Kongresi i Ombusmanëve, Totozani: Kritika e avokatëve të popullit merret si sulm nga aktorët politik

52
Roli i Avokati të Popullit në vendet me demokraci të pakonsoliduara si Shqipëria kuptohet pak.
Shqetësimi është ngritur nga zoti. Totozani në Kongresin e 9-të të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Ndërmjetësuesve Frankofonë (AOMF) që u mbajt në datat 13-15 tetor 2015 në Quebec të Kanadasë.
Sipas Avokatit të Popullit, shpesh kritikat e tij apo dhe rekomandimet konsiderohen sulme nga aktorët politikë dhe qeverisës dhe jo në pak raste nuk merr as përgjigje për rekomandimet.
Totozani: “Puna e Ombudsmanit në vendet me demokraci ende të pakonsoliduar është një sfidë e madhe. Këto vende karakterizohen nga një “paradoks” i madh, ai midis një rendi kushtetues demokratik nga njëra anë dhe mungesës së kulturës demokratike nga ana tjeter. Ky paradoks është burimi i një tensioni të madh, pasi në mungesë të kësaj kulture administrata publike shpesh shkel ligjet, ose së paku realizon një përdorim abuziv të normës juridike. Vështirësia e Ombudsmanit është e dyfishtë në këtë rast; ai duhet nga njëra anë të korrigjojë dhe përmirësojë administratën publike dhe nga ana tjetër të përhapë një kulturë të tillë demokratike. Mungesa e kësaj kulture sjell moskuptim të rolit të Ombudsmanit. Shpesh kritikat e tij apo dhe rekomandimet konsiderohen sulme nga aktorët politikë dhe qeverisës. Shpesh rekomandimeve të tij nuk i kthehet as përgjigje. Por udhëheqësit tanë duhet të kuptojnë se qëndrimi ndaj Ombudsmanit është një nga indikatorët më elokuentë dhe më të saktë të nivelit të demokracisë në një vend. Kjo e fundit duhet të jetë e qartë për këdo. Mosbashkepunimi me Ombudsmanin shkon drejtpërdrejtë në dëm të qytetarëve”.
Punimet e këtij kongresi përfunduan me marrjen e disa vendimeve mjaft të rëndësishme. Kongresi zhvilloi zgjedhjet për organet drejtuese të organizatës, e cila përfshin Ombudsman nga 48 vende të botës; nga Afrika, Amerika-Antiljet, Azia-Paqësori, Europa dhe Oqeani Indian.
Avokati i Popullit Shqiptar, Igli Totozani, u rizgjodh me unanimitet të plotë për të dytën herë rradhazi anëtar i Bordit drejtues të Organizates.
Një tjetër zhvillim mjaft i rëndësishëm në këtë konferencë ishte pranimi si anëtar me të drejta të plota i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, një arritje tjeter e madhe në integrimin e Kosovës në struktura dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.