Kongresi i Lushnjës ngjarje me rëndësi për fatet e Shqipërisë, Tirana zgjidhet kryeqytet

1044
Nga Orhan FRASHËRI
Inaugurimi i punimeve të Kongresit nga forcat kryengritëse dhe ato të ushtrisë e xhandarmërisë që drejtonte nga kapiten Meleq Frashëri bënë të mundur përfundimin me sukses të punimeve të Kongresit. Nga historia kemi mësuar se detyrën për thirrjen e Kongresit e mori një komision i përbërë nga 28 anëtarë midis tyre; Besim Nuri, Estref Frashëri, Ferit Vokopola, Qemal Mullaj, Abedin Nepravishta, Bajram Haxhia, Ibrahim Karbunara, Muntaz Lura dhe me kryetar Besim Nuri. Kongresi u vendos të mbahej në qytetin e Lushnjës. Ai i zhvilloi punimet nga datat 21-28 janar 1920. Në të morën pjesë 50 delegatë nga i gjithë vendi, të cilët hodhën poshtë planet antishqiptare dhe shprehën vendosmërinë për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Ata u dërguan nota proteste edhe qeverive angleze, franceze, italianë etj, dhe miratuan një akt kushtetues ku përcaktohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar, të shprehur nga organet e zgjedhura prej tij. Kongresi rrëzoi qeverinë e përkohshme të Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kryesuar nga Sulejman Delvina, e cila iu kundërvu politikës shoviniste, bashkoi nën një pushtet të vetëm qendror pjesën më të madhe të vendit, u kërkoi pushtuesve tërheqjen e tyre nga territoret e Shtetit Shqiptar dhe përkrahu luftën e armatosur për çlirimin e plotë të vendit. Me luftën e Vlorës 1920 e më pas u realizua ky çlirim. Komisioni nismëtar dhe Kryetari Besim Nuri e anëtarët e tjerë kishin vënë në dijeni Kapitenin Meleq Frashëri që të takohej me Aqif Pashën për të punuar e për t’u vënë në krye të punimeve të Kongresit dhe ai pranoi që Kongresi të zhvillonte punimet në shtëpinë patriote të Fugallarëve. Aliu dhe Hanko Xhemalia vunë në dispozicion dy ndërtesa për delegatët që do të merrnin pjesë në Kongres së bashku me shpenzimet për ushqim etj. Kur forcat austro-hungareze u larguan, më 1918-n nga Shkodra, forcat ndërkombëtare që ishin në Shkodër i propozuan Meleq Frashërit të qëndronte në detyrën që kishte në Shkodër si Komandant i xhandarmërisë. Meleqi nuk pranoi në asnjë mënyrë të bashkëpunonte me francezët dhe italianët si fuqi imperialiste. Italianët ishin okupatorë dhe lakmitarë të vendit tonë, kurse francezët përkrahnin idetë lakmitare të Serbisë, malazezëve dhe grekëve, armiq shekullorë të Shqipërisë. Meleqi nga fundi i vitit 1918 u largua nga Shkodra dhe shkoi si Komandant i xhandarmërisë së Qarkut Berat, që varej nga qeveria provizore shqiptare e formuar me qendër në Durrës. Meleqi njihesh me pjesën më të madhe të anëtarëve të Kuvendit, të cilët e kishin vënë në dijeni për gjithçka që kishte të bënte me punimet e Kongresit dhe ai ishte treguar i gatshëm që të merrte përsipër çdo detyrë të vështirë, vetëm e vetëm për të kurorëzuar me sukses punimet e Kongresit. Mustafa Kruja mendonte që Kongresi i Lushnjës të mblidhej në Krujë, mbasi ai me shokët e tij e konsideronte Krujën si vendin më të përshtatshëm për t’u mbledhur Kongresi. Natyrisht ky vendim u refuzua nga anëtarët e “krahut kombëtar” dhe u mor vesh me Sheh Ibrahim Karbunarën me shokë anëtarë të komisionit, për mbajtjen e Kongresit në Lushnjë. Para se të merret vendimi, u ngarkua kapiten Meleq Frashëri, i cili shkonte në Berat, për t’u marrë vesh me Iliaz Vrionin, nëse dhe ky ishte i mendimit për një Kongres të tillë edhe nëse siguronte edhe Beratin për këtë qëllim. Mbasi u mor një përgjigje pozitive nga Iliaz Vrioni Bashkia e Lushnjës iu dërgoi lajm të gjithë bashkive të Shqipërisë që të dërgonin delegatët e tyre në kohën e caktuar. Kapiten Meleq Frashëri, jo vetëm ishte një nga bashkëpunëtorët kryesorë për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, por ai mori përsipër që të zgjidhesh çdo detyrë që kishte të bënte me sigurimin e punimeve të këtij Kongresi duke vepruar me kurajë, guxim e trimëri sa që u bë përsëri ushtaraku më i rëndësishëm për zhvillimin e punimeve të Kongresit. Meleqi nuk pyeti, as për ndërhyrjet e forcave italiane, as për urdhrat e qeverisë së Durrësit, (që ishin pro italianëve) madje iu kundërvu këtyre që përpiqeshin me çdo kusht të ndalonin e pengonin formimin e Kongresit dhe punimet e tij. Meleq Frashëri, komandant i xhandarmërisë së Lushnjës ndihmoi fuqishëm në përgatitjen e Kongresit të Lushnjes. “…Komandanti i xhandarmërisë së Beratit Meleq Frashëri, raporton me 20 janar nga Lushnja, se masat e marra nga Komisioni për ruajtjen e qetësisë i gjente plotësisht në rregull”, se delegatët e ardhur ishin vendosur në vendet që u qenë përgatitur më parë nga ana e komisionit me qetësi të plotë.” 

Sivjet festojmë 90-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, i cili u formësua me 21 janar 1920, në kushte të favorshme e me plot sukses nën mbrojtjen e forcave ushtarake e popullore të udhëhequra nën drejtimin bindës të talentit organizator të Meleqit e të simpatisë e autoritetit të tij, siç shpjegohet nga kujtimet e Bajram Haxhiut e të bashkëpunëtorëve të tjerë. Për pjesëmarrjen e Meleqit në Kongresin e Lushnjes dhe rolin e tij, po citojmë shkresën e Prefekturës së Beratit, drejtuar MPB Durrës me anën e të cilës informohet mbi përgatitjet që ishin duke u bërë për mbledhjen e Kongresit të Lushnjes. Qeveria provizore qendrore duke marrë parasysh interesimin publik të shtetit dhe në vend të tij të dërgohet Izet Xhindi (Sevrani) ose një oficer tjetër që shihet e mundur nga ana juaj: M. Cani, botuar 1975 faqe 25-26 për qëndrimin e mbajtur nga Meleq Frashëri. Prefektura e Beratit raporton qeverinë e Durrësit të japë urdhër për të ndaluar mbledhjen e Kongresit të Lushnjës dhe të hiqet nga Lushnja komandanti i xhandarmërisë Meleq Frashëri, i cili ka gisht në këtë mbledhje. Në një miting popullor që u organizua në Lushnjë, lajmërojnë autoritetet shqiptare e atë okupacionit Italian, që Komandanti i xhandarmërisë, kapiten Maliq Frashëri të lihet në Lushnjë, i cili ka besimin e këtij populli dhe di psikologjinë e vendit. Letër e përfaqësuesve të Lushnjes e nënshkruar nga Ramis Hoxha, Besim Nuri, Llazi Bozo, Emin Vokopola, Qemal Mullaj etj. Lushnja ishte kryeqendra e ushtrisë italiane dhe këto fuqi u përqendruan mbi këtë qytet për të ndaluar mbledhjen e Kongresit atdhetar, por edhe i druheshin ndonjë reagimi apo nga luftimet e forcave qeveritare si dhe të vullnetarëve. “Trupat tona do të jenë mburoja dhe kështjella që do të përballojë sulmet e kundërshtarëve”, deklaronte Meleqi. Meleqi,në krye të postit në qeverinë e Lushnjes, bëri gjithçka për sigurimin e me sukses të punimeve të Kongresit si dhe për të stabilizuar Shtetin e ri të brishtë shqiptar. Posti që kishte është shpëtimtar i situatës në të cilën ndodhej Shqipëria,duke dhënë provën e garantimit me forcën e armëve të zhvillimit normal të punimeve të Kongresit të Lushnjes, ndërkohë që disa të tjerë bënin sehir me qëndrimin e tyre indifirenet. Meleqi, njihesh me Kasem Radovickën, komandant i batalionit të milicisë, por ata kishin të bënin me njëri-tjetrin mbasi babai i Meleqit kishte marrë për grua hallën e Kasemit që edhe ky si një patriot kundërshtonte qëllimet grabitqare të italianëve dhe mbante lidhje me Meleqin dhe e informonte për gjithçka. Koloneli Italian në Lushnjë për të bërë presion mbi popullin kishte menduar nëpërmjet manovrës të demonstronte forcën e ushtrisë, Nxirrte ushtrinë natën të fshehur, të cilët vinin deri në Bishqethë të nesërmen rreth ores 10.00, po kështu ushtarët hynë në Lushnjë në formacion ushtarak për të ngjallur frikë e panik. Para se ushtritë të vinin komanda italiane kërkonte nga autoritetet vendbanim etj. Kjo manovër e komandës u përsërit disa herë. Kapiten Meleq Frashëri, që iu kish vënë njerëz të posaçëm për të surverjuar lëvizjet e ushtrisë italiane ishte vënë në dijeni për këtë manovër. Koloneli Italian mendonte se kjo manovër bëhej në mënyrë të fshehtë, por kur dëgjoi nga Meleqi se ky ishte në dijeni, menjëherë i kërkoi ndjesë. Meleqi qeshi mandej i thotë: “Unë nuk ju kam thënë, qysh në fillim se çdo vepër që bëni ju në mënyrë të fshehtë, neve do ta kuptojmë, prandaj nuk është mirë për ju të veproni kështu.” Kapiten Meleqi informonte se në Fier ka ardhur tradhtar Myfit Libohova me 500 milicë shqiptarë për të marshuar mbi Lushnjë, me qëllim që të shpartallonte Kongresin. Meleqi këto informata ia raportonte kryetarit të Kongresit dhe disa shokëve të tjerë. Mbas një bisedimi që u zhvillua midis tyre, njëzëri ata vendosën që Meleqi të shkojë në komandën italiane për të venë në dijeni kolonelin se ardhja e Myfitit në Fier ka për të formuar një ashpërsim të situatës si te delegatët e Kongresit, ashtu edhe te vullnetarët. Meleqi menjëherë u nis për në komandë dhe i tha kolonelit Italian: “Tani vij nga kryetari i Kongresit, i cili më urdhëroi që t’u them juve, se ai ishte në dijeni të ardhjes së Myfit Libohovës me 500 milicë në Fier dhe qëllimin e kësaj ardhjeje -Por duhet të dini zoti Kolonel, se populli i Lushnjës është i vendosur duke marrë parasysh edhe vdekjen, vetëm e vetëm për t’ia mbërritur qëllimit të tij, për të cilin kanë vendosur në këtë mënyrë, atyre nuk u dilet përpara. Ju mund t’ia mbërrini qëllimit tuaj për kundër Kongresit, por duhet të dini se do t’ju kushtojë shtrenjtë dhe në fund nuk do të përfundoni mirë. Kjo ishte dëshira e popullit dhe e delegatëve. Prandaj unë jam i mendimit që të hiqni dorë nga kjo aventurë. Shqipëria nuk bëhet çiflig dhe plaçkë pazari, pse disa tradhtarë si Myfit Libohova, Mustafa Kruja etj, lozin me fatin e këtij populli. Koloneli sa dëgjoi me vëmendje këtë bisedë të Meleqit, iu zotua se nuk do t’i raportojë komandës së tij këtë çështje. Të nesërmen u mor vesh se beu i shitur me bishtin ndër shalë u a mbathi këmbëve për të fshirë lotët e tij me shaminë e mëndafshit që mbante gjeneral Piacentini në dorë. Midis beut dhe oficerëve shqiptarë të këtij batalioni u shkaktua një grindje, sepse Myfit beu i kritikoi oficerët, përse ata iu shmangën urdhrit të tij që u kish dhënë për të marshuar drejt Lushnjës. Por edhe në këtë moment beu i Libohovës e mori përgjigjen nga komandanti i batalionit Kasem Radovicka që i tha: “Neve nuk mund të luftojmë kundër vëllezërve tanë, që janë duke punuar për të mirën e Atdheut tonë, neve më parë jemi shqiptarë. Ju u frikësuat nga lalët e Myzeqesë dhe Hajdutët e Dumes apo kini frikë nga Cali i Frashërit (bëhet fjalë për Meleqin) lalët janë të armatosur me disa dyfekë me strall dhe sëpata kurse ju jeni të pajisur me armë në dorë. Asnjë nga ne nuk mund të luftojë kundër atyre që po përpiqen për të mirën e Atdheut tonë neve nuk do të bëjmë kurrë këtë tradhti të poshtër. Beu i xhindosur i hipi automobilit luksoz dhe mori rrugën e Vlorës. 

Muzeun Lushnje. 
Meleq Frashëri një nga dragonjtë e maleve të Shqipërisë së Jugut, një nga djemtë më trima të Dangëllisë, një nga personat më të rëndësishëm të rendit, një ndër nismëtarët e organizatorët e tubimit atdhetar i Kongresit të Lushnjës dhe si titullar i xhandarmërisë bëhet kështu “personi ushtarak më i rëndësishëm për formimin e sigurimin e Kongresit”. Prandaj sot është e nevojshme që çdo figurë historike të trajtohet në kontekstin e kohës. Se historiografia lipset të jetë e ekuilibruar për të korrigjuar njëanshmëritë që ndikojnë në prishjen unitetit e të harmonisë kombëtare. Kur Major Meleq Frashërin këtë figurë të shquar patriotike demokratike, luftëtar të vendosur për çlirimin kombëtar dhe Dëshmor i Atdheut nuk duhet të lihet në harresë në përvjetorin e 90-të të Kongresit, aktit të madh atdhetar dhe shpëtimtar në rrjedhën e Historisë së Shqipërisë.
Sigal