Kontigjenti Paqeruajtës niset në Kabul/ Kodheli: Të mbajmë në këmbë gjithçka kemi ndërtuar

619
30 efektivë të Batalionit të Parë të Këmbësorisë në Vaun e Dejës, pjesë e trupës së Kontigjentit të Dytë Paqeruajtës u nisën për të shërbyer në Kabul të Afganistanit, ne kuadër të “Resolute Support Mision”. Në ceremoninë e organizuar në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij Kontgjenti, ministrja Kodheli nënvizoi rëndësinë e kontributit shumë vjeçar që FA Shqiptare ka dhënë përkrah me aleatët dhe partnerët e NATO-s.
“Ju, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Batalionit të Parë të Këmbësorisë, po niseni drejt një rajoni të largët, por ku shumë shqiptarë, kolegë tuajt, kanë shkruar historinë e sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit ushtarak. Që nga viti 2002, ishim ndër të parët që iu bashkuam Koalicionit Ndërkombëtar që u vendos në Afganistan për të luftuar të keqen që vinte nga radikalizmi dhe fundamentalizmi, në kuadër të misionit ISAF. Misioni në Mbështetje të Rezolutës, ndihmon ngritjen e kapaciteteve të sigurisë në Afganistan, duke ndihmuar personelin vendas për më shumë ekspertizë dhe profesionalizëm. 
Duhet të mbajmë në këmbë gjithçka kemi ndërtuar në këto vite në Afganistan. Si ministër i Mbrojtjes dëshiroj t’ju siguroj se qeveria është e vendosur t’ju mbështesë në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, modernizimin e pajisjeve, si dhe për krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore. Ende mbetet shumë për t’u bërë, por është me rëndësi të theksoj se ju keni atë çka nevojitet për të përmbushur misionin e ngarkuar”, u shpreh Kodheli.
Në ceremoninë e përcjelljes së Kontigjentit të Dytë Paqeruajtës në Afganistan ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hidyet Bayraktar, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FA, familjarë dhe të afërm të paqerujtësve etj.
Sigal