe politikat fiskale të vendit, politika këto, që sipas ish-ministrit sjellin një dallim të rëndësishëm mes partive.

DITA E DYTË E KONVENTËS SË LSI-SË, PRITET ZGJEDHJA E FORUMEVE DREJTUESE
Lëvizja Socialiste për Integrim vijon sot ditën e dytë të punimeve të Konventës Zgjedhore, ku pritet të zgjidhen forumet drejtuese të partisë.

Nën moton “Një shanc për të gjithë”, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) mblodhi të shtunën Konventën Kombëtare Zgjedhore, në ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. 3000 delegatët e Forumit më të lartë të kësaj partie do të zgjedhin komitetin e ri drejtues dhe kryesinë e re të LSI-së, që do e drejtojnë këtë forcë politike për katër vitet e ardhshme.

Konventës i janë propozuar për postin e Zv.Kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili; për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, Endrit Braimllari dhe kandidaturë alternative Dritan Ylli; për postet e nënkryetarëve të partisë, kandidojnë Luan Rama dhe Kejdi Mehmetaj, si dhe Silva Caka, deputete.

Një tjetër risi e Konventës Zgjedhore do të jetë miratimi në Statutin e partisë i krijimit të Kryesisë Ekzekutive të LSI-së, ku përveç Kryetarit të LSI-së, Sekretarit të Përgjithshëm, Zv.Kryetarit dhe dy N/Kryetarëve, do të jenë pjesë edhe Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim dhe Kryetari i Lëvizjes së Gruas për Integrim.

Votimi në Konventën Kombëtare Zgjedhore do të bëhet në mënyrë të fshehtë dhe me sistem elektronik.