Konkursi për Vijën Bregdetare të Vlorës, aplikojnë 96 projektues

588
Sigal

96 projektues kanë aplikuar në konkursin për Vijën Bregdetare të qytetit të Vlorës. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit njofton se Konkursi Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare të qytetit të Vlorës, ka tërhequr një numër rekord aplikimesh. 3 ditë përpara përfundimit të afatit zyrtar të dorëzimit të aplikimeve në faqen e Konkursit  kanë aplikuar 96 projektues, nga te cilët 66 studio ndërkombëtare, 15 studio vendase dhe 15 grupime studentore. “Për shkak të kërkesave të shumta nga ana e aplikantëve për pjesëmarrje, në fund të muajit Janar, Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit vendosën të zgjasin afatin e dorëzimit të dokumentacionit për konkurrim me 2 javë, në mënyrë që t’u japë konkurrentëve më tepër kohë për të përgatitur propozimet e tyre. Data e fundit e aplikimeve është 12 Shkurti dhe në faqen zyrtare të konkursit ëëë.vloraëaterfront.al mund të mësohen të gjitha detajet në lidhje me këtë proces.

Pas datës 12 Shkurt, juria e ndërkombëtare e konkursit do të vlerësojë propozimet dhe do të përzgjedhë 5 studio/ propozimet më të mira, të cilat do të ftohen të paraqesin propozimet e tyre drejtpërsëdrejti përpara jurisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Vlorës, duke përzgjedhur më pas fituesin”, bën me dije Ministria e Zhvillimit Urban.

Faza finale e konkursit dhe shpallja e fituesit do të bëhet më datë 21 dhe 22 Shkurt, në Vlorë. “Ky aktivitet do të shoqërohet edhe me ekspozimin publik të të gjitha propozimeve të ardhura në adresë të Konkursit Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare të Vlorës” sqaron ministria. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit më 28 Nëntor të vitit që lamë pas, Ditën e Pavarësisë së Kombit, në prani të qytetarëve të Vlorës shpalli Konkursin Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare të qytetit të Vlorës. Konkursi organizohet për të mbledhur idetë më të mira të projektimit urban për një vijë bregdetare me gjatësi 4.9 km dhe shtrirje nga Pylli i Sodës deri tek tuneli. “Konkursi ndërkombëtar për rehabilitimin dhe rivitalizimin e hapësirës urbane brenda Vijës Bregdetare të Qytetit të Vlorës synon ta shndërrojë shëtitoren në një zonë këmbësore me gjallëri të jashtëzakonshme, në një destinacion për turistët dhe vizitorët që mbërrijnë nga mbarë bota” sqaron Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Mos harroni  një  pishinë verore për Vlorën!

Vendimi  i qeverisë për  sistemimin e vijës bregdetare nga pylli i Sodës deri tek tuneli,  ka bërë që qytetarët vlonjatë dhe turistët të shijojnë jo vetëm peizazhin e veçantë që ofron deti me gjirin e saj, por edhe të veçantën që ka ky qytet, Gadishullin dhe Ishullin njëkohësisht. Projektideja e vijës bregdetare, përveçse  do të  zgjidhë  problematikën urbanistike, duhet që të jetë edhe sa më atraktive në projektin që pritet të miratohet.  Qytetarët Vlonjatë, sportdashësit  dhe dashamirësit e notit nuk mund ta kuptonin dot qytetin e tyre pa pishina verore, apo zadrën e tyre.  Bregdeti i Vlorës u mbush me lloj–lloj lokalesh, qoftesh e picerish, mish i pjekur  në dimër, misra në vjeshtë dhe makarona me fruta deti  në çdo stinë, por vetëm pishina verore (zadra) nuk u ndërtuan dhe nuk u lejuan, sepse tek to nuk kishte kush interes. Është detyrim moral, qytetar dhe në respekt të traditës që Vlora, ashtu sikurse Saranda, Pogradeci dhe Shkodra në Bunë të ketë një pishinë verore,  ku të stërviten sportistët e qytetit, të bëhen aktivitete dhe spartakiada gjatë stinës së  verës.  Vendet se ku mund të realizohet ky projekt  janë të shumta.  Më të përshtatshmet janë ato që frekuentohen nga qytetarët në xhirot dhe shëtitjet e tyre, pranë portit aktual, ose në plazhin e ri aty, ku sot është moli (ish- VEFA)  dhe ku dikur shkollat tetëvjeçare dhe ato të mesme organizonin spartakiadat e qytetit në garat e notit. Ashtu siç janë planifikuar fusha tenisi, basketbolli, volejbolli etj., ashtu të planifikohet edhe një pishinë.

 Qytetarët vlonjatë, ekipet e notit të Vlorës dhe familjarët  e sportistëve do gjejnë kënaqësinë dhe do të shprehin vlerësimin  për këtë risi, e cila pa dyshim që mban emrin e Kryeministrit Rama.