Kontrabandistët shkarkojnë drejtorin e Antikontrabandës Denion Mejdani

606
Sigal

Drejtoresha e doganave, Erisa Spiropali, firmos largimin e djalit të ish Presidentit Rexhep Mejdani me motivacionin e shkeljes së Kodit të Etikës

 Kreu i Antikontrabandës është  pezulluar me një urdhër të kreut të Doganave, Erisa Spiropali, me motivacionin e shkeljes së kodit të etikës. Denion Mejdani është djali i ish-Presidentit të  Republikës  Rexhep Mejdani dhe njeriut që solli në pushtet socialistët, në vitin 1997. Gjithashtu, Rexhep Mejdani ishte kanditatura fituese, por gjatë natës u tërhoq për kreun e PS-së pas dorheqjes së Nanos, në vitin 2005. Burimet konfidenciale bëjnë me dije, se shkarkimi i tij është bërë  për shkak të informacioneve të zgjeruara, që ka posti, të cilin mbante Denioni, informacion të cilit, drejtuesit e rinj i trëmbeshin, nëse ato binin në dorë të babait të tij, Rexhep Mejdanit. Megjithëse këto mbeten hipoteza dhe koha do tregojë edhe shumë zhvillime, të cilat kanë nisur që në ditët e para në institucionin që po përgatitet të kalojë nën kontrollin dhe menaxhimin e kompanive të huaja, angleze. Kreu i Antikontrabandës, Mejdani është emëruar në këtë detyrë në 2 shtator, vetëm 8 ditë para se socialistët të krijonin qeverinë. Është pikërisht, koha kur shumë titullarë janë emëruar në bazë të një marrëveshjeje të fshehtë,  mes atyre pushtetarëve që ikën dhe atyre që ishin emëruar dhe prisnin të kapnin karrigen e ministrit. Por le t’i kthehemi shkarkimit, apo pezullimit të kreut të Antikontrabandës. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, shkelja e etikës është arsyeja e pezullimit. Po çdo të thotë “shkelja e Kodit të etikës”? Përse ky shkarkim ndodhi pikërisht, në këtë moment kur shtetit i janë kthyer në arkën e tij rreth 60 milionë euro, vetëm për 1 muaj e pak, nga koha që e Majta erdhi në pushtet? E vërteta kërkon zgjidhje dhe arsyen se kush e shkarkoi në të vërtet Denion Mejdanin. Hipotezës politike, si djali i ish-Presidentit socialist, Rexhep Mejdani, qëndron, por jo aq e fortë sa t’i mbushë mendjen, mikut të Rexhep Mejdanit, ministrit aktual, Shkëlqim Cani, që të firmos shkarkimin e djalit të tij. Për më tepër, do ishte paradoks, kur mendon që në vitin 1997, Rexhep Mejdani ishte njeriu që propozoi Canin, për postin e Guvernatorit dhe më vonë e dekretoi atë, kur Mejdani u bë President. Të gjitha këto janë më tepër të karakterit moral dhe jashtë të vërtetës së mundshme. Besojmë, sipas  rrjedhës së ngjarjeve të këtyre ditëve, se e vërteta fle në një tjetër vend, që fillon nga bllokimi i miliona eurove në kontrabandën e naftës. Ajo e djeshmja me lëndën e parë, melasën, për përgatitjen e alkoolit  deri tek e famshmja kontrabandë e Kurumit. Kontrollet e “Kurumit” dhe “ngatërresa” e kodeve, në magazinat doganore të Durrësit, me ato të Elbasanit, duket se janë një patate e nxehtë, për qeverinë e Kryeministrit Rama. Kontrabandistët i kanë bërë kërkesë drejtuesve të lartë të doganës, antikontrabandës dhe shtetarëve, gjatë takimeve  konfidenciale, se nëse, “nuk tërhiqeni shpejt, do përfundoni në rrugë”. Madje, në një rast përmëndet fakti, se ditën që ankimimet do shkojnë për rekurs, në Drejtorinë e Doganave, Denion Mejdani do jetë i shkarkuar. Dhe ‘profecia “ e kontrabandistëve me kollare, doli. Kreu i Antikontyrabandës u shkarkua dhe arsyeja është pikërisht, e kundërta e asaj, që është në realitet. Nuk bëhet publik, roli i një ambasadori, premtimet për miliona euro kredi dhe kush fshihet pas firmave që gllabërojnë pasurinë e shqiptarëve. Përse disa firma kanë krijuar monopolet dhe po pastrojnë paratë, duke djegur dhe helmuar çdo ditë popullatën shqiptare. Në një nga ditët e aksioneve të bujshme, pasi  kishin muaj që ishin konstatuar shkeljet, apo parregullsitë e publikuara me bujë, ka pasur debate shumë të ashpra dhe ofenduese, mes drejtuesve të niveleve të përshkallëzuara me fyerje dhe ofendime për  të vetmin fakt, se janë bërë publike ato kompani, që nuk duhet të bëheshin. Drejtori i Anti–Kontrabandës u shkarkua,  megjithse u bënë deklarata të forta, për suksese nga doganat. Mbetet të zbardhet  misteri se përse disa aksione publikohen në “web”-in e drejtorisë dhe disa jo. Këto dhe shumë fakte konkrete për të vërtetën e këtyre ditëve, milonat që duan të fshihen në këmbim të miliardave, do të bëhen  publike në kohën e duhur, duke respektuar dhe “apelimet” e bëra.