Kontrata e Punës me Sindikatën e Policisë, bllokohet si presion për të mos kërkuar të drejtat sociale të policëve!

1090
Arjan ZADRIMA
Flet Sadetin Fishta, kreu i sindikatës: Për të abuzuar lirshëm me të drejtat ligjore të 11 mijë punonjësve të policisë, drejtuesit e këtij shërbimi nuk përfillin partneritetin social
Sipas nenit 2 të kësaj kontrate, rezulton, se ajo është lidhur me një afat të pa përcaktuar (pa afat) dhe në nenin 8 të saj është parashikuar detyrimi i punëdhënësit (DPP-së), që të mbajë në fuqi këtë kontratë, shoqëruar me listën e nënshkruar prej anëtarëve, gjë e cila është paraqitur prej sindikatës dhe për të mbështetur në këtë detyrim kontraktual, i duhen kaluar detyrimet e kuotizacionit të anëtarëve, në llogarinë bankare të sindikatës
Pasi ka futur në “thes” krerët dhe strukturat e sindikatave të shërbimeve civile në kulturë e art, në miniera, ujësjellës, ndërtim, transport, tregti, naftë, dogana, tatime, arsim, shëndetësi e kudo me afera vendesh pune për familjarët, me mos-hapje dosjesh krimi të abuzimeve që janë bërë me pronat e sindikatave e plotë zullume të tjera, kupola e “rilindjes” i është vërsulur edhe Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, për ta asfiksuar e nxjerr jashtë funksionit ose për ta tjetërsuar në vegël të saj të bindur. Qëllimi i drejtuesve të Ministrisë së Brendshme është që këtij partneri social aktiv e oponent real brenda shërbimit policor shtetëror, t’i mbyllin gojën dhe të “mos e kenë më nëpër këmbë” ose ta kenë kukull të komanduar prej tyre, mbasi sipas krerëve të Policisë së Shtetit, sindikata u kërkon “qiqra në hell”, që na fakt janë plotësim detyrimesh sociale, ekonomike e financiare dhe të drejta të tjera të çdo aspekti, që ligji ua garanton punonjësve të Policisë së Shtetit. Kujtojmë, që diversioni dhe bllokazhet e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, bëhen ndaj aktivitetit dhe të drejtave kushtetuese, të kësaj sindikate të themeluar sipas ligjit e me aktivitet disa vjeçar konform ligjit mbi sindikatat. Synimi për të mos pasur sindikatë edhe në strukturat e Policisë së Shtetit, ka pasur dhe ka si objektiv mosnjohjen e Kontratës Kolektive të Punës mes palëve Sindikatë e Punonjësve të Policisë së Shtetit-Drejtori e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kontratë e konfirmuar konform ligjit mes dy palëve partnere qysh në datën 03.04. 2009. Po çfarë ndodh më ketë kontratë? Përse nuk respektohet prej zyrtarëve të policisë? Çfarë “telashesh” u ka hapur e hap sindikata e policisë në lidhje me moszbatimin e detyrimeve ligjore ndaj punonjësve të këtij sektori? Kush ua jep fuqinë drejtuesve shtetërorë, të shpërfillin kontratën ligjore, të pranuar e firmosur nga vetë Policia e Shtetit? 
Ja shkeljet e ligjit prej policisë së shtetit, në mos njohjen e kontratës së punës dhe bllokimin e kuotizacionit
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë Shqiptare, z. Sadetin Fishta, deklaroi dje për “Telegraf”: Për të abuzuar lirshëm me të drejtat ligjore të 11 mijë punonjësve të policisë, drejtuesit shtetërorë të këtij shërbimi, nuk përfillin partneritetin social duke mos njohur e duke mos zbatuar kontratën e cila i detyron ata për shumë të drejta sociale të punonjësve të këtij sektori publik”! Çfarë ndodh konkretisht? Sot, po flasim për shpërfilljen e Kontratës Kolektive të Punës. ka një ligj të shkelur prej policisë, për zbatimin e Kontratës Kolektive të Punës Nr. 1966 Prot., datë 03.04.2009, të lidhur ndërmjet Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke zgjidhur problemin e kuotizacionit që punonjësit e policisë e paguajnë si anëtarë të kësaj Sindikate. Në këtë shqetësim është përfshirë edhe Avokati i Popullit, me Shkresën Nr. K2lS39-8 Prot., datë 26.11.2015, drejtuar Policisë së Shtetit, me të cilën në bazë të ligjit, i kërkon të respektoj dhe zbatoj këtë kontratë. Drejtoria e Policisë së Shtetit nuk ka zbatuar nenin 8 të Kontratës Kolektive të Punës, të lidhur prej saj me sindikatën e policisë, duke e nisur këtë shpërfillje e moszbatim ligji, me bllokimin e derdhjes së kuotizacionit financiar mujor përkatës të punonjësve, në llogarinë e sindikatës, sipas Statutit të Sindikatës, caktuar në vlerën 0.5% të pagës mujore të çdo anëtari. Sindikata pretendon, se mos-derdhja e kuotizacionit nga Drejtoria e Policisë së Shtetit është bërë në bazë të një telegrami të Drejtorit të Financës se këtij organi, me Nr. 180711, Prot., datë 21.07.2014, dërguar sektorëve të financës të të gjithë organeve të Policisë së Shtetit. Për shkak të këtij qëndrimi arbitrar e të njëanshëm, të mbajtur nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, Sindikatës i është shkaktuar një dëm i madh, i cili ka sjellë si pasojë, vështirësi në funksionimin dhe veprimtarinë ligjore të saj. Gjithashtu, Sindikata pretendon se, ky veprim i kryer nga Drejtoria e Policisë së Shtetit është në kundërshtim të plotë e të hapur me Nenet 8, 16 dhe 17 të Kontratës Kolektive të Punës, lidhur ndërmjet saj dhe Policisë të Shtetit. Po kështu, ka shkelur Nenet 82 dhe 85 të Ligjit Nr, 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit” dhe Nenin 83/4 të ligjit nr. 10812014 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe ka shkelur Nenet 162 dhe 18211lb te Kodit të Punës. Lidhur me këto Avokati popullit ka reaguar, duke theksuar: “Në bazë të kërkesës tonë, ju me shkresën e datës 05.10.2015, ndërmjet të tjerave, na informuat se ky problem ekziston dhe për zgjidhjen e tij, Drejtoria e Policisë se Shtetit, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë është ngritur grupi i punës për rinegocimin e Kontratës me Sindikatën e Punonjësve të Policisë së Shtetit. Në këto takime, sipas jush, Sindikatës i është kërkuar të paraqesë draftin për rinegocimin e kontratës së punës. Po sipas jush, kjo është bërë për arsye se kontrata aktuale nuk është në pajtueshmëri me dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Gjithashtu, na informuat se kjo Drejtori është në pritje të mendimeve nga ana e Sindikatës, për zgjidhjen e këtij problemi. Ndërsa me shkresën e datës 27.10.2015, ndërmjet të tjerave, na informuat se në zbatim të ligjit nr. 9749, datë 04,06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, neni 82, pikat 3, 4 e 85/3 është lidhur Kontrata Kolektive e Punës midis Sindikatës dhe DPP-së me Nr. 1966, Prot., datë 03.04.2009, duke sanksionuar edhe mundësinë e rishikimit kur ka shkaqe objektive për një gjë të tillë. 
Drejtuesit e rinj në zyrat e policisë, kundër kontratës së punës me sindikatën
Në kushtet e ndryshimeve thelbësore në Policinë e Shtetit, filluar me miratimin e ligjit organik, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, marrëdhënia me Sindikatën duhej rishikuar në kuadër të miratimit të ligjit te ri “Për Policinë e Shtetit” Sipas përcaktimeve të ligjit në nenin 83 është sanksionuar marrëdhënia e kësaj Organizate me Sindikatat, jo vetëm me një Sindikatë siç ishte normuar ne ligjin e mëparshëm. Nisur nga ky ndryshim thelbësor, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Drejtori i Financave, më datë 21.07.2014 u kërkoi të gjithave njësive shpenzuese në varësi të Policisë së Shtetit, moskryerjen e ndalesave për kuotizacionin që punonjësit të Policisë së Shtetit që i paguanin në masën 0.5% të pagës. Kjo masë bllokuese sipas policisë së shtetit. për këtë vendim është ankuar sindikata e cila e ka konsideruar shkelje të ligjit. Nga shqyrtimi i kësaj ankese, rezulton se Kontrata Kolektive e Punës është lidhur ndërmjet Sindikatës dhe DPP-së sipas ligjit nr. 9749, datë 04.06. 2007 “Për Policinë e Shtetit”, neni 82, pikat 3 dhe 4 dhe neni 85, pika 3. Sipas nenit 2 të kësaj kontrate, rezulton, se ajo është lidhur me një afat të pa përcaktuar (pa afat) dhe në nenin 8 të saj është parashikuar detyrimi i punëdhënësit (DPP-së), që të mbajë në fuqi këtë kontratë, shoqëruar me listën e nënshkruar prej anëtarëve, gjë e cila është paraqitur prej sindikatës dhe për mbështetur në këtë detyrim kontraktual, i duhen kaluar detyrimet e kuotizacionit të anëtarëve, në llogarinë bankare të sindikatës. Mirëpo policia nuk i kalon, madje i ka bllokuar në mënyrë anti-ligjore, jo se ashtu e ka bindjen dhe kuptimin ligjor në këtë rast, por si presion që sindikata të hesht, të mos kërkoj të drejtat e punonjësve të policisë së shtetit, të cilat janë shkelur, janë mohuar e nuk zbatohen. Në nenin 17 është parashikuar detyrimi i palëve, për të pasqyruar aktet ligjore e nënligjore që lidhen me objektin e saj. Ndërkohë është parashikuar edhe rasti i pezullimit ose e pushimit para kohe të kësaj kontrate, por ajo është e kushtëzuar vetëm me marrëveshje midis palëve. 
Sigal