Kontrubuti i KLSH për një menaxhim më të mirë të fondeve tË BE-së në Shqipëri

Yllka PULASHI, KLSH 

Në një shoqëri moderne demokratike, një funksion i pavarur i auditimit publik te jashtëm është thelbësor për një pasqyrim sa me te paanshëm te mënyrës se si paratë e taksapaguesve janë përdorur dhe për përgjegjshmërinë qe ky auditim ka mbi opinionin që jep për përdorimin e fondeve publike. Gjykata Evropiane e Audituesve është institucioni i auditimit të jashtëm të Bashkimit Evropian. Duke ndihmuar për të përmirësuar të gjithë aspektet e menaxhimit financiar të fondeve të BE-së, Gjykata kryen një rol jetik për qytetarët e BE-së. Për kontrollin financiar të fondeve të BE-së, Komisioni Evropian është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të Bashkimit Evropian dhe për të siguruar se burimet e BE-së janë shpenzuar në përputhje me rregulloret në fuqi dhe ne përmbushje te qëllimit qe janë akorduar. Për sektorët që thithin shumicën e shpenzimeve të BE-së (bujqësia dhe programet strukturore), për menaxhimin dhe kontrollin e fondeve janë zbatuar kontrolle në bashkëpunim me shtetet anëtare. Prandaj dhe shpenzimet e Bashkimit Evropian janë subjekt i kontrollet në nivele të shumëfishta brenda Komisionit dhe nga administratat e shteteve anëtare dhe vendeve përfituese. Gjykata, si auditues i jashtëm, ka për detyrë të vlerësoje menaxhimin financiar të buxhetit në tërësi. Nëse shohim një historik të shkurtër e Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), Gjykata e Revizorëve u krijua nga Traktati i Brukselit i 22 korrikut 1975 dhe nisi punë në tetor 1977, me seli në Luksemburg. Traktati i Mastrihtit i 7 shkurtit 1992 ngriti Gjykatën Evropiane të Audituesve në rangun e një institucioni të Komuniteteve Evropiane, duke rritur pavarësinë dhe autoritetin e saj. Traktati ka prezantuar një detyrim për Gjykatën për të publikuar një deklaratë vjetore sigurie (i njohur me akronimin DAS) në besueshmërinë e llogarive të Komunitetit dhe ligjshmërinë dhe rregullsinë e operacioneve themelore financiare. Traktati i Amsterdamit i 2 tetorit 1997 e njohu Gjykatën Evropiane të Audituesve si një institucion të Bashkimit Evropian, duke zgjeruar zyrtarisht objektin e Gjykatës. Traktati theksoi rolin e Gjykatës në lidhje me parregullsitë dhe masat për të parandaluar mashtrimin financiar, duke konfirmuar edhe të drejtat e Gjykatës për apelim në Gjykatën e Drejtësisë, për të mbrojtur të drejtat e saj në lidhje me institucionet e tjera të BE-së. Traktati i Nicës i 26 shkurtit 2001 vendosi që Gjykata Evropiane e Audituesve duhet të ketë në përbërje të saj nga një anëtar nga çdo Shtet Anëtar. Traktati ka dhënë mundësi për Gjykatën për të miratuar kategori të caktuara të raporteve ose opinioneve, duke i mundësuar asaj akses në seksionet e veçanta ose në seancë plenare të Parlamentit Evropian, si dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës dhe Institucioneve Supreme të Auditimit të Shteteve Anëtare të BE-së. Gjykata Evropiane e Audituesve shqyrton llogaritë, si dhe të gjitha faturat dhe shpenzimet e BE-së, duke audituar ligjshmërinë dhe rregullsinë e të gjitha të ardhurave dhe të gjitha shpenzimeve të Unionit, duke siguruar mirëmenaxhim financiar dhe nëse kriteret e ekonomicitetit, efiçiencës dhe efektivitetit janë respektuar. Ajo harton një raport vjetor me vërejtjet e saj në buxhetin e BE-së për secilin viti financiar, i cili përfshin edhe një deklaratë të sigurimit (DAS) financiar në besueshmërinë e llogarive të BE-së. Bashkimi Evropian për vitin financiar te raportuar dhe për ligjshmërinë dhe rregullsinë e transaksioneve në fjalë, mund në çdo kohë të komentojë mbi çështje specifike të raportit. Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucion suprem auditues i mandatuar nga Kushtetuta e vendit, ka analogji me Gjykatën Evropiane të Audituesve, pasi edhe KLSH jep opinion mbi ekonomicitetin, efiçiencën dhe efektivitetin e fondeve publike. Nga eksperienca e KLSH-së, por mbi te gjitha nga ngritja profesionale qe institucioni ka pësuar në 5 vitet e fundit, duke shfaqur një përgjegjshmëri dhe transparencë maksimale ndaj publikut, nga rezultatet e arritura nga puna audituese, ku janë me qindra rastet e denoncimeve dhe abuzimeve të drejtuesve të lartë të administratës publike, si dhe me theksin që ka vënë mbi zhbërjen e anti-kulturës së pa ndëshkueshmërisë, gjykoj se ky institucion tashmë është i aftë që të kryejë auditime të të gjitha llojeve (financiar, përputhshmërie, performance) mbi përdorimin e fondeve që BE akordon për Shqipërinë. Në vendin tonë funksionon Agjencia e Auditimit të fondeve të BE, por që “çuditërisht” e ka vartësin nga Këshilli i Ministrave!? Këtë fakt e përforcon edhe auditimet që KLSH po kryen për investimet me financime të huaja, mbi fondet e huave/kredive/granteve që institucione të njohura ndërkombëtare (Banka Botërore, KfW, Cooperacione Italiana, BERZH, BEI, Banka Islamike, etj), fonde që kanë mundësuar realizimin e qindra projekteve në sektorë të ndryshëm dhe në veçanti në ata strategjikë për ekonominë tonë. Mjafton të lexosh raportimet e bëra nga KLSH në Parlament mbi problematikat e konstatuara nga institucioni për investimet e huaja, për të kuptuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit me të vërtetë mund të kontribuojë ndjeshëm në menaxhimin më të mirë të fondeve të BE-së në Shqipëri. KLSH ka konstatuar nga auditimet e tij, se jo pak institucione shtetërore dhe ente menaxhuese të fondeve të Donatoreve të huaj, nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë veprimtarinë e tyre, për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare, ku shtyrja e afateve ka sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projekteve. Po ashtu, Njësitë e Zbatimit të Projekteve nuk kanë bërë një planifikim në vite për dibursimet e fondeve (huave/kredive) të akorduara, duke sjellë që në të gjitha projektet e audituara të jetë kërkuar dhe të shtyhet afati i realizimit të disbursimeve me më shumë se 4 vjet. Nga ana tjetër, institucionet shtetërore nuk kanë mundur të përmbushin të gjitha detyrimin e përcaktuar në Marrëveshjet Financiare, në lidhje me sigurimin e tokës, si dhe nuk kanë kryer shpronësimet për truallin që nevojitet për realizimin e projekteve. Ka pas raste ku KLSH ka konstatuar, se Njësitë e Zbatimit të Projektit nuk kanë realizuar monitorim të vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve për shërbimin e konsulencës, duke sjellë për pasojë dëm ekonomik për punime të pakryera, por të paguara, cilësi të dobët, shtim të volumeve të punimeve dhe vonesa të tej zgjatura dhe të pa argumentuara e justifikuara në realizimin e komponentëve të veçantë dhe të projektit në tërësi. Njësitë e Zbatimit të Projekteve, në disa raste nuk janë ngritur në përputhje me Marrëveshjet Financiare, ka ndryshime të shpeshta të stafit të tyre, ose ndryshime të strukturës, duke sjellë mosorganizim, mbikëqyrje dhe monitorim të dobët të projekteve. Njësitë e Zbatimit të Projekteve, nuk kanë kryer në mënyrë të vazhdueshme monitorimin. KLSH ka vërejtur edhe problematika të mungesës së fondeve për likuidimin e detyrimit të TVSH-së për detyrimet kontraktore në zbatimin e punimeve civile. Thuajse në të gjitha projektet e audituara ka vonesa në pagesat e TVSH-së, taksës doganore, detyrime këto që përballohen nga pala shqiptare dhe jo nga kreditë e donatorëve. Njësitë e Zbatimit të Projekteve ose Njësitë e Menaxhimit të Projekteve, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave (kryesisht për punimet e ndërtimit), si dhe nuk kanë kërkuar zbatimin e penaliteteve për kontraktorët, të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara. Këto janë një pjesë të problematikave dhe gjetjeve të zbuluara nga KLSH. Institucioni në çdo auditim të kryer ka rekomanduar masa të menjëhershme për përmirësimin e punës dhe të administrimit financiar të programeve dhe projekteve me financimet e huaja, duke rritur eksperiencën e tij dhe treguar gatishmërinë maksimale për të kontribuar në auditimet e projekteve të financuara nga fondet e BE dhe, pse jo për të kontribuar edhe në auditime të përbashkëta, në të ardhmen, me Gjykatën Evropiane të Audituesve.