Kontributi i KLSH-së në menaxhimin e aseteve vendore

749
Nga Qemal Shehu, 
Drejtori Departamenti të Auditimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore në KLSH
Menaxhimi i aseteve është burimi kryesor i të ardhurave në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (NJVQV), pas Reformës Territoriale dhe Administrative. Si i tillë, ai nuk është një aktivitet që mund të përfundojë në një afat të caktuar, por është një proces i vazhdueshëm në fazën e tanishme të zhvillimit të tyre. Nevoja për të mbledhur dhe analizuar të dhënat mbi statusin operacional dhe mirëmbajtjen e aseteve është parësore, pasi pa mbledhjen e të dhënave NJVQV nuk mund të fillojnë të ndërmarrin një planifikim kuptimplotë për menaxhimin e tyre.

Dhënia e pavarësisë dhe rritja e autonomisë së NJVQV ka sjellë në vëmendje domosdoshmërinë e vlerësimit të auditimeve nga KLSH-ja në drejtim të administrimit dhe menaxhimit të aseteve të qëndrueshme që ato zotërojnë në territorin e tyre, si dhe krijimin e të mirave publike ndaj komunitetit. Në auditimet e kryera gjatë viteve 2015-2017, në disa bashki e komuna pas ndarjes së re administrative, rezultatet e pritura në menaxhimin e aseteve nuk janë arritur përkundrazi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shpërdorime e veprime korruptive që sjellin pasoja të pariparueshme juridike e institucionale, ku prona është kthyer në mjet fitimi për titullarë dhe menaxherë të disa njësive vendore, duke i shitur e dhënë me qira pa pasur tagër ligjor, si dhe u ka munguar vizioni dhe përgjegjësia ligjore në ushtrimin e kompetencave, duke u kthyer në “pronarë” të këtyre pronave. Shfrytëzimi i tyre deri tani është pa efektivitet dhe me eficiencë shumë të ulët, pasi produktet e tyre nuk po transferohen si të mira për komunitetin. Në kuadrin e decentralizimit, janë transferuar të gjitha pronat e qëndrueshme në territoret e bashkive dhe ish-komunave, por mungesa e shoqërimit të këtij transferimi me udhëzues të posaçëm apo me trajnime të punonjësve që do të punojnë me administrimin dhe menaxhimin e tyre, ka sjellë amulli. Trajtimi i këtyre resurseve jo në mënyre ligjore dhe si një burim i rritjes së të ardhurave të bashkisë dhe mos‐administrimi i tyre sipas akteve ligjore në fuqi, ka sjellë që një pjesë e aseteve janë “përvetësuar” nga persona që nuk kanë plotësuar kushtet e caktuara dhe nuk kanë njohuri apo kapacitete menaxhuese e administruese. KLSH-ja, duke e vlerësuar maksimalisht rëndësinë e menaxhimit të aseteve vendore, ka kryer trajnime me audituesit e Departamentit të Auditimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, duke evidentuar auditimet cilësore brenda KLSH, si dhe duke bashkëpunuar me lektorë e specialistë të fushës përkatëse për asetet (pyje, kullota, vepra ujore, etj.) dhe me ekspertë të jashtëm, për të ndihmuar audituesit në rritjen të aftësive profesionale të auditimit në këtë fushë, pasi rekomandimet e KLSH-së po japin një impuls të ri. Nga auditimi që ka kryer KLSH-ja në procedurat e transferimit të aseteve, pas Reformës Territoriale, janë konstatuar parregullsi në zbatimin e procedurave në transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, në kundërshtim me ligjin nr. 9228, datë 24.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, i ndryshuar dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave me nr. 510, datë 10.06.2015 “Për miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiviteteve dhe çdo dokumentacion tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial”. Këto parregullsi kanë sjellë mos evidentim të drejtë të inventarit të aseteve të këtyre njësive, si dhe mos evidentim të saktë të të drejtave dhe detyrimeve apo borxhi i bizneseve ndaj njësive të qeverisjes vendore. Kemi theksuar se mos vlerësimi sa duhet i kësaj problematike mund të çojë në një “faliment” apo rritje të huave në nivel lokal, një shqetësim i ngritur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, USAID dhe Banka Botërore. Njësive të Vetëqeverisje Vendore u janë transferuar pjesa më e madhe e pronave, kullotave dhe pyjeve, për të cilat ende nuk janë kryer inventarizimet dhe regjistrimet në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP-të), me justifikimin e mungesës së hartave përkatëse. Bashkimi i ish Komunave me Bashkitë, ka nxjerrë edhe një problem të mprehtë në lidhje me dhënien me qira të sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave bujqësore të pandara me afat kohorë nga 30 deri 99 vjet, ndërkohë një pjesë të tyre i kanë dhënë me qira, pa i pasur ato në pronësi, pasi pronat nuk janë transferuar. Por edhe në rastet kur pronat u janë transferuar Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, dhënia me qira e tyre është bërë në mungesë të plotë të dokumentacionit, problematikë që në një të ardhme jo të largët mund të krijojë një problem social, duke kryer investime në mungesë të dokumentacionit ligjor.

KLSH-ja nga auditimet e kryera në NJVQV, në lidhje me pronat ka konstatuar mungesë vizioni dhe keqadministrim të tyre, për të cilën për përmirësimin e gjendjes kemi rekomanduar masa organizative. Gjithashtu, konstatojmë se bashkitë e kanë të pamundur kontrollin e territorit, dhe në disa Njësi të Vetëqeverisjes Vendore mungon edhe personeli i specializuar për këtë qëllim. Në pjesën më të madhe të bashkive janë krijuar dhe funksionojnë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMTV), por ajo që kemi konstatuar është se këto struktura janë plotësuar me specialistë jo të fushës, duke mos zbatuar ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.

Si KLSH, për përmirësimin e gjendjes, do të këmbëngulim fort në zbatimin e rekomandimeve tona të sigurtw se, prania e vizionit dhe e një strategjie për menaxhimin e aseteve vendore, do të ishte qasja e duhur dhe afatgjatë në shfrytëzimin me efektivitet dhe eficiencë të aseteve vendore. 


Sigal