Kontratat fallco të pedagogëve në universitetet private

1333
Këto ditë një grup akreditimi dhe inspektimi nga Ministria e Arsimit ka vërshuar pranë shkollave të larta private. Nuk e kuptojmë se përse janë zgjedhur këta inspektorë, kur janë pa asnjë kualifikim të nevojshëm postuniversitar për të kontrolluar dekanët, rektorët dhe profesorët e universiteteve private e publike. 

E gjykojmë të domosdoshme të informojmë publikun dhe instancat më të larta shtetërore mbi zhvillimet negative në arsimin e lartë. Ne kujtuam se me mbylljen e shumë universiteteve private, universitetet e tjera që i shpëtuan këtij kontrolli të drejtë dhe të domosdoshëm, do të zbatonin aktet ligjore në fuqi dhe do t’i kthenin universitetet në shkolla të larta të standardeve europiane. 

Por, në fakt, po jetojmë në një kohë kur këto universitete, pronarët dhe drejtuesit e tyre, jo vetëm që nuk zbatuan udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, e cila për hir të së vërtetës tashmë, megjithë shqetësimet tona, nuk do t’ia dijë për këto problematika, por vazhduan si edhe më parë, pra të talleshin dhe mos të kishin frikë e konkretisht:

1. Pedagogët me grada e tituj shkencorë janë detyruar të nënshkruajnë me kërcënim për bukën e gojës së tyre dhe të familjeve të tyre, programe dhe orë mësimore fiktive;

2. Orët e mësimit nuk na paguhen ashtu si janë planifikuar dhe realizohet një evazion fiskal, kur pedagogëve nuk u respektohet e drejta akademike dhe shpërblimi i tyre të kryhet, sipas legjislacionit financiar;
3. Temat e diplomave, korrigjimi i qindra provimeve si në bachelor e në master, nuk na njihet si një e drejtë që duhet të paguhet nga pronarët, por e gjitha kjo të fshihet dhe në një farë mënyre kalon në llogaritë e fshehta të institucionit përkatës dhe jo pak, por pedagogëve efektivë u mbahet një shumë jo e vogël financiare që shkon deri në 6-7 mijë euro në një vit akademik;

4. Pedagogëve edhe me tituj e me grada shkencore u jepet një pagë fiktive e qesharake dhe me pasoja në koston e tyre të mëtejshme një pagë deri në 32 000 lekë të reja në muaj dhe kjo shkon deri në 5-6 muaj, sikur ata janë në pension, ose nuk u jepet në kohë, ose u shtyhet në një kohë pa limit;

5. Një pjesë e pedagogëve kemi punuar në universitetet e mbyllura nga Ministria e Arsimit, por ne si pedagogë kishim në këto universitete pagë mbi bazën e meritës dhe të kualifikimit shkencor, kurse në disa nga këto universitete ku jemi duke punuar tani kemi një rrogë më të vogël se një mësues në arsimin 9-vjeçar;

6. Nuk ka dokumentacion lidhur me veprimtaritë e ndryshme që organizon fakulteti apo departamenti dhe e gjithë kjo u lihet në dorë vetëm të 3-4 vetave që përfaqësojnë masën e madhe të profesoratit;

7. Nuk jepet asnjë ndihmë për kualifikimin e pedagogëve, për pjesëmarrjen e tyre në aktivitete shkencore, si brenda dhe jashtë vendit, për të botuar artikuj e studime më të thelluara shkencore;

8. Në ditët e festave nuk bëhet mësim, edhe pse ato zhvillohen në fundjavë që janë ditë pushimi në kalendar dhe qëllimi është mos të bëhet pagesa e pedagogëve, se për studentët që nuk marrin informacionin e duhur shkencor nuk pyet askush, edhe pse ata paguajnë për studimet e tyre pagesa të shtrenjta;

9. Në disa universitete private nuk na ofrohet asgjë, edhe një tavolinë e kompjuter, nuk kemi sallë ku të qëndrojmë, dukuri që nuk ndodh as edhe në shkollat më të largëta malore e po ta ngresh këtë shqetësim vitin tjetër je i përjashtuar dhe quhesh heretik nga pronari apo nga mëkëmbësit e tyre dhe një masë e madhe sekretarësh mësimorë që bëjnë më shumë punën e informatorit e të kompetentit. 

Çfarë po bëhet kështu? Ku po vemi ne me këta lloj njerëzish, pronarë dhe drejtues të universiteteve private, flasin për rilindje të arsimit të lartë, kur ne fakt po bëjnë me keq se të parët. Ju lutemi, na shpëtoni ne dhe shkollën e lartë nga këta lloj njerëzish, të cilët si dje edhe sot nuk njohin kufij në babëzinë e tyre e mbi të gjitha nuk plotësojnë asnjë standard për të menaxhuar arsimin e lartë. 

Jemi të befasuar. Prisnim ndryshe, por dolëm të zhgënjyer. E dimë që në punën tonë ka edhe të meta, por ato nuk janë të profesorëve, por të atyre që e drejtuan arsimin e lartë dhe e sollën në këto nivele, duke shkelur standardet europiane të arsimit të lartë e duke krijuar kaos në të gjithë veprimtarinë komplekse universitare. 

Një grup pedagogësh të universiteteve private
Sigal