Konsulli i Greqisë “presion” mbi drejtësinë shqiptare

606
Sigal

SARANDË/ Objekt i padisë, për të cilën shfaqi interes konsulli, janë disa dhjetëra hektarë kullota mbi liqenin e Butrintit

Mesditën e së mërkurës në mjediset e jashtme të Gjykatës Sarandë u shfaq konsulli i Greqisë Nikolas Kotrokoi në shoqërinë e komunarëve të Komunës Aliko. Kotrokoi hyri si dëgjues publik në seancën gjyqësore drejtuar nga gjyqtarja Gentiana Xhelili, me objekt padi të ngritur nga Komuna Aliko, përfaqësuar nga kryetari i komunës dhe një avokat ndaj Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Për 60 minuta, duke i përkthyer zhvillimin e seancës, konsulli nuk foli, ndoqi ecurinë e procesit. Në mjediset e gjykatës, pas shfaqjes së një konsulli në seancë u rrit kureshtja se për çfarë bëhej fjalë dhe pse autoriteti diplomatik po shfaqej si një shtetas i thjeshtë, pa protokoll. Vizita e zyrtarit diplomatik në një seancë kaloi jo pa presion, pavarësisht mungesës së sistemit video online regjistrim i detyruar i seancave, ai nuk i shpëtoi aparatit të reporteres. Objekt i padisë, për të cilën shfaqi interes konsulli, janë disa dhjetëra hektarë kullota në faqen perëndimore të malit të Sorrones, mbi liqenin e Butrintit, për të cilat paraqet tani pretendime zyrtarisht Komuna e Alikos dhe që ka vite që i janë kthyer pronarëve legjitimë, 6 familjeve të mëdha shqiptare.

 Procesi

Konsulli i Greqisë në Gjirokastër tha: “Isha në seancë jo për presion, por për kostatim: Sistemi i drejtësisë ka bërë përmirësime”. Konsulli i Greqisë në Gjirokastër, Nikolas Kotrokoi mori pjesë si publik në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë mesditën e së mërkurës. Konsulli deklaroi se, mori pjesë në seancën gjyqësore si dëgjues jo për të ndikuar presion mbi gjykatën, por për të parë nga afër një proces që ka interes minoriteti grek, shtetas shqiptar me origjinë greke, dhe të konstatoj se drejtësia është e njëjtë për shtetasit shqiptar dhe minoritetin. Konsulli deklaroi se mbetet shumë e rëndësishme që miqtë shqiptarë duan të futen në Bashkimin Europian dhe se përshpejtimi i përpjekjeve për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe shtetin ligjor, duke konstatuar se ka premisa të dukshme përmirësimi. Në seancën e hapur për publikun gjykohej një padi e Komunës Aliko ndaj Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë. Sipas paditësve, kryetari i Komunës Aliko, Kristo Kaishi, objekti janë kullotat e kthyer pronarëve nga Gjirokastra me vendime të kthimit të komisionit të pronave në malin e Sorones, në fshatin e Qenurjes, mbi liqenin e Butrintit. Kaishi konfirmon se i janë drejtuar gjykatës pasi pretendojnë për dokumente të falsifikuara në njohjen e pronësisë. Pronarët e ligjshëm të pranishëm në gjyq, komentuan se edhe pse nuk foli konsulli i Greqisë në seancë, prania e tij i dha rëndësi procesit, ku Kryekomunari i Alikos po pretendon falsifikim të dokumenteve dhe kërkon ç’regjistrimin e pronarëve të ligjshëm. Shtetasja Veronika Jano, një nga 6 pronarët legjitimë, e pranishme në seancë pohon se kryekomunari ka penguar zbatimin e certifikatave të pronësisë qëllimshëm.

Ish- drejtorja e ZRPP

Ish- drejtorja e ZRPP, Vitore Peçi, pohon se bëhet fjalë për 280 hektarë kullota të kthyera me dokumente të hershme arkivi dhe origjinale, të mbështetura nga vendime ligjore të komisionit të kthimit të pronave dhe që tashmë pronarët i kanë me certifikata pronësie prej vitesh. Sipas zonjës Vitore Peçi, që kur u zgjodh kryetar komune Kristo Kaishi mbërriti me zhurmë në zyrën e hipotekës dhe kërkoi regjistrim të sipërfaqeve me pronarë të hershëm për administrim të komunës, pasi sipas tij janë toka të minoritetit grek. Termi i minoritetit shfaqet edhe në komentin e konsullit, i cili ndoshta është keqinformuar nga përfaqësuesit lokalë, pasi edhe një vit më parë, pasi dështoi në rrugë ligjore Kristo Kaishi organizoi një protestë me familjarë të tij në sheshin e Komunës Aliko nën motivin se kishte zbuluar falsifikime nga pronarët e viteve ‘30. Si situatë të dukshme po përdoren disa hektarë të përfshirë në koordinatat e pasurisë së 123 pjesëtarëve të familjes Angoni. Këtë herë Kristo Kaishi ka përfshirë edhe një diplomat të vendit fqinj, të vendit mik Europian. Nuk është hera e parë që ky diplomat shfaqet në Gjykatën e Sarandës. Çuditërisht prania e tij mbahet në heshtje, një presion i hapur për gjyqësorin shqiptar, pavarësisht dashamirësisë diplomatike që publikon konsulli.

Veronika Jano, pronare

Në sallën e gjyqit një nga pronarët, Veronika Jano, tha: “E mora vesh dhe më kanë autorizuar Zyrës e Regjistrimit, në sallën e gjyqit nuk kishte përfaqësues nga hipoteka, sepse ishte radha jonë për të folur, dhe meqenëse juve e keni blerë nga Sejdajt në 1936 dhe jeni bashkëpronarë me familjen 240 hektarë, ku 120 hektarë janë tonat, shumë bashkëpronarë. I kemi marr nga Gjykata e Lartë e formës së prerë. Ne jemi në kufij territori me Komunën Aliko, ne i kemi tapi të noterit Kokalari, është blerë me flori. Ne kemi pritur prej vitesh zbatimin nga përmbarimi, këta të komunës tani që shteti na e dha na kanë hedhur në gjyq. Si fillim na e kërkuan si pjesë për rrugë dhe më pas na çuan në gjyq”, përfundon bisedën Veronika.