Konkurrenca ul në 22 euro çmimin e biletës në portin e Vlorës

2145
Nga 80 euro çmimi i biletës deri para 3 muajve, sot është në 22 euro, në portin e Vlorës. Ky është çmimi i biletës, për të shkuar në Itali, ofruar nga trageti Horizon, i kompanisë Ruci Line. Ky është rezultati i konkurrencës të vendosur tashmë në linjën Vlorë -Brindisi e anasjelltas, nga trageti i ri Horizon, i cili i ka dhënë fund monopolit të një trageti dhe çmimeve të larta të biletave. Gjatë tre viteve të fundit, ekzistenca e vetëm një trageti në linjën Vlorë Brindisi, kishte krijuar problem me çmimet e biletave, çmime të cilat kundërshtoheshin vazhdimisht si të larta nga udhëtarët që udhëtonin drejt Italisë, nëpërmjet portit të Vlorës. Çmimet arrinin kulmin, deri në 80 euro, sidomos në sezonin e verës e të fundvitit, kur dhe numri i njerëzve që udhëtonin vajtje ardhje për në Vlorë, ishte i madh. Por tashmë në portin e Vlorës kemi një realitet të ri, kemi një traget të ri, kemi të tjera çmime biletash, ndryshe nga sezonet e tjera të verës. Filluar punë në datën 7 maj të vitit 2015, trageti Horizon, me kapacitet prej 800 pasagjerë, 30 trailer kamionë e 240 automjete, ka rritur cilësinë e udhëtimit dhe ka ulur ndjeshëm çmimin e biletës, deri në 22 euro, aq të dëshiruar nga udhëtarët, të cilët në shumë raste e braktisnin portin e Vlorës, për shkak të këtyre çmimeve të larta. Shtimi i një tjetër trageti në linjën Vlorë Brindisi është një kontributi qeverisë shqiptare, një premtim i mbajtur i saj, për të rritur numrin e trageteve në portin e Vlorës si dhe për ti dhënë fund monopolit të një trageti të vetëm. Trageti Horizon i kompanisë Ruci Line është pikërisht fryt i këtij kontributi, i cili udhëton çdo ditë nga Vlora për në Brindisi dhe anasjelltas, duke kthyer besimin e udhëtarëve që udhëtojnë me të, për cilësinë, shpejtësinë e udhëtimit por mbi të gjitha për çmimin e ulët të biletës. Drejtuesit e kompanisë shprehen të kënaqur për bashkëpunimin me autoritetet portale në portin e Vlorës, por mbi të gjitha me qeverinë shqiptare e cila mundësoi shtimin e një trageti të dytë në linjën Vlorë Brindisi, si një politik e drejtë në shërbimin ndaj shtetasve shqiptarë e jo vetëm. Sipas tyre, numri në rritje i udhëtarëve që zgjedhin portin e Vlorës për të udhëtuar drejt Italisë, është pikërisht si rezultat i kësaj politike të bërë nga Qeveria, për ti rikthyer imazhin dhe dinjitetin e munguar ndër vite, portit të Vlorës
Sigal