Konfindustria kërkon që qeveria të shtyjë afatin për TVSH

207
Edhe pse fillimisht bizneset e mëdha e mbështetën nismën e qeverisë për të përfshirë në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar biznesin e vogël me xhiro deri në 2 milionë lekë, një pjesë e tyre do t’i kërkojnë shtyrje të afatit të kësaj nisme.
Nga 1 Prilli në kufirin e TVSH-së do të përfshihen pothuajse të gjithë ndërmarjet e vogla, por përmes një njoftimi për shtyp Konfindustria kërkon që zbatimi i këtij vendimi të fillojë në Janar të vitit 2019.Konfederata e Industrive e argumenton këtë kërkesë me faktin që mijëra biznese kanë kërkuar mbylljen apo pezullimin e aktivitetit, prandaj shprehet ajo, duhet më shumë kohë për t’u përshtatur me këto rregulla të reja në mënyrë që të mos ketë pasojë në ekonominë vendase.
Vetë Drejtoria e Tatimeve një javë më parë deklaroi se janë mesatarisht 50 biznese në ditë që kërkojnë çregjistrimin apo pezullimin e aktivitetit të tyre për t’iu shmangur përfshirjes në skemën e tvsh-së, por ka deklaruar se nuk do të përjashtohet asnjë biznes që është pjesë e kësaj liste të hartuar në muajin janar, pavarësisht veprimeve që ai ndërmerr.