Kontrabandistët italianë u janë sulur pyjeve të Durrësit

99

Nis sezoni i gjuetisë, 1500 gjuetarë nga Italia bëjnë kërdinë me faunën e egër të vendit tonë!

Gjuetarët e huaj po bëjnë kërdinë me vrasjen e shpendëve dhe kafshëve të egra në vendin tonë. Nëse zyrtarisht lejohen 1500 gjuetarë kryesisht nga Italia po kaq të tjerë hyjë ilegalisht në vendin tonë, duke shfarosur në mënyrë të paligjshme faunën e egër të vendit  tonë. Apeli është dhënë nga Durrësi, ku përgjegjëse është Ministria e Mjedisit, nga shoqata e Gjuetarëve Shqiptarë, të cilët në një takim të zhvilluar kanë renditur problematikën e madhe. Në një krah gjuetarët e paligjshëm dhe në anën tjetër kontrabandistët e drurit, po shfarosin pyjet në Qarkun e Durrësit. Në shënjestër te kontrabandistëve janë vënë pyjet në gjirin turistik të Lalëzit dhe pyjet e Ishmit, nga subjekte dhe individë të paautorizuar.

Takimi

Gjuetarët kërkojnë që të ndalohet gjuetia nga të huajt në territorin e vendit tonë. Kjo ka qenë kërkesa e që doli nga një takim i zgjeruar i shoqatave të ndryshme të gjuetisë, takim ky i zhvilluar në Durrës. Takimi i të gjitha shoqatave të gjuetisë në vend është organizuar me qëllim marrjen e masave për menaxhimin sa më të mirë të sezonit të gjuetisë, i cili u hap në 15 gusht. Themi Perri, kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, ka kërkuar që “edhe autoritetet shtetërore të marrin masat e nevojshme që të ndalohet shkatërrimi i faunës së egër të vendit nga gjuetia pa kriter”. Në takimin e zhvilluar në Durrës u shqyrtuan një sërë problemesh dhe u vendos marrja e një numri masash në prag të hapjes së sezonit të gjuetisë, si: kontrolli i licencimit të armeve, instruktimi i gjuetarëve për kriteret ligjore të zhvillimit të këtij aktiviteti, respektimi i kushteve ligjore për kafshët e mbrojtura, etj.. Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.

Problematika

Sipas të dhënave zyrtare të Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, çdo vit vijnë në vend afro 1 500 gjuetarë të huaj. Ardhja e tyre organizohet në grupe nga agjenci të ndryshme turistike. Por, gjuetia pa kriter që aplikojnë ata ka sjellë dëme të ndjeshme. Themi Perri, kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, ka deklaruar se gjuetarët e huaj janë duke rrezikuar, çdo ditë e më shumë, faunën e egër të vëndit tonë. “Çdo vit, mbi 1 500 gjuetarë të huaj bëjnë kërdinë në vendin tonë,” – tha Perri në takim. Krahas tyre, problematike shfaqej edhe prania e gjuetarëve që hyjnë në vend pa njoftuar asnjë lloj autoriteti shtetëror apo pa njoftuar Shoqatën e Gjuetarëve të Shqipërisë, dhe gjuajnë me armë të ndaluara, duke shkaktuar dëme masive. “Për më tepër që dyfishi i shifrës zyrtare të gjuetarëve të huaj vijnë ilegalisht në vendin tonë dhe gjuajnë me mjete të ndaluara, – ka shtuar Perri. – Në këtë masakër janë bashkëfajtore edhe disa agjenci, të ashtuquajtura turistike, por që nuk janë të tilla dhe sjellin gjuetarë të huaj klandestinë në vendin tonë.”