Kontrabandistët e Krapit shkatërrojnë Liqenin e Shkodrës

664
Sigal

Zbardhet skema e zhvatjes, nëpërmjet shantazhit, e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit në liqenin e Shkodrës

Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në liqenin e Shkodrës, OMP, akuzohet se po drejton një skemë shantazhi/zhvatjeje për peshkatarët që përdorin mënyra ilegale peshkimi, të tilla si përdorimi i gjeneratorëve. Intervistat me peshkatarët vendas, të cilët kanë shkelur ligjin për vite me radhë duke peshkuar me gjeneratorë, sugjerojnë se OMP po aplikon një skemë të thjeshtë, por shumë efikase shantazhi qëkur qeveria i transferoi asaj kompetencat për ruajtjen e liqenit në shkurt të 2014. Çdo peshkatar që përdor metoda të paligjshme peshkimi, si përdorimi i gjeneratorëve ose të tjera, duhet t’i paguajë OMP-së një ryshfet, i cili përllogaritet në bazë të sasisë së peshkut të kapur. Në këmbim, organizata nuk e raporton aktivitetin e tyre të paligjshëm në polici.

“OMP-ja e ka kthyer liqenin në pellgun e saj privat,” i tha BIRN-it një ndër peshkatarët që përdorin gjeneratorin për të kapur peshq. “Ata bajnë si të dojnë vetë, lozin si të dojnë vetë”, shtoi ai. Grupimet mjedisore thonë se peshkimi i paligjshëm, si për shembull mes përdorimit të rrymës elektrike të gjeneratorëve, ka pasur një impakt shkatërrimtar mbi sasinë e peshkut në liqenin e Shkodrës këto dy dekadat e fundit.

Një nga peshkatarët i tha BIRN-it se përpara se OMP-ja të merrte përsipër ruajtjen e liqenit ata duhet të binin në ujdi me policinë kufitare, ose me ‘Rangersat’ e liqenit, por tashmë, kushdo që paguan organizatën mund të peshkojë pa i hyrë halë në këmbë.

Peshkatarë të ndryshëm në intervistat e tyre individuale thanë se skema e shantazhit drejtohet nga kreu i OMP-së, Arjan Çinari, dhe nga njerëzit e tij të afërt brenda organizatës. Përpara se të drejtonte OMP-në, Çinari ka qenë oficer policie. Në vitin 2006 ai është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjykata i rrëzoi më pas akuzat kundër tij. I pyetur mbi akuzat se organizata e tij po zhvat para nga peshkatarët vendas, Çinari mohoi çdo abuzim. Ai gjithashtu tha se qëkur OMP ka marrë kontrollin e liqenit, peshkimi i paligjshëm mes përdorimit të gjeneratorëve është ndalur krejtësisht. “Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë”, i tha ai BIRN-it. “Do të ishte njësoj sikur i zoti i shtëpisë të lejonte një hajdut në shtëpinë e tij. Kjo nuk ka asnjë kuptim”, shtoi Çinari.

Liqeni i Shkodrës dhe OMP-ja

Liqeni i Shkodrës numëron 34 specie peshqish autoktonë prej të cilëve shtatë janë endemik, veçanërisht krapi, gjuca dhe ngjala. OMP-ja është ngritur në vitin 2003 dhe është regjistruar si anëtare e federatës shqiptare të ujërave të brendshëm dhe ndërkufitare, e cila është themeluar në Tiranë në vitin 2011. OMP-ja menaxhon ujërat e Liqenit të Shkodrës në bazë të një kontrate të nënshkruar me Ministrinë e Bujqësisë në gusht të vitit 2013 dhe një marrëveshjeje të nënshkruar në shkurt të 2014 “Për Ruajtjen e Ekuilibrave Ekologjik dhe Shfrytëzimit Racional të Burimeve Peshkore ne Liqenin e Shkodrës”.

Peshkimi me gjeneratorë

Peshkimi me gjeneratorë në këtë liqen kryhet ditë dhe natë, në varësi të sezonit.

Një nga peshkatarët e shoqëroi reporterin e BIRN në një pjesë të liqenit që ishte plot me kallamishte, ku kishin ndaluar mbi 10 varka. Ai ishte vendi ku ndalonin peshkatarët të cilët peshkonin me gjeneratorë, shpjegojë ai. “Këta gjujnë natën me dritë, kurse ditën gjujnë këtu afër, pra kur ka shumë ujëra në pranverë,” tha ai duke treguar nga kallamishtja. Alminda Mema, menaxhere e qendrës mjedisore Ahrus në Shkodër, thotë se peshkimi i paligjshëm në Liqenin e Shkodrës vazhdon të jetë i zakonshëm dhe ka sjellë pasoja katastrofike. “Ky fenomen nuk ka pasur një ndikim negativ vetëm në aspektin mjedisor, por ka sjellë pasoja sociale dhe ekonomike gjithashtu,” shpjegoi ajo. “Duke u pakësuar sasinë dhe cilësinë e rezervave të peshkut, zvogëlohen dhe mundësitë e peshkatarëve të rregullt për të fituar bukën e gojës”, shtoi ajo. “Është shqetësuese, që pavarësisht kontrolleve nga OMP dhe presionit të ligjit për ndalimin e peshkimit të paligjshëm, ai sërish vazhdon”, vazhdon znj. Mema.

Inspektorët e OMP-së heshtin për çmimin e duhur

Peshkatarët vendas thonë se inspektorët e OMP-së e mbyllin njërin sy për aktivitetet e paligjshme – për çmimin e duhur. Një peshkatar i tha BIRN-it se peshkimi me gjeneratorë ishte një fenomen i përhapur në zonën e Shkodrës, duke u shtrirë nga grykëderdhja e Bunës dhe deri në zonën e Malësisë së Madhe, në kufi me Malin e Zi.

Peshkatari raportoi se ata që peshkonin duke përdorur dinamit për të trullosur dhe kapur peshqit i shmangen policisë, ndërsa ata që përdorin gjeneratorët thjesht i japin ryshfet OMP-së. “Tash duhet t’i paguajmë më shumë para OMP-së, të cilët e kanë kthyer liqenin në pronë private”, tha një peshkatar. “Lejet jepen nga Arjani [Çinari]; ai të lejon që të peshkosh me gjenerator pa të shqetësuar njeri, edhe pse përdorimi i gjeneratorit është i paligjshëm”, shtoi ai. Sipas peshkatarit, miqtë e Çinarit në organizatë u kërkojnë çdo peshkatari që peshkon me gjenerator nga 3,000 deri në 5,000 lekë dita, në varësi të sasisë së peshkut të kapur. “Çdokush që flet me Arjanin, ka një marrëveshje; ai është njëshi këtu”, thotë peshkatari. “Në të kundërt, ata të sekuestrojnë peshkun dhe të dorëzojnë në polici”, shton ai. Një tjetër peshkatar i intervistuar nga BIRN-i tregoi gjithashtu se rryshfeti që i paguhej zyrtarëve të OMP-së varionte nga 3,000 deri në 5,000 lekë në ditë.

“Pa organizatën s’del kush, po s’more “leje” te organizata, po s’paguve, nuk del për peshkim”, tha ai. Peshkatari i tha BIRN-it që njerëzit vazhdojnë të peshkojnë me gjenerator në Liqenin e Shkodrës, pavarësisht dëmeve që sjell për mjedisin, sepse kanë nevojë të fitojnë bukën e gojës. “Çfarë të bëjmë, duhet të ushqehemi”, tha njëri prej tyre. “Kjo është puna jonë dhe nuk dimë të bëjmë gjë tjetër”. Një oficer policie i cili foli në kushtet e anonimatit i tha BIRN-it se ka pasur fjalë të shpeshta se organizata e Çinarit zhvat para nga peshkatarët. “Peshkatarët që janë ndaluar nga policia kufitare me gjeneratorë kanë implikuar dhe OMP-në, por asnjë akuzë nuk është ngritur në mënyrë zyrtare”, tha polici. Në përgjigje të këtyre akuzave, Çinari përsëriti pretendimin e tij se ai dhe ekipi i tij kanë ndaluar përdorimin e paligjshëm të gjeneratorëve. “Të 400 varkat me gjeneratorët që peshkonin në mënyrë të paligjshme, janë zhdukur pothuajse të gjitha”, tha ai. “OMP-ja ka qenë organizata e vetme që ka luftuar këtë lloj peshkimi, sepse e di shkatërrimin që shkakton”, shtoi Çinari./BIRN

som

Organizata e ngarkuar me ruajtjen e thesarit mjedisor të mbrojtur shqiptar akuzohet se drejton një skemë shantazhi për peshkatarët e paligjshëm që po shkatërrojnë faunën e liqenit