Konispol: Ja si favorizohet familjari i kryebashkiakut

664
Sigal

Denoncimi i banorit të fshatit Xarrë: Favorizohet i afërmi i Kryebashkiakut

Bashkia e Konispolit ekzekuton vendime pa pritur verdiktin e gjykatës

Të kesh të afërm kryetarin e bashkisë do të thotë të kesh pushtet të pa kufizuar. Të prishësh dhe të ndreqësh çfarë të duash e mbi këdo. E themi këtë lidhur me një denoncim pranë gazetës “Telegraf” nga qytetari Nokë Tërshalla, banor i fshatit Xarrë i bashkisë Konispol. Sipas zotit Nokë bashkia e Konispolit ka lëshuar një urdhër dhe e ka ekzekutuar atë ndaj banesës së tij, ndonëse çështja është në gjykatën administrative të Gjirokastrës e cila e ka pajisur qytetarin edhe me dokumentacionin përkatës, por kjo nuk është marrë parasysh nga Bashkia e Konispolit e cila menjëherë ka ekzekutuar vendimin më datën 22 shkurt për prishjen e shtesës. Zoti Nokë Tërshalla thotë se është banor i Xarrës qysh nga viti 1990 dhe në vitin 1993 ka privatizuar një pjesë të objektit ish-magazinë e ish-Nb-së së Xarrës konform të gjitha rregullave dhe akteve ligjore në fuqi. Pjesa tjetër është privatizuar nga shtetasi Pëllumb Saliu, pjesë e administratës së sotme të bashkisë së Konispolit dhe i afërm i kryetarit të bashkisë. Nevoja e përshtatjes si banesë të objektit e ka detyruar që brenda sipërfaqes së privatizuar të ndërtojë një banjë dhe kuzhinë. Ndërkohë që pjesa e privatizuar nga banori Saliu përdoret si magazinë për grumbullimin e agrumeve. Pikërisht këtu ka ardhur konflikti mes dy fqinjëve nga pretendimi i zotit Saliu për zgjerimin e sheshit të parkimit. Kjo është realizuar nga forcat e shumta policore të bashkisë dhe asaj të shtetit, prezent në ekzekutimin e këtij vendimi që ligji e ndalon ekzekutimin deri sa gjykata të shpreh verdiktin e saj. Ky është dhe pretendimi i zotit Tërshalla që sjell në faqet e gazetës, ndërkohë që çështja është ende duke u gjykuar. Por Tërshalla pretendon se lajmërimin e ka marrë nga postieri Fatmir Dule më 18 shkurt 2019, në 21 është paditur në gjykatën administrative , ndërsa është ekzekutuar në datën 22 shkurt 2019. Kjo shtesë e ndërtuar në vitin 2004 tani nuk ekziston më, është shembur së bashku me muret ndarëse ekzistuese të ish NB-së. Zoti Tërshalla pretendon se po i grabisin në mënyrë të padrejtë pronën e tij të fituar me ligj dhe po i prishin në mënyrë të padrejtë, sipas tij, shtëpinë e ndërtuar me djersë. Agron MEMA