Konferenca Gjyqësore dënon sulmet ndaj gjyqtarit Aliaj

527
Nuk kanë qënë të paktat rastet kur Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka sulmuar Gjykatën e Tiranës në lidhje me vendimin që gjyqtari Arjan Aliaj dha për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe kryeministri Rama. Gjyqtari Arjan Aliaj i cili firmosi masën për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe arrestimin per dy vartësit e tij, është venë në shënjestër të akuzave të ashpra nga kreu i qeverisë dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. 
Tonet kanë qënë mjaft të ashpra ndaj gjyqtarit, madje kryeministri Rama nuk nguroi që edhe të lëshonte një lum akuzash ndaj tij. Më herët Rama e ka cilësuar gjyqtarin Aliaj një personazh të zhytur thellë në kënetën e sistemit të drejtësisë. Madje kreu i qeverisë shkon më tej kur e cilëson gjyqtarin Aliaj një killer me pagesë. Pas këtyre akuzave të drejtëpërdrejta, një reagim ka ardhur edhe nga Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ku i cilëson këto deklarata fyese dhe denigruese për gjithë trupën gjyqësore.
“Duke marrë shkas nga deklaratat fyese dhe sulmet e drejtpërdrejta të disa përfaqësuesve të ekzekutivit, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Z. Arjan Aliaj, për shkak të vendimeve të marra prej tij, në përmbushje të detyrës kushtetuese, Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, shpreh edhe njëherë dhe ri-konfirmon qëndrimin e mbajtur edhe në raste të tjera analoge se parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duhet të jenë guri i themelit që udhëheq çdo organ gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, në një shtet demokratik.
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare vlerëson se, deklarata të tilla, me një gjuhë të papranueshme dhe te përsëritur, të realizuara nga përfaqësues të ekzekutivit, vënë seriozisht në dyshim parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet politike apo të çdo forme tjetër, të cilat sjellin pasoja, jo vetëm në drejtim të ushtrimit të pavarur të veprimtarisë gjyqësore, cenimi i së cilës sjell përgjegjësi sipas ligjit, por edhe në drejtim të garantimit efektiv të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si element esencial i shtetit të së drejtës dhe demokratik, proces i cili në mënyrë të pashmangshme kërkon si parakusht një gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe brenda standardeve të gjithëpranuara ndërkombëtare, në drejtim të etikës dhe profesionalizmit.
Këto deklarata fyese dhe denigruese për gjithë trupën gjyqësore, në një moment kaq vendimtar për sistemin e drejtësisë, nuk kane aspak lidhje me aspiratën për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, me integritet moral dhe profesional, të aftë që të japë drejtësi dhe vendosë përballë ligjit këdo që e shkel atë”.
Sigal