Konferenca Gjyqësore ka zgjedhur 4 përfaqësuesit e rinj në KLD

80
Xhezair Zaganjori: Për një gjyqësor që reflekton standartet bashkëkohore
Momenti në të cilën zhvillon punimet kjo konferencë është i rëndësishëm për gjyqësorin shqiptar. Tashmë ndodhemi në fazen e hartimit të ndryshimeve të kornizes kushetuese e ligjore që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë. Synimi i kësaj reforme të rëndësishme është përmirësimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe vendosja e tij mbi themele të shëndosha ligjore dhe institucionale. Ne jemi të vetëdijshëm se BE ku duam të integrohemi është një bashkim vlerash. Në themelet e tij qëndrojnë parimet e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe mbrotja e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Prandaj është e natyrshme kërkesa e vazhdueshme që vjen nga Brukseli dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë ndaj nesh për të respektuar sa më mirë pikërisht këto vlera të panegociueshme të demokracive perëndimore. Në çdo shtet demokratik, gjyqësori luan një rol tejet të rëndësishëm në shoqëri, për shkak se ai është i lidhur ngushtë dhe në mënyrë të pazgjithme me nocion e “drejtësisë”, si një nga vlerat dhe virtytet universale të jetës shoqërore. Gurë themeli i çdo sistemi qeverisës është dhënia në mënyrë të garantuar dhe të qëndrueshme e drejtësisë. Jo pa qëllim, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, George Ëashington, thoshte në mënyrë vizionare se: “Administrimi i drejtësisë është shtylla më e fortë e qeverisjes”. Vetëm një sistem i tillë gjyqësor i konsoliduar kontribuon në ruajtjen e stabilitetit të raporteve shoqërore dhe ekonomike, në zgjidhjen e konflikteve, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, vendosjen e paqes sociale si dhe në krijimin e një klime të përshtatshme dhe të sigurtë për investimet e huaja dhe biznesin. Vitet e fundit pa dyshim që ka pasur arritje dhe përmirësime në fushën e gjyqësorit në shumë drejtime, të cilat janë konstatuar dhe përshëndetur nga të gjithë. Mosnjohja apo mohimi i tyre është një qëndrim nihilist, i cili nuk duhet pranuar. Me fondet buxhetore si dhe me asistencën financiare të BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtare, infrastruktura e një pjese të gjykatave tona është e re, me hapësira të përshtatshme për punën e gjyqtarëve, akomodimin e publikut si dhe shërbime gjyqësore cilësore. Megjithatë, ende mbetet për të bërë në këtë drejtim. Nga ana tjetër, shumica e gjyqtarëve padyshim që punojnë me seriozitet, përkushtim integritet dhe profesionalizëm në ushtrimin e detyrës. Përmirësime janë bërë gjithashtu në drejtim të futjes dhe përdorimit në gjykata të teknologjisë së informacionit dhe modernizimin e tyre; të rritjes së nivelit profesional të gjyqtarëve; krijimit dhe funksionimit të gjykata administrative; të përqasjes së legjislacionit me të drejtën evropiane dhe praktikat më të mira; të përsosjes së kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, e të tjera. Një kontribut të çmueshëm kanë dhënë pa dyshim edhe partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët nëpërmjet asistencës teknike apo mbështetjes financiare për projekte të ndryshme kanë mundësuar konsolidimin dhe përmirësimin e eficencës së sistemit gjyqësor, si Misioni Euralius, USAID, OSBE, OPDAT, Fondacionet Hans Seidel e shumë të tjerë. Në të njëjtën kohë ne mbartim dhe përballemi çdo ditë me probleme të rënda dhe të mprehta, që kërkojnë detyrimisht zgjidhje. Ne jemi të vetëdijshëm se shërbimi gjyqësor ende nuk është në nivelin e duhur në shumë aspekte, duke mbetur në këtë mënyrë larg standardeve evropiane. Ky fakt shqetësues evidentohet në mënyrë të shprehur e shumë të qartë edhe në tonet kritike të raport progreseve vjetore të BE për vendin tonë. Numri i gjyqtarëve shqiptarë në raport me numrin e popullësisë është ndër më të ultit në krahasim me vendet anëtare të BE, por edhe vendeve të tjera të rajonit; Gjykatat tona përballen me një numër të madh çështjesh të cilat, duke konsideruar dhe numrin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve, krijon vonesa në dhënien e drejtësisë; Ka seanca të shumta e sorollatje të palëve në dyert e gjykatës; Besimi i publikut tek pushteti gjyqësor ende vazhdon të mbetet në kuota tepër të ulëta. Pra gjykatat tona vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e theksuar e kredibilitetit. Kjo mungese kredibiliteti vjen për shkak te korrupsionit; mungesës së transparencës; cilësisë së dobët të vendimeve gjyqësore; kushteve jo normale të punës; komunikimit të pakët me median dhe publikun në tërësi; mangësive në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive nga vetë hallkat e gjyqësorit; mospërfshirja aktive e gjyqtarëve në diskutimin dhe procesin e vendimmarrjes për çështjet e rëndësishme, e të tjerë. Në kushtet aktuale, objektivi imperativ është përfundimi me sukses i procesit të reformave që kanë filluar në drejtësi, për të arritur realisht ndërtimin në shoqërinë shqiptare të jetës institucionale dhe sociale të bazuar në sundimin e ligjit.
Manjani: Lufta ndaj korrupsionit në gjykata, pastron gjithë aparatin shtetëror
Lufta ndaj korrupsionit dhe abuzimit në Gjykata është një luftë që rrjedhimisht pastron të gjithë aparatin shtetëror dhe më gjerë. Ky është qendrimi i Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani gjatë fjalës së tij në Konferencën Gjyqësore, ku theksoi se gjykatë e besueshme është një gjykatë e pavarur.Fillimisht Manjani theksoi se kushtetuta garanton në letër pavarësinë e gjyqësorit, por ajo nuk garanton se gjyqësori nuk është preh e presionit politik. Më tej, Manjani sqaroi se sa më shumë politika të flas për drejtësinë, aq më shumë cënohet liria dhe besimi i saj. Së treti, ai nënvizoi se nuk është gjyqësore sistemi më i korruptuar në vend, por vlerësoi se duke luftuar korrupsionin në gjykata, luftohet korrupsioni në të gjithë aparatin shtetëror dhe më tutje. “Besimin e gjykatës tek publiku, s’ka shans ta rregullojë asnjë pushtet tjetër përveç se gjykatës, politika vetëm e dëmton. E kam bërë një betim si ministër i Drejtësisë, tha Manjani. 
Adriatik Llalla: Mos i fusni të gjithë prokurorët në një thes
Kjo mbledhje e Konferencës Kombëtare Gjyqësore erdhi në një moment kur retorika kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, ka arritur kulmin. Sidomos të shpeshta janë komentet e ambasadorëve të huaj ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. E gjithë kjo retorikë ka krijuar idenë se shumica e njerëzve të drejtësisë është e korruptuar dhe kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është dakord. “Sistemi i drejtësisë në vend, si çdo hallkë, nuk është imunizuar nga korrupsioni. Disa raste gjyqtarësh dhe prokurorësh të vënë nën akuzë janë dëshmi e kësaj. Por përgjithësimi nuk është veprimi i duhur. Janë këta prokurorë dhe gjyqtarë që kanë vendosur nën akuza të rënda deputetë dhe po hetojnë zyrtarë të lartë të akuzuar për dëme me vlerë miliona euro”, tha Llalla.
Donald Lu: Gjyqtarët e korruptuar do shkojnë brenda qelive
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu ritheksoi edhe ai se reforma në drejtësi tremb të korruptuarit dhe shkelësit e ligjit. “Asnjë gjyqtarë nuk pranon se është i korruptuar. Asnjë prokuror nuk pranon se ka cënuar ligjin, por e vërteta është se ora e një gjyqtari kushton me shumë se ora e një gjyqtari tjetër, jo të korruptuar dhe ky është një fakt. Dhe këto gjyqtarë duhet të shkojnë në burg, pasi kanë bërë një padrejtësi”, tha Lu. Ai tha se gjyqtarët e ndershëm duhen promovuar, duhen vlerësuar dhe duhen motivuar që të vijojnë në këtë rrugë. “Është e rëndësishme që gjyqtarët e ndershëm të kultivohen e motivohen çdo ditë në punën e tyre, teksa e kundërta të ndodhë me gjyqtarët jo korrekt, ata duhen dënuar”, vijoi Lu.Për gjyqtarët e korruptuar, tha ambasadori, ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar.“Më lejoni t’jua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: nëse keni marrë ndonjëherë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykate, jeni një gjyqtar i korruptuar. Së dyti, për gjyqtarët e ndershëm, kini besim, ndryshimi po vjen. E di që është e vështirë të jesh një gjyqtar i ndershëm. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni nga çdo drejtim për të marrë vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara. Gjyqtarët e ndershëm, si ju, meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe të përvojës”, përfundoi Ambasadori i SHBA-së.
Romana Vllahutin: Reforma motivon gjyqtarët që zbatojnë ligjin
Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin ritheksoi qendrimin e saj se frikë nga reforma kanë vetëm ata gjyqtarë e prokurorë që nuk punojnë denjësisht.“Po të isha një gjyqtare apo prokurore në sistemin e drejtësisë shqiptarë e do të punoja denjësisht, pa cënuar ligjin do të isha mjaft e lumtur që reforma të realizohej, pasi kësisoj puna ime nuk do njollosej nga gjyqtarë të pa-aftë dhe të korruptuar, por do dilte në pah vërtetë vlera ime. Prandaj ne e kemi thënë shpesh, që kjo nuk është një reformë kundër gjyqtarëve, përkundrazi, kjo është një reformë që motivon gjyqtarët e që respektojnë ligjin.
Zgjidhen 4 anëtarët e rinj të Këshilit të Lartë të Drejtësisë
Konferenca e Gjyqësorit ka zgjedhur dje 4 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në garë për këto vende ishin 7 gjyqtarë. Nga 7 gjyqtarët që ishin në garë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferenca e Gjyqësorit ka zgjedhur 4 prej tyre.
Anëtarët e tinj të KLD janë Brunilda Kadi, Gerd Hoxha, Eneida Civici dhe Petrit Çomo. Ky i fundit ka marrë 238 vota, Eneida Civici 227 vota, Brunilda Kadi, 221 vota dhe Gerd Hoxha 214 vota. Pra të katër kandidatët kanë marrë mbi 208 vota që ishte kufiri i poshtëm. Më herët gjatë konferencës pati diskutime mbi korrupsionin në sistemin e drejtësisë në vend.
Manjani me përmbaruesit privatë: Ministria e Drejtësisë do t’iu mbështesë në çdo hap!
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ishte dje i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë Gjatë fjalës së tij lidhur me situatën aktuale të përmbarimit apo edhe shqetësimet që lidhen me punën konkrete të përmbaruesve, ministri theksoi se shërbimi përmbarimor privat sot është në nivel të lartë dhe ai ka zgjidhur shumë çështje me rëndësi jetike për qytetarët, siç është zbatimi i vendimeve të gjykatës. “Ne kemi nevojë që ky shërbim të jetë aktiv dhe licensa që jepet të jetë funksionale. Mbështetja e ministrit të Drejtësisë është maksimale për të gjithë ata që punojnë, për të gjithë ata që nuk e konsiderojnë këtë shërbim trofe, por e konsiderojnë si një shërbim real që ndihmon qytetarët e këtij vendi”, theksoi Manjani.“Kur u vendos që të liberalizohej shërbimi i përmbarimit ka pasur, sigurisht, skepticizëm, por besoj që mbi të gjitha ka triumfuar pikëpamja që kemi bërë mirë që është liberalizuar, sepse shteti nuk mund të ekzekutojë vetveten ndonjëherë. Jo se ju nuk jeni shteti, sepse ju jeni përfaqësuesit e ministrit të Drejtësisë, praktikisht të shtetit, për të bërë këtë gjë dhe them që në këtë temë aktiviteti juaj ka qenë pozitiv, është për tu vlerësuar. Por, ka edhe një perceptim në ngritje të opinionit publik, që mund të trokasësësh tek dera e përmbaruesit privat dhe të mbarosh punë. Kjo është një gjë e mirë, ashtu siç po kuptojmë të gjithë që shërbimi i përmbarimit publik, pra ajo që ka ngelur nga shërbimi i vjetër, ka nevojë që sigurisht të përshtatet dhe të lidhet me standardet e shërbimit privat. Kjo është një gjë, besoj unë, që standardi i shërbimit është vendosur tashmë. Nga ana tjetër, sigurisht, që liberalizim nuk do të thotë dembelizëm, sepse ne duam të nxisim një përmbarues aktiv. Ju kërkoni mbështetjen e ministrit të Drejtësisë, gjë që e keni të plotë”, tha Manjani.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015