Kontrolle intensive dhe gjoba – AKU bllokon më shumë se 17 ton farë misri

546
Sigal

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të kontrolleve intensive të ushqimeve dhe produkteve lajmëroi se ka bllokuar sasinë prej 17.5 ton farë misri.

Sipas njoftimit, janë kryer kontrolle zyrtare fillimisht nga drejtoria rajonale e AKU në Elbasan, në subjektet që tregtojnë me pakicë inpute bujqësore. Gjithashtu AKU tha se janë marrë mostra nga fara të ndryshme (përfshirë edhe farën e misrit me emërtimin LG 30600) për t’i analizuar për treguesit cilësor të tyre.

AKU tha se nga këto analiza ka rezultuar se treguesi i fuqisë mbirëse për mostrën e farës së misrit me emërtimin LG 30600 ishte nën normën zyrtare të lejuar për mbjellje.

Drejtoria e Përgjithshme e AKU njoftoi se fillimisht identifikoi subjektin furnizues (përfshirë datën e importimit në territorin e vendit tonë, si dhe sasinë e importuar të kësaj fare) dhe ushtroi kontroll zyrtar në këtë subjekt. AKU bllokoi sasinë prej 17,551.4 kg, si dhe urdhëroi tërheqjen e sasisë prej 100.8 kg gjendje nga subjektet e tregtimit me pakicë në Elbasan dhe Lushnje, me detyrimin për ta kthyer farën jashtë standardit tek furnizuesi.
Përsëri analiza sërish tregoi se normat ishin jashtë atyre të përcaktuara për mbjellje.

Sipas njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi ndaj subjektit furnizues:

1) masën administrative “Gjobë” në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë, për tregtimin e farave me fuqi mbirëse nën normën e lejuar,

2) masën administrative “Bllokim” me qëllim asgjësimin e produktit me sasi 17.5 ton farë misri me vlerë tregu 7,020,400 lekë,

3) detyrimin e subjektit për të njoftuar AKU-në për të qenë prezent në momentin e asgjësimit sipas parashikimeve ligjore në fuqi,

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vendosur dhe i motivuar të verifikojë në vazhdimësi plotësimin e kërkesave ligjore për inputet bujqësore, me qëllim garantimin e fermerëve për produkte sa më cilësore.

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithë secilit.